Përtej ankthit ka prehje

Shkruan: Kim Mehmeti
Me përmbledhjen e tij të dytë me tregime ‘Ankth’, Xhevdet Pozhari vetëm e ka rivulosur atë që e dëshmoi me librin e tij të parë me tregime, ‘Engji”: se bëhet fjalë për tregimtarë të lindur, se është një prozator që do e begatojë thesarin tonë letrar. Për tregimet e botuar në librin e tij të parë pata thënë se janë si pasqyrë ku thyhen dritat e përditshmërisë rinore, ku përzihen ngjyrat e jetës, përjetimet, ndjesitë, këndvështrimet…, e që të gjithë së bashku, përbëjnë mozaikun dhe tërësinë e ndërthurur nga një shkrimtar me dhunti të veçantë rrëfyese, nga një krijues me fantazi të bujshme. Dhe nëse te tregimet e përmbledhjes së tij të parë, ‘Engji’ Pozhari ia kishte dalë që në mënyrë mjeshtërore të shpërfaqë gjendjen shpirtërore të rinisë kosovare të pasluftës, të rinisë së Kosovës të shndërruar në ‘gropë’, nga nuk mund të dilet, në përmbledhjen e tij të dytë ‘Ankth’ – siç duhet pritur nga një krijues me dhunti të veçanta rrëfyese – ai e çelë guacën e mbyllur të quajtur Njeri dhe e shpalosë margaritarin në të, margaritar që e ka çdokush nga ne, por që rrallëkush ia del ta kuptojë se ai është bërë nga çastet e pikëlluara, nga trishtimet, nga shpresat e venitura…, si dhe nga ajo pakë lumturi që shërben si shpërblim për dhembjen dhe ankthin që kemi përjetuar.
Në tërësi marrë, proza e Xhevdet Pozharit është më shumë dhembje se sa dritë, ajo është përlot ndjesi, herë – herë e mbuluar nga mjegulla e hutesës si dhe e fundosur në baltën e ankthit. Por edhe si e tillë ajo nuk është ikje nga vetvetja, por përkundrazi, kthim brenda vetvetes dhe asgjë në ato tregime nuk shkon përtej të vërtetës se nëse jetën do e masnim me peshoret e të ëndërruarave dhe të dëshiruarave, atëherë ajo do kishte shenjë njohëse humbjen dhe ngjyrë të veten atë të zymtësisë. Dhe duke qenë e tillë, e që të mos mbytemi në baltën e zymtësisë së saj, atë duhet vlerësuar nëpërmjet shkathtësisë së individit që pa ndalë të ëndërrojë e të dëshirojë, por duke jetuar me ato që ia ofron ajo. Pra këto tregime të shkruar me një gjuhë që rrjedh e pasforcuar, që të duken si bisedë e autorit me vetveten, në të vërtetë janë kumt që përcjellin shumëçka njerëzore dhe që shpërfaqin dallimin mes rrëfimtarëve të lindur, që ia dalin me pakë fjalë të thonë atë që tjerët nuk ia dalin ta shpalosin as nëpërmjet qindra faqeve.

Që nga tregimi i parë i kësaj përmbledhjeje, me titull ‘Braktisja’, e deri te ai i fundit, ‘Vjeshta e fëmijërisë së saj’, pandalë shpërfaqet e vërteta pse tregimi i shkurt është ai që më së miri e shpalosë mjeshtërinë rrëfyese të prozatorit. Pra shpalos të vërtetën se për dallim nga romani, ku nëpërmjet ‘pafundësisë’ së tij, prozatori edhe mund ta mbulojë si mungesën e imagjinatës, po ashtu edhe aftësitë rrëfyese, tregimi është djep i ngushtë edhe për imagjinatën edhe për fjalët. Dhe si i tillë ai nuk të lejon të ‘shtrihesh’ gjatë e gjerë në kohë e hapësirë dhe të përballë me dy mundësi: o t’i dalësh të ndërthurësh klithjet, rënkimet, lotëderdhjet, mallkimet…, dhe shumëçka tjetër që e përbënë thelbin e jetës, o të shpërfaqesh si nënshkrues i dështimit tënd krijues. Pra si të tillë, ato mund t’i kultivojnë autorët që e dinë si duhet përdorur fjalët që të shpalosësh shumëçka edhe përtej asaj që thuhet me to.
Xhevdet Pozhari ka lindur në vitin 1981, vit kur shpërtheu revolta e shqiptarëve të Kosovës kundër dhunuesve serb, vit që shënoi edhe fillimin e periudhës së ankthit që do e jetonin të rinjtë që ende të njomë, ende sa ishin nisur rrugëve të jetës, do e shihnin sa vështirë lind liria, do e përjetonin trishtimin nga vdekja ende pa shijuar asgjë të lezetshme jetësorë. Pra do burrëroheshin duke e jetuar ankthin e pritjes që t’u shpëtojnë krismave që ndjellin vdekjen dhe të vijë dita kur Kosova e lirë do e shpallte pavarësinë e saj. Ankth që do ishte e pamundur të mos bëhej pjesë shpirtërore e kësaj gjenerate, që u rritë dhe u burrërua duke ndërtuar ëndrrën e amshueshme mbarëshqiptare që të bëheshim me dy ‘Shqipëri’. Ankth që pas shpalljes së Kosovës së pavarur, u fundos në baltën e një ankthi tjetër: në atë të rinisë së pashpresë që kishte ëndërruar një Kosovë krejt tjetër, e jo këtë që ishte bërë parajsë për politikanët e ferr për pjesën më të madhe të banorëve të saj.

Por edhe duke e jetuar këtë ankth të gjeneratës së vet, tregimet e Xhevdet Pozharit nuk janë të ngarkuar as me ankesë, as me akuzë, por vetëm me jetëpërshkrim. Ato nuk janë as zmadhim i dhembjes dhe pikëllimit, as glorifikim i dëshpërimit, por ndërthurje e të vërtetës se ankthi nuk është vuajtje për ata që e jetojnë, por për ata që nuk mu të përballen me të. Se ankthi është i papërballueshëm për nipat që kanë harruar paralajmërimin e gjyshes se “… do to vijnë kohë të tmerrshme kur nuk do doni të mbani mend fëmijërinë, stinën më të lezetshme të jetës….”, si dhe për ata që nuk dinë ta përcaktojnë saktë “…kufirin që ndanë botën e të gjallëve nga ajo e të vdekurve, botën e të pasurve nga ajo e të varfërve…”, kufi që i ndanë ngjyrat e jetës, e të cilat, sipas Pozharit, një ditë shkrihen në bojën e zezë, e cila e ‘ndanë zhurmën e të gjallëve, nga heshtja e të vdekurve’.
Tregimet e Xhevdet Pozharit janë të shkurtër, por nga ato që të çojnë të mendosh gjatë e gjerë për jetën. Dhe kjo është më e vlefshmja që bartin ato, e që në të vërtetë edhe i dallon vlerat letrare nga të shkruarit edhe të rrëfyerit ordiner. Dhe të çojnë të mendosh për shumëçka edhe gjatë kohë pasi t’i kesh lexuar sepse ia dalin të shpalosin atë që e thotë autori në tregimin “Mallkimi i gjyshes”: dhembjen për mungesën e stinëve më të vlefshme të jetës – asaj fëmijërore e rinore, si dhe pamundësinë e gjyshes që nipave e mbesave t’ua zbukurojë fëmijërinë me përrallat e veta.
Pjesë e përmbledhjes me tregime ‘Ankth’ është edhe tregimi ‘Largimi’. Mbase ky tregim nuk është as më i realizuar as më i mirë se gjithë të tjerët, përpos që më saktë e përcakton aftësinë e autorit që nëpërmjet një bashkëbisedimi me vetveten të shpalosë të vërtetat e mëdha jetësore, ku bënë pjesë edhe ajo se mbase jeta nuk është asgjë tjetër përpos shumësi takim-ndarjesh të pareshtura, që të gjitha së bashku, i shlyen çasti kur ndahemi nga kjo botë. Në këtë tregim, deri në dhembje është pasqyruar trishtimi që përshkon takimin që do përfundojë me ndarje. Njësoj siç është rrëqethës çasti i ndarjes, kur, siç thotë Pozhari, ”…largësia që na ndanë bëhet e largët njësoj si para se të vish”, kur e kupton se ndarjet vetëm na mundësojnë ta përcaktojmë ‘masën me të cilën matet largësi’, se ato vetëm na plogështojnë aq shumë sa një ditë, ‘duke pritur të më vish, të digjem i tëri, të bëhem hi, e hirin tim ta shpërndajë era, ta shtresojë në xhamin e veturës tënde dhe ti, duke menduar të jetë pluhur i rëndomtë, ta largosh me pastruesen e xhamave, që ta shikosh më mirë rrugën gjersa largohesh nga unë”.
Po pra tregimet e Xhevdet Pozharit shpalosin shumë të vërteta mbi të cilat i mbështesim ëndrrat dhe shpresat jetësore, përfshi edhe të vërtetën se me ‘pluhurin’ e së shkuarës ne i mbulojmë xhamat e dritares nga mund ta shohim vetveten si pritës të epur të çastit kur do bëhemi vetëm shenjë e harresës. Pra, tregimet e Pozharit mbi të gjitha janë rrugëtim i një prozatori të veçantë, që tani më ka vendin e vetë në bibliotekën ton kombëtare dhe tregimet e të cilit do i përballin kohës dhe do mbeten pjesë e thesarit tonë letrar.
KM

Loading...