Xhevdet Hajredini

Asnjëherë gjatë 8 viteve, sa është në koalicion qeveritar me Nikolla Gruevskin, dhe në mënyrë perfide e ndihmoi zgjedhjen e Gjorgji Ivanovit për kryetar të shtetit, duke u shtirë se “nuk e njeh”, “lideri i shqiptarëve të Maqedonisë”, as me dy fjalë nuk u distancua nga Nikolla Gruevski. Nuk u distancua nga politika e tyre e jashtme pro-ruse dhe anti-perëndimore.

Heshti, dhe dy fjalë nuk i thoshte që të distancohet “lideri i shqiptarëve të Maqedonisë”, edhe kur Gruevski, si kryeministër i Maqedonisë, edhe në emër të Qeverisë së Maqedonisë, anëtare të së cilës ishin edhe përfaqësuesit e BDI-së, në mënyrë të vrazhdët i fyente edhe në kabinetin e tij nuk i pranonte ambasadorët e shteteve të BE-së dhe SHBA-ve. Bëhej i shurdhër edhe kur ambasadori i BE-së Ervan Fuere, ia shtronte pyetjen se: “Çka ke bërë ti gjatë gjithë kësaj kohe”?. Pyetjen e drejtonte në kontekst të përpjekjeve dhe angazhimin e partisë së tij për integrim euroatlantik.

Dolën të lavdërohen funksionarët e BDI-së se i kanë detyruar Zaevin dhe Ciprasin të merren vesh edhe për variantin shqip të emrit të Maqedonisë, kur dihet se një gjë të tillë prej tyre askush s’e kërkonte. Me këtë propozim, përndryshe, u bënë të njohur edhe në fushën e leksikografisë shqiptare. Shkuan deri atje sa që e detyruan edhe Metju Nimicin, detajisht ashtu që ai nuk e kishte zakon, t’i inrformojë se në lidhje me marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë, të gjitha çështjet kryesore janë zgjidhur dhe se kanë ngelur edhe disa tjera, të cilat brenda një jave do të zgjidhen. I njëjti funksionar e shfrytëzoi rastin e qëndrimit në SHBA, në ‘Mëngjesin e Lutjeve’, t’i bëjë thirrje nënkryetërit të SHBA-ve Majk Pens, që sa më shpejt ta vizitojë Maqedoninë. Për pak me të edhe do të takohej, por rastësisht ai nuk gjet në zyrë.

Tepër të angazhuar në përpjekjet e vendosura dhe të palodhura për marrëveshjen përfundimtare mes Maqedonisë dhe Greqisë, me mbështetjen maksimale edhe të Ilir Metës, si dhe për integrimet euroatlantike të Maqedonisë, “lideri” dhe zëdhënësi i tij, nuk kanë patur kohë as ta mësojnë se kush, kur dhe ku, do t’i vendos në Shkup bustat e veprimtarëve shqiptarë, prandaj zëdhënësi gabmisht bëri selfi pranë bustit të Shatorov Sharllos, duke shpresuar se Gruevski në pikë të natës, ashtu sic bënte me “Qoset” e veta, e ka vendosur edhe bustin e Nexhat Agollit.

Nuk pati guximin BDI-ja, që të mos e hidhërojë Nikolla Gruevskin, në mënyrë solemne, ashtu sic është zakon kudo dhe përherë, t’i zbulojë busetet e Pjetër Bogradnit, Josip Bagerit dhe Nexhat Agollit, dhe ne atë rast të flitej për jetën dhe veprën e tyre.

Për të ditur dicka më tepër për këta veprimtarë, veçanarisht patën nevojë shqiptarët e Maqedonisë për shkaqe të njohura, kur dihet se jo vetëm në të kaluarën por edhe sot e kësaj dite, shumëpak ose aspak nuk mësohet historia e popullit shqiptar.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, kur është fjala vetëm për një njeri, është e mundur të zbatohet edhe me një përkthyes. I tillë është rasti i kryetarit të BDI-së. Ai vetë prej se është paraqitur në skenën publike, e shfrytëzoi pozitën e kryetarit të partisë, me ose pa kompenzim, ka siguruar përkthyes nga shqipja në maqedonisht. Por sa shqiptarë në Maqedoni kanë mundësi dhe kushte materiale ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, s’mund të imagjinohet. Nuk duhet të kemi iluzione se kusht për përdorimin zyrtare të të dy gjuhëve në shtet unitar është që shumica e qytetarëve të shtetit duhet t’i dinë të dy gjuhët. Gjendja bëhet edhe më e komplikuar, kur dihet se maqedonasit përvec në disa raste të rralla, nuk janë të detyruar përvec maqedonishtes, ta dinë edhe një gjuhë tjetër.

Lehtë mund të supozohet se sa kohë duhet të kalojnë derisa në Maqedoni shumica e qytetarëve t’i mësojnë të dy gjuhët dhe të zbatohet ligji i cili për shkaqe të njohura, assesi të hyjë në fuqi.

Duhet theksuar se edhe nxjerrja e këtij ligji, kështu siç është, është meritë e atyre shqiptarëve të cilët me votën e tyre në zgjedhjet e fundit parlamentare e bënë të mundur fitoren e partisë së Zoran Zaevit.

Po ta prisnim “jetësimin e idealeve” të BDI-së, të proklamuar në Kongresin e tyre në fund të vitit 2009, nuk dihet edhe sa kohë s’do kishim as ligj për dygjuhësinë, as kryetar kuvendi shqiptar, më pak ndoshta edhe 16 vjetët e ardhshme.

Në fund, duhet shtuar se përdorimi i dygjuhësisë (me gojë edhe me shkrim) në komunikimin zyrtar ndërmjet qytetarëve dhe personave juridikë, do të pres derisa që një pjesë jo e vogël e shqiptarëve të Maqedonisë, do të mësohen “dërzhavës” t’i thonë shtet.

 

Loading...