“Ne i nevojitemi politikisht njëri-tjetrit. Fqinjët e Turqisë janë fqinjët tanë, dhe problemet e saj, janë problemet tona”
-Javier Solana; ish-sekretar gjeneral i NATO-s-

Muhamed Jashari-Shkup

Kyçja e Turqisë në aleancën e NATO-s erdhi në kohën kur Bashkimi Sovjetik në vazhdimësi kishte pretendime territoriale ndaj disa zonave në pjesën verilindore (Kars, Ardahan) të shtetit turk. Andaj, përmes inkuadrimit në një organizate multilaterale sigurie siç është NATO-ja, Turqia bënte të mundur evitimin e çdo lloj rreziku nga kërcënimet e jashtme. Kësisoj në periudhën e ardhshme Turqia, ngjizi sigurinë e saj nacionale me sigurinë e aleancës së NATO-s.
Faktor teje i rëndësishëm që ndihmoi anëtarësimin e Turqisë në aleancën veriatlantike, ishte pikërisht interesimi dhe rëndësia që ShBA-ja i kushtoi pozicionit gjeopolitik dhe kapacitetin ushtarak të Turqisë! Që në fillim të anëtarësimit Turqia u pa si një ekuilibrues i mundshëm i sovjetikëve në rajon. Për Zbignew Brzezinskin, ajo stabilizon rajonin e Detit të zi, balancon Rusinë dhe njëherit shërben si një spirancë jugore e NATO-s.
Mund të thuhet se integrimi i Turqisë në NATO solli me vete 3 transformime; fillimisht Turqia përmes NATO-s, institucionalizoi sigurinë me atë të Perëndimit; së dyti, elita politike turke në NATO shihte weternizimin/perëndizimin e vendit, dhe vendosjen e një identitetit të ri shtetëror, tanimë si pjesë integrale e Perëndimit dhe institucioneve të saj; dhe përfundimisht nëpërmjet aleancës së NATO-s, Turqia institucionalizoi marrëdhëniet e saj me ShBA-në. /Yılmaz, Şuhnaz.
Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe dalja në pah e një realiteti ndërkombëtar të pasigurt, si dhe involvimi i anëtareve të rinj në NATO nga ish-blloku lindor, testoi rëndësinë strategjike të Turqisë në marrëdhëniet e saj me botën perëndimore.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, aleanca e NATO-s, vuri në lëvizje, madje për herë të parë që nga themelimi i saj, aktin e mbrojtjes kolektive kundër kërcënimit të jashtëm –neni 5 i traktatit-, dhe si rrjedhojë e këtij mjedisi të sigurisë çoi në angazhimin e NATO-s, përtej zonës euro-atlantike. Më këtë rast gjithnjë e më tepër rëndësia dhe pesha e Turqisë rritej, duke pasur parasysh pozitën e saj gjeografike dhe kulturore, në misionet “out of area” të aleancës së NATO-s.
Shembull për këtë mund të përmendet fakti që Turqia ka lehtësuar përfshirjen e Evropës në Afganistan, madje duke udhëhequr me komandën e Forcës Ndërkombëtare për Asistencë të Sigurisë -ISAF. Vlen të potencohet se Turqia, që në fillim të stacionimit të trupave të NATO-s në Kosovë, ka qenë një ndër kontribuuesit kryesorë në operacionet e KFOR-it, gjithashtu, vazhdimisht ofroi donacione ashtu edhe siç pohon ish- Ministri i Mbrojtjes së Turqisë Vecdi Gönül, në ngritjen dhe përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Edhe në partneritetet e aleancës me vendet të tjera siç është, Dialogu i Mediteranit, -një iniciativë e NATO-s që synonte vendosjen e bashkëpunimit në sferën e sigurisë me vendet e Mesdheut- dhe Iniciativa Bashkëpunuese e Stambollit -ICI, roli dhe kontributi i Turqisë u tregua si i pashmangshëm. Sot, Turqia konsiderohet një ndër 5 vendet më aktive në operacionet e NATO-s, dhe kontribuuesi i tetë më i madh në aleancën veri atlantike.
Ndërsa Turqia, mban qëndrim të ngjashëm më atë të NATO-s kur është në pyetje integriteti territorial i Ukrainës dhe çështja e Krimesë, ajo (lexo: Turqia) po ashtu mbështet zgjerimin e aleancës së NATO-s , dhe anëtarësimin e Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të Gjeorgjisë në aleancë, – /shefi i diplomacisë turke Mevlüt Çavuşoğlu, prill 2018. Jens Stoltenberg gjatë vizitës së fundit në Ankara pohoi se “..Turqia luan rol kyç në aleancë, në operacionet e NATO-s, dhe luftën kundër Daeshit”.
Në bazë të raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (Raporti No: 250; Evropë&Azi Qendrore) të publikuar në qershor të këtij viti thuhet që; “Turqia ka inkurajuar NATO-n që të vendoset në Detin e Zi, kësisoj duke ndryshuar politikën e vjetër e cila kërkonte të mbaj aleancën jashtë.”
Në muajin maj (2018) armata turke iu bashkua grupit të shteteve të NATO-s si, Romania, Bullgaria, Britania e Madhe, Greqia, Spanja dhe ShBA-të, në stërvitjet ushtarake vjetore detare-Mburoja e Detit- pikërisht në Detin e Zi.
Këto të dhëna s’do mend se janë një tregues i qartë që pavarësisht raporteve të Turqisë me aktorët tjerë rajonal e global, angazhimi dhe kontributi i saj në NATO në asnjë rast nuk vihet në pikëpyetje!

