Kulturë

Poetja nga Maqedonia: Çdo ditë e këndoja këngën “Enver Hoxha, tungjatjeta”! Por…

img_0021_2008

Intervistë  me shkrimtaren Puntorie Muça-Ziba në gazetën Telegraf,realizuar nga Gazetari Albert Zholi.

 

– Si njiheshit me letërsinë shqiptare në regjimin e Titos?

 

– Unë i takoj brezit që letërsinë shqipe e mësonte të reduktuar  ose të servuar e të kontrolluar nga konjukturat e atëhershme që ishin në shërbim të sistemit të Titos. Në librat e shkollave fillore të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Maqedoni në arsimin fillor dhe atë të mesëm, shkrimtarët shqiptarë i mësonim më pak se shkrimtarët e ish republikave jugosllave. Shpesh ndodhte të mpihesha e të mbetesha pa vullnet, ngaqë e doja shumë letërsinë shqipe por isha e detyruar ta mësoja edhe ndonjërin prej shkrimtarëve që shqiptarëve ju vuri nga një bisht. Dua t’u rrëfej se në ato libra kishte më shumë krijues serb, maqedonas, kroat e slloven se sa shqiptarë. Ndodhte që ndonjëri nga mësimdhënësit e guximshëm ta zgjaste ligjërimin kur vinte radha që të mësonim ndonjërin nga shkrimtarët tanë. Edhe ne bënim përpjekje mbinjerëzore që të gjejmë ndonjë roman të Kadaresë, Petro Markos, Jakov Xoxës etj. Librat filluan të futen në Maqedoni pas vitit 1975 kur u formuan institucione të larta arsimore në Prishtinë.  Shumë student nga Maqedonia filluan të studiojnë atje, ngaqë kuotat për të drejtën e shkollimit të lart të shqiptarëve ishin minimale dhe formale. Në kohën e Titos kishte vetëm një Akademi Pedagogjike prej ku dilnin vetëm mësues.  Ajo kohë filloi ta mban ndezur zjarrin e dashurisë ndaj letërsisë shqiptare. Dashuria ime ndaj krijuesve shqiptar kaloi në mitizimin e tyre dhe shenjtërimin shpirtëror të qyteteve ku ata kishin lindur. Dëshira  për të parë një shtet tjetër, ndizet më shumë kur atë vend nuk ta prekin sytë.  Nga politika e asaj kohe të tmerrshme dhe nga getoizimi i shtetit shqiptar ne nuk e shihnim me sy as Shkodrën e shumë poetëve, as Pogradecin e Lasgushit. Shpesh mendoja se ata burra të pendës kanë pikuar nga qielli dhe janë zotrat e shqiptarëve. Gjithçka kalonte në misticizëm, derisa një ditë u rrita dhe e kuptova se politika e çoroditur sllavo-komuniste vuri murin mes shqiptarëve dhe shqiptarëve.

Pasi mbarova Akademinë Pedagogjike dega gjuhë dhe letërsi shqipe unë u punësova si mësuese letërsie në një shkollë fillore tri gjuhëshe në Shkup,  ku mësimin e ndiqnin nxënës maqedon, turq dhe shqiptarë. Nga biblioteka e asaj shkolle gjatë viteve ’81, pas demonstratave në Kosovë, shumica e librave u morën dhe nuk u gjetën kurrë, as gjatë viteve të demokracisë. Në bibliotekë ishte e punësuar një grua maqedone, bashkëshorte e një polici për shkak se gjuha shqipe ishte e ndaluar në jetën publike dhe në administratë. Nga ato pak libra që i kishim në bibliotekën e shkollës “ Jane Sandanski” u zhdukën apo u dogjën librat e Kadaresë, disa përmbledhje të Agollit, “Toka jonë” nga Kolë Jakova dhe si për çudi edhe “Lulja e kujtimit” nga Foqion Postoli për të cilën vepër u dëgjua më vonë se një spiun shqiptar diku në libër e kishte “zbuluar” fjalinë se gjoja personazhin e këtij libri me emrin Dhimitër e kishin shpëtuar nga ujqit disa bullgarë. Kuptohet se motivi për ta “zhdukur” këtë roman paskësh qenë shkrimtari që maqedonasit i ka quajtur bullgarë. Mbetën vetëm disa lektyra shkollore nga autor kosovarë dhe tek-tuk ndonjë shkrimtar nga Maqedonia. Nxënësit e mi ishin të detyruar të lexojnë lektyra nga letërsia botërore dhe nga ajo serbo-sllave me qëllim që të edukohen larg frymës nacionale, larg kulturës dhe historisë tonë.

Dua të shