Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar në mënyrë të fortë pas deklaratave të sotme të Edi Ramës në grupin parlamentar se ‘nesër do të ketë të reja’.

Me anë të zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është shprehur se nuk do të lejojë asnjë cenim të autoritetit të tij.

Por Presidenti Meta ka shkuar edhe më tej duke i kujtuar Edi Ramës se nuk mund të drejtojë Shqipërinë si ‘Sekretar i Parë’, duke bërë krahasimin me ish-diktatorin Enver Hoxha.

‘Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë’, thuhet në reagimin e Presidencës.

Reagimi i plotë i zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi:

Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues.

Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.

Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes.

Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.

Loading...