E kanë konsideruar herë një skup e herë një shaka, por problemi mbetet aty! Shërbimet sekrete perëndimore besojnë se Shqipëria kërcënohet realisht nga ISIS dhe për këtë me gjasë duhet të kenë informacion edhe partnerët shqiptarë. Në fakt lajmi që ka krijuar realisht shqetësim është sa pjesë e një analize aq edhe e informacioneve konkrete. Analiza lidhet me rrezikun e atentateve ndërsa faktet me mundësinë e përdorimit të Shqipërisë si bazë për transferimin e terroristëve në perëndim.

Analiza mbështetet mbi një llogjikë të prekshme nga të gjithë. ISIS ka paralajmëruar disa atentate. Goditja e perëndimit përmes aksioneve teroriste me gjasë po kthehet në mënyrë funksionimi të ISIS dhe është PR kryesor i tij. Në këtë rast, argumenti që ISIS godet shënjestra më të famshme dhe më mediatike, jo gjithnjë ka vlerë. Ata mund të godasin si në hallkën më të fortë, pra vendet me siguri të lartë dhe vëmendje mediatike, po ashtu edhe në hallkën më të dobët, në vendet ku siguria është problem dhe penetrimi më i lehtë. Kjo ide u vërtetua dje me goditjen në Mali, atje ku nuk mendonte askush. Në këtë llogjikë, Shqipëria është një shënjestër e thjeshtë dhe një vend Europian. Për këtë arsye, vende si Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj, mund të jetë shënjstra potenciale.

E dyta lidhet me informacionet që shërbimet partnere kanë. Opinion.al disponon një material mjaft interesant, ku shërbimet sekrete të vendeve të NATO –s tëheqin vëmendjen për një lidhje të mundshme midis grupeve kriminale shqiptare dhe terroristëve. Në të nuk bëhet fjalë për atentate, por për një lloj biznesi që parashikon shndrimin e Shqipërisë në një bazë për transportimin e terroristëve drejt Europës. Më konkretisht materiali informon se elementë kriminalë shqiptarë të skeduar që në vitet 1997 – 2000 dhe të shndruar prej vitesh në biznesmenë të fuqishëm kanë hyrë në kontakte me kompani të fuqishme për blerjen e një sasie të madhe mjetesh lundruese super të shpejta. Dokumenti jep mjaft detaje dhe sqaron se i njëjti grup ka kontaktuar disa kompani në Europë. Sipas tyre këto mjete mund të përdoren për transportin e emigratëve, por edhe terroristëve drejt Italisë në momentin që rruga serbe po mbyllet pas atentateve të Parisit. Opinion.al po heton më tej për këtë çështje.

Në të gjitha analizat e rëndësishme nënvizohet fakti që terroristët për të arritur qëllimin e tyre mund të bashkëpunojnë me grupet kriminale. ISIS ka para dhe qëllimin për terror. Grupet kriminale kanë infrastrukturën për t’ja lehtësuar këtë gjë kundrejt pagesave të majme. Ky është shqetësimi bazë.  Ndaj emri i Shqipërisë, përmendet jo pa siklet në një pjesë të rëndësishme të raporteve.

Loading...