Përfundoi manifestimi “Tingujt e Çarshisë 2016”

Në mbrëmjen e së enjtes u hap manifestimi i përvitshëm “Tingujt e Çarshisë 2016”. Në mbrëmjen e parë  u mblodhën në koncert shumë të rinj, ndërsa perfromuan këngëtarët Tyzee, Darko Spejkov, Kida dhe Mozzik.

Të premten aktivitetet u zhvilluan gjatë tërë ditës, ku kishte performanca të artistëve të rrugës si dhe koncert nga kuarteti “Oda”.

Si çdo vit, në një ngjarje të tillë nuk mund të mungonte poezia. Për këtë pjesë ishin kujdesur të rinjtë. Vargje të thurura nga vetë ata, recitale dhe pjesë të interpretuara me çifteli u dëgjuan në korridoret e Çarshisë.

“Kishte një numër të madh të personave të cilët aplikuan në përzgjedhjen e poezive, pasi që Shkupi ynë ngërthen një numër të madh të poetëve të rinj”, u shpreh Erkan Xhaferi, Poet.

Menjëherë pas mbrëmjes letrare, u shfaq dokumentari për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ideatore e të cilit ishte Majlinda Çilafi.

“Mendoj që është dokumentar i parë që realizohet për Çarshinë e Vjetër nga rinia jonë”, tha Majlinda Çilafi, Autore e Dokumentarit.

Organizatorja e evenimentit Sermine Purrini u nda e kënaqur nga puna e të rinjve dhe nga rrjedha e manifestimit.

“Të gjitha aktivitetet u mbajtën nëpër Çarshi. Edhe koha ishte e mirë. U vizitua nga qytetarët. Mendoj se kanë ngelur të kënaqur. Ky eveniment ka qenë pak relaksues dhe freskues për të gjtihë ata që e vizituan”, shtoi Sermine Purrini, Organizatore.

Ashtu siç filloi, manifestimi mbaroi me një koncert ku performuan grupi Fullstop dhe këngëtarët Dhurata Dora, Lyrical Son dhe MC Kresha.

Ky manifestim u organizua nga Qendra Informative Kulturore në Shkup, dhe për të u ndanë 900.000 denarë mjete nga qyteti i Shkupit

 

Loading...