Akoma nuk është gjetur gjuhë e përbashkët mes pushtetit dhe opozitës për miratimin e ligjit të mediave. Opozita me anë të debatit dhe amendamenteve e ka bllokuar ligjin, ndërsa kryetarja e komisionit parlamentar për Transport dhe Lidhje Liljana Zaturovska nga radhët e VMRO-DPMNE-së, as nuk po e vë ligjin si pikë e rendit të ditës. Për ngecjen e reformave në media, ka reaguar Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, e cila i ka bërë thirrje opozitës që ta ndërpres bllokadën.

Kjo tregon se preokupim kryesor i deputetëve të opozitës nuk është fati i RTVM-së, por se si përmes zvarritjes së debatit që t’i mbrojë ushtarët e tyre partiak në Këshillin programor të RTVM-së dhe Këshillin e Agjencisë për Media – tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Drejtoresha e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Ballkan, Zvezdana Kovac vlerësoi se niveli profesional i Televizionit Shtetëror është shumë i ulët dhe kërkoi nga Qeveria aktuale që urgjentisht të ndërmerr diçka në këtë drejtim.

K E di që jeni Qeveri e re dhe keni punë më të rëndësishme, por ju duhet patjetër që të ndërmerrni diçka sepse kam rastin të ndjek programin e RTVM-së dhe ajo që pashë ishte joprofesionale. Nuk po flasim për atë se kush do të udhëheq me RTVM-në, sepse askush nuk guxon ta përvetësojë televizionin publik, dhe te mbahet anë në raportim, por kur do të vendosni njerëz profesional aty?! – tha Zvezdana Kovac – Drejtoresh e CDRSEE-së.

Ministri për komunikim dhe transparencë Robert Popovski, tha se është në dijeni për mungesën e cilësisë dhe profesionalizmit në punën e Televizionit publik. Sipas tij, të gjitha të metat e RTVM-së janë të rregulluara në ligjin e ri të medieve, i cili mbetet i bllokuar për shkak të VMRO-DPMNE-së opozitare.

Edhe njëherë po i bëj thirrje opozitës që ta mbështes Ligjin dhe të përfshihet në proces. Për fat të keq tani kemi një situatë kur stërzgjaten debatet nëpër komisione. Edhe njëherë po apelojë që të gjitha strukturat politike ta mbështesin këtë ligj sepse tani më ka gjetur mbështetje nga bashkësia mediatike, qytetarët dhe nuk ka nevojë këtu për intervenime politike – deklaroi Robert Popovski, ministër pa resor për Komunikim dhe Transparencë.

Opozita ditë më parë tha se nuk po e bllokon ligjin. VMRO-DPMNE-ja vazhdon të mbajë qëndrim se anëtarët e këshillit të RTVM-së dhe Agjencisë së Mediave, duhet të mbesin të njëjtë. Për ligjin e Mediave në Komisionin për Transport dhe Lidhje janë parashtruar 73 amendamente, 12 prej të cilave nga shumica parlamentare. Deri tani, për gjashtë seanca në komisionin amë është debatuar për 7 amendamentet e VMRO-së, por asnjëri nga amendamentet e shqyrtuara nuk është pranuar.

Loading...