Sot, bota për fat të mirë është bërë e vogël dhe jam i sigurt që shumë mediume do të ketë interes t’i tregojë botës se si në një qytet si Gostivari, pjesë e një shteti i cili kërkon anëtarësimin në BE, banditë të armatosur rrahin profesorë dhe kërcënojnë me armë brenda në shkollë!

Nga Arben TARAVARI

Një nga gjërat për të cilat jam veçanërisht i ndjeshëm është Arsimi dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme këtu pasi ashtu si unë ka edhe shumë të tjerë të cilët e shohin Arsimin dhe Edukimin si shtyllat të cilat sigurojnë stabilitetin e Ndërtesës së Shtetit të së ardhmes. Do të shtoj se Arsimi mban dhe detyrimin e të tashmes ndaj brezit që ulet në bankat e shkollave dhe pret të mësojë atë që ne kemi zgjedhur t’ia mësojmë.

Në këtë reflektim nuk dua të flas për çfarë mësojnë dhe si, pavarësisht se ka rëndësi jetike dhe kjo trajtesë, por kësaj here dua të përqendrohem tek raporti ynë i drejtpërdrejtë me nxënësit.

Për fat të keq edhe pse pretendojmë që jetojmë në paqe prej 2 shtatorit të vitit 1945, anembanë botës aktualisht vazhdojnë e vriten fëmijë. Një pjesë e këtyre viktimave vijnë nga ato shtete që janë në gjendje lufte por ama një pjesë e këtyre viktimave vijnë dhe nga shtete me demokraci të konsoliduara si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk nënkuptoj fëmijë që vriten për shkak të krimeve të izoluara, të cilët janë pjesë e çmendurisë njerëzore gjithsesi por, bisedoj për vrasje apo kërcënime masive të fëmijëve brenda institucionit të shkollës!

Rasti i fundit në Amerikë na tregoi se si mund të veprojë një psikopat, ndodhi për fat të keq në 14 shkurt të këtij viti (2018) në Parkland të Floridës. Ekzekutori ishte një 19 vjeçar i quajtur Nikolas Kruz, i cili mori jetën e 17 vetave, ndër të cilët 14 fëmijë (nxënës të shkollave) dhe tre profesorë. Ky lajm më shqetësoi, derisa shikoja pamjet në kanalin televiziv CNN, thosha se Zoti duhet të na ndihmojë që të zhvillojmë sa më shumë mundësinë e detektimit të sëmundjeve psikopatike për të ndaluar masakra të tilla. Më duhet të pranoj se ndoshta me ngushëllim mendova që të paktën këtu tek ne, Arsimi sado me 1100 probleme, nuk ka pasur raste të tilla.

Por për ironi të fatit jo shumë kohë pas këtij rasti, në qytetin ku punoj si Kryetar Komune, në Gostivar, persona të armatosur hynë në një shkollë në kohë mësimi dhe rrahën dy profesorë të cilët ishin në krye të detyrës. Personat e armatosur nuk ishin si vrasësi Nikolas Kruz, ata nuk vuanin nga ndonjë sëmundje mendore të rëndë, motivet e sulmit të tyre nuk lidheshin me ndonjë diagnozë klinike, ata ishin militantë të partisë qeverisëse në vend, BDI-së. Jo shumë kohë më parë me një vendim krejtësisht politik, Gostivarit iu morën kompetencat në arsim, duke shkaktuar kaos nëpër shkolla. Pikërisht aty ku duhet të ketë qetësi absolute të pandikuar nga askush. Mirëpo inati politik ishte më i madh dhe se vet kulti i shkollës dhe kështu nisi fushata e hakmarrjes. Por asnjëherë nuk kisha menduar që ky revansh do mbërrinte në pika të tilla, duke dërguar njerëz të armatosur të cilët kërcënuan dhe terrorizuan shkollën dhe dhunuan fizikisht profesorë, të cilët përfunduan në spital.

Ky rast më trishtoi pa masë, pasi kuptova që në qoftë se anomalitë psikike prodhojnë vrasës që marrin 17 jetë në një shkollë të Amerikës, këtu tek ne politika e disa njerëzve është ajo që po dërgon persona të armatosur në shkollë që për më shumë ata vazhdojnë të jenë të lirë…

Çfarë pret shteti?! Që herës tjetër të përdorin armët?! Që të na vriten nxënës e profesorë nga fanatikë të Partisë që janë verbuar duke krijuar rrethana kriminale?!

Si duhet të reagojnë prindërit gostivaras që tashmë e dinë se policia është indiferente ndaj personave që hynë me armë në orë të mësimit dhe kërcënojnë jetën e fëmijëve të tyre?!

Zoti mos e dhashtë por nëse nuk ndërhyhet menjëherë nga shteti dhe organet e tij jam i sigurt që në Gostivar mund të ndodhin gjëra të tmerrshme, aspak të mira si për ne që jemi qytetarët e tij por po ashtu edhe për qeverinë. Kërkoj që rasti i qytetit tim të ndiqet nga i gjithë faktori ndërkombëtar, qyteti është në kërcënimin e banditëve. Nuk dua që të dalim në CNN për shkak të masakrave që po orkestron ndonjë Parti në qytetin tim!

Ju siguroj se nëse nuk do merren masa të menjëhershme për të normalizuar situatën duke kthyer sigurinë në shkolla dhe kompetencat e arsimit, zëri ynë do thërrasë për ndihmë në mënyrë publike në të gjithë shtetet aleate të Maqedonisë! Sot, bota për fat të mirë është bërë e vogël dhe jam i sigurt që shumë mediume do të ketë interes t’i tregojë botës se si në një qytet si Gostivari, pjesë e një shteti i cili kërkon anëtarësimin në BE, banditë të armatosur rrahin profesorë dhe kërcënojnë me armë brenda në shkollë!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Loading...