Prof. Nedime Rrahimi

(Recension me rastin e botimit të librit me poezi ,,Hija e trëndafiltë”)

Poeti Ismail Bilalli po paraqitet para lexuesve me përmbledhjen e tretë me poezi të titulluar ,,Hija e trëndafiltë” e cila është ndërtuar në tri shtylla kryesore, në atë estetike, filozofike dhe intelektuale. Ismail Bilalli është një poet origjinal i cili nuk ndjek modelin e poezisë tradicionale të krijuar këtu ndër ne. Dëshiron dhe këmbëngul që plotësisht të jetë vetvetja. Sikur bartë në vete ndjenjën e një pavarësie të bukur, pavarësi nga të gjitha rregullat mbi të cilat mbështeten aq shumë paragjykime në lidhje me artin dhe bukurinë. Nuk e parapëlqen poezinë në të cilën hyhet e dilet lehtë, pa bërë përpjekje të mundimshme intelektuale e filozofike dhe pa një përkushtim serioz edhe në aspektin filozofiko-estetik për të hyrë në kuptimin e vargut dhe të poezisë. Vargu i poezisë së Ismail Bilallit është një varg stabil, kumbon bukur, ka ritëm dhe është i mbushur plot (me materie filozofike, intelektuale dhe estetike), varg i cili përcjell më shumë se një mesazh. Ismail Bilalli është poet bashkëkohor, thellësisht modern. Vargu dhe poezia e tij përcjell mesazhin e mirëkuptimit, optimizmit dhe bukurisë, përmes gjërave universale siç janë qielli, dielli, mali, eshtrat, varret, mëngjeset, dhembja, fjalët, hapësira, koha, dashuria, tradhtia, zjarri, shpirti, pikëllimi, gjelbërimi, ëndrra, kënga, buka, fëmija, loti, bukuria, dritaret, vdekja. Këto janë fati ynë i mirë dhe fati ynë i lig që na rri mbi kokë ditë e natë dhe na përcjellin në ecjen tonë. Por koha në të cilën jetojmë sipas poetit ka dalë jashtë kontrollit, sepse hapësira ka dalë jashtë kohës dhe koha ka dalë jashtë hapësirës, ku në çdo çast ndeshesh me fytyrën e marrëzive dhe ku çdokush, çdokënd e akuzon për tradhti. Poeti Ismail Bilalli në poezinë e tij e trajton edhe shijen për art, shije e cila është prishur dhe me të drejtë thotë ,,Shijet po i puth e keqja në ballë dhe ditët e lodhura janë radhitur, si një kortezh mortor, për të shkuar një nga një, e njëra pas tjetrës, për të shkuar atje, prej ku nuk mund të kthehesh më. Për kafshimet që e kanë sulmuar shijen poeti do të shprehej ,,Koha është futur në barkun e vetvetes dhe mban gojën mbyllur”. Poeti nuk lë pa e prekur edhe temën e vendlindjes, është kjo një prekje e dhimbshme dhe shprehet se ,,Delet kullosin livadhet e pikëllimit, Mollat verore ngjyrën e heshtjes kafshojnë”. Ismail Bilalli në poezinë e tij trajton problemet e njeriut modern i cili në të njëjtën kohë është i gjithdijshëm, por është edhe i izoluar dhe i rrezikuar nga teknologjia dhe jeton nën peshën e rëndë të një mbingarkese informatash që e nxjerrin nga vallja, megjithatë, poeti thotë ,,ëndrrat le të derdhen nëpër lule dhe të kenë një cope tokë, për të ndërtuar një varr ku e meritojnë të pushojnë në amshim”. Përkundër një doze të theksuar të pesimizmit që e hasim te disa poezi, poeti nuk e lë anash mbjelljen e yjeve në ngjyrën e qershisë, sepse jeta nuk është lot dielli, as helm në katror e as mëkat udhëtar. Poeti e qorton edhe qiellin që mban në burg të përjetshëm zogjtë, të cilët do të mbillnin bukuri në tokë dhe në qiell. Për poetin, njeriu i sotëm ecën brigjeve të vetmisë, dëshiron t’i hajë pemët e mençurisë dhe përsëri të kthehet nëse mundet e të ndërtojë shtëpi në dashuri. Kur poeti flet me stinët, sikur për pranverën kërkon më shumë qiell dhe gjelbërimi t’i bjerë daulles. Ismail Bilalli shpesh u kthehet edhe ëndrrave të cilat i nxjerr nga fjalët e djegura dhe që ende mbajnë të veshura këmishat e furtunave. Autori i përmbledhjes së poezive ,,Hija e trëndafiltë” këngën e vesh me rroba dasme, këngën e bën nuse, dhe sikur martohet me të, ku në një pranverë të gëzuar e me diell, qumështi, këngën e tij të bardhë e këndon. Edhe heshtja me fytyrën e saj të zbehtë, nuk harron të trokasë në dyert e Hijes së trëndafiltë ku ora, kohën e vdekur mat, ku shpirti i gurit ka zjarmi, zjarmi që e hamë dhe e pimë të gjithë ne (edhe unë dhe ti). Ismail Bilalli ndjen dhembje për kohën që po shkon në pakthim dhe shprehet ,, Po e ha dhembjen dhe qiellin tim të mbyllur në flokun e bardhë të stinës së dimrit. Poeti e ruan me shumë respekt një këshillë të nënës së tij në poezinë ,,Ora e ligë” këshillë e cila na e bën me dije se secili prej nesh e ka një orë të ligë që e bart me vete ose na ndjek pas, është orë e ligë e cila mund ta prish diellin, stinët t’i nxinë e me helm ta lyen shtëpinë. Në poezinë e poetit në fjalë ndërgjegja e njerëzimit shtron reliefin e saj të egër në Bllacë (1999), ku njerëzit (e Kosovës) ikin nga vdekja për të shkuar në vdekje. Por ata kanë një ëndërr edhe pse e përgjakur, ata aty ruajnë pak diell dhe me atë diell ushqejnë katër shkronja që formojnë fjalën LIRI. Poezia e Ismail Bilallit ka një varg të lirë e stabil e cila nuk iu bindet rregullave torturuese të metrikës, rregullave të pikësimit dhe strofave. Është poezi e shkruar në kolonë. Përdor një gjuhë të pasur e të figurshme me një liri të plotë, ku mund të kalojë nga njëra figurë tek tjetra pa pasur drojë se do të bëhet i pakapshëm. Figuracioni poetik i këtij poeti është personal, simbolet ndonjëherë janë fare të reja dhe personale, kështu që lexuesit i mbetet të krijojë kuptime duke u përpjekur të depërtojë në atë botë të errët e të dendur kuptimesh personale. Edhe pse ecën nëpër një terren të vështirë filozofiko-intelektual e estetik vargu i poezisë së tij, përsëri e ruan stabilitetin, varg i cili është mjaft interesant dhe do të tërheq vemendjen e lexuesit dhe të kritikës. Poezia për poetin Ismail Bilalli është një provokim që me këtë rast vlen të përmendet thënia e A. Hauserit se ,,Veprat e artit janë një formë provokimi. Ne nuk i shpjegojmë por matemi me to. Interpretojmë sipas qëllimeve e dëshirave tona, u japim atyre një sens, origjina e të cilit ndodhet në format tona të jetesës e në mënyrat tona të të menduarit. Veprat e artit janë lartësi të paarritshme. Ne nuk i mësyejmë përballë, por që t’i zotërojmë më mirë u sillemi rrotull. Çdo brez i shikon nga një pozicion i ndryshëm dhe i vëren me sy të rinj edhe pse nuk është e thënë se pikëvështrimi i tij është më i përshtatshmi. Çdo aspekt i veprës ka orën e vet… Madje është vetëm grumbullim i interpretimeve që jep sensin e plotë të një vepre arti për brezin që vjen”. (A. Hauser)

Loading...