Përafrimi i raporteve më Rusinë nuk nënkupton largim nga NATO-ja
Lufta siriane ka prekur Turqinë më shumë se cilindo vend tjetër të aleancës së NATO-s. Sulmet e herëpashershme të grupeve terroriste të cilët operojnë në veriun e Sirisë në të njëjtën kohë përbëjnë sulme kundër territorit të NATO-s, me ç’rast Turqia detyrohet që të thërras takim me anëtarët e NATO-s duke u bazuar në nenin 4 të traktatit.
Kriza siriane u shndërrua në një nyje të raporteve të Turqisë me aleancën, ndërsa tensionimi i raporteve me ShBA-të, erdhi si rezultat i mbështetjes së kësaj të fundit, ndaj disa formacioneve ushtarake (YPG-në, PYD) që për Turqinë konsiderohen terroriste.
Marrë parasysh tërheqjen e sistemit të mbrojtjes raketore Patriot, e cila qe dislokuar në Turqi në vitin 2012 me qëllim që të mbrojë Turqinë nga sulmet që vinin nga territori sirian, si dhe refuzimi i vendeve anëtare të NATO-s (ShBA-së, Gjermanisë dhe Holandës) për të rinovuar dislokimin, dhe si rrjedhojë e sulmeve të ndryshme terroriste ndaj vendbanimeve jugore të Turqisë, Turqia nënshkroi marrëveshjen me Rusinë për blerjen e sistemit raketor rus S-400.
Vendimmarrësit turq, mendojnë se arkitektura e mbrojtjes raketore e NATO-s, nuk i plotëson nevojat e sigurisë për Turqinë ndërsa sipas tyre aleanca nuk i kupton kërcënimet me të cilët përballet Turqia. /Gönül Tol, Nilsu Goren.
Në fakt shqetësimi kryesor i NATO-s është mbi atë se si do të mund të inkorporohet sistemi raketor rus me atë të NATO-s (James Mattis) dhe mos vallë Turqia do të duhej që të shpërndan informacione me Rusinë!? Deklaratë të ngjashme kishte edhe sekretari gjeneral gjatë një interviste, duke pohuar se, “Është vendim kombëtar i зdo anлtari pлrfshirл edhe Turqinл se nл зfarл kapaciteti ushtarak duan tл investojnл… Integrimi i njл sistemi tл tillл do tл ishte i vлshtirл.”
Marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë vijnë në një periudhë kur rusët janë aktorët kyç në skenarin sirian, ndërsa zhvillimin e politikave të saja qoftë të sigurisë qoftë aspektit humanitar kundrejt Sirisë, Turqia thuajse ka të pamundur t’i realizon pa faktorin rus. Megjithatë, edhe përskaj bashkëpunimit turko-rus, Turqia mbështeti bombardimet e ShBA-së, Francës dhe Britanisë mbi caqet e regjimit në prill të këtij viti. Madje, për disa studiues dhe njohës të politikës turke kundrejt Lindjes së Mesme, raportet e Turqisë me Rusinë, nuk janë të vendosura mbi baza strategjike por taktike./Aljezeera, kjo pasi që ata kanë qëndrime inkompatibile kur është në pyetje regjimi i Asadit.
Askush nuk mund që të mohon faktin që marrëdhëniet e Turqisë me vendet perëndimore janë të tensionuara, mirëpo tensionimi i raporteve të tyre, konsideroj që nuk është deri në atë nivel saqë Turqia të braktis aleatët perëndimor dhe angazhimin në strukturat e NATO-s.
Turqia konsiderohet shtylla kryesore e krahut jugor të NATO-s dhe mbështetës i natyrshëm i zgjerimit të saj (aleancës) në Evropën Juglindore. Nga roli aktiv i Turqisë në NATO, dhe kontributi i saj në Ballkan sëbashku me ShBA-të dhe vendet tjera aleate në vendosjen e paqes dhe sigurisë, duket se përfitues më të mëdhenj janë shqiptarët.
Turqia dhe NATO kanë nevojë për njëra tjetrën, në rajone të ndryshme të Evropës por edhe më gjerë ata kanë qëndrime identike. Në të njëjtën kohë kjo nënkupton që të dyja palët qoftë nga lidershipi i vendeve të ndryshme të NATO-s, por qoftë edhe nga zyrtarët turq, të mënjanohen tonet kundërshtuese me qëllim që të rindërtohet imazhi i tyre (NATO-s dhe Turqisë) para qytetarëve respektivisht atyre turq dhe perëndimor.

Loading...