Përurohet qendra e rinovuar Down Syndrome Kosova

Shoqata Down Syndrome Kosova ka hapur sot hapësirat e rinovuara për ofrimin e shërbimeve terapeutike për fëmijët me sindromën Down, projekt ky i realizuar me ndihmën e Kryesisë së Këshillit turk.

Drejtoresha e Down Syndrome, Sebahate Beqiri, e vlerësoi këtë financim nga ana e Turqisë dhe u shpreh mjaft e kënaqur me projektin e ri.

“Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, ishte kjo thënia me të cilën Beqiri ka shpalosur kënaqësinë që i jep puna e saj me fëmijët e prekur nga kjo sindromë.

I pranishëm në këtë përurim ishte edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i cili tha se janë duke bërë përpjekje maksimale që të bëjnë një përfshirje të të gjithë fëmijëve me nevoja të veçanta sepse ata kanë nevojë për përkushtim.

“Ky mision na bën dyfish përgjegjës që këtyre të rinjve tanë t’iu krijojmë kushte të përshtatshme. Ne kemi obligim që t’ju ofrojmë shërbime”, tha ai.

Pjesë e këtij projekti ishte edhe ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kilic, e cila tha se ky projekt ka një rëndësi të madhe.

“Sot ndjej kënaqësinë e hapjes edhe të një projekti të Kryesisë së Këshillit turk në Kosovë, është projekt mjaft me rëndësi. Kjo nuk është vetëm një punë 8 orëshe por është një punë që kërkon përkushtim. Këtë projekt pranojeni si dhuratë prej popullit të Turqisë”, tha ajo.

Ndërsa, Cem Sinan Barim ka pohuar se Turqia e ka përkrahur Kosovën dhe do ta përkrahë gjithmonë.

“Turqia qe 19 vite është pranë shtetit të Kosovës dhe do të jetë gjithmonë”, tha ai.

Krejt në fund, drejtoresha e kësaj qendre ndau mirënjohje për Kryesinë e Këshillit turk dhe për mbështetësit e kësaj qendre.

Sindroma Down është kusht gjenetik. Trupi i njeriut është i përbërë nga qelizat. Çdo qelizë në trupin e njeriut ka 46 kromozome, 23 kromozome të trashëguar nga njëri prind dhe 23 të tjera të trashëguar nga tjetri prind. Në rastin e sindromës Down, në çiftin e 21-të bashkangjitet një kromozom shtesë si pasojë e një ndarjeje anormale qelizore, dhe si rezultat individi ka 47 kromozome në çdo qelizë ose në një pjesë të qelizave të trupit të tij.

Termi sindromë nënkupton një varg karakteristikash të cilat shfaqen së bashku. Për herë të parë sindroma Down është përshkruar në një punim akademik të dr. Longdon Down, në vitin 1886, për nder të të cilit është emërtuar me po këtë emër.

Sindroma Down nuk është sëmundje, ndaj dhe nuk ofrohet kurë mjekësore për të.

Loading...