Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se 863 mijë eurot e gjetura në makinën e biznesmenit Orest Sota në Elbasan janë të ish-ministrit Saimir Tahiri. Prokuroria është shprehur se ka dyshime se paratë e gjetura në makinën e Sotës janë të Saimir Tahirit. Madje këto para sipas akuzës janë të Saimir Tahirit të fituara nga aktivitetet kriminale. Ndërsa biznesmenit Orest Sota i është caktuar masa e sigurisë arrest me burg. Sipas prokurorisë, Sota dhe shoferi i tij, Leonard Almeta janë përgjuar nga drejtoria e Policisë së Elbasanit, ku biznesmeni mësohet se ka pyetur shoferin se “Çfarë duan patentat e Tahirit në makinën time”? Ndërsa Almeta është përgjigjur se “I ka harruar Gent Caka” (shoferi i Tahirit).  Më pas është përgjuar edhe Caka kur ka folur me Almetën, pasi është lënë i lirë.
Caka mësohet se i thotë Almetës “Nuk ka faj Oresti pasi i kam harruar unë ato aty”. Ndërkohë që avokati mbrotjes i Sotës, Fatmir Braka ka deklaruar se 863 mijë eurot ishin tërhequr prej shumë kohësh nga banka dhe do t’i paguheshin kompanisë Kurum për blerjen e një sasie të madhe hekuri. “Paratë ishin për blerjen e hekurit tek Kurum, kemi edhe prova. Lefter Sota ka folur me telefon me pronarin dhe administratorin e Kurum, do të blihej 10 mijë ton hekur”. Për këto përgjime avokati i Sotës pretendoi se patentat ishin harruar prej muajsh dhe në përgjimet ambjentale vetë Sotaj ishte habitur për patentat.

Loading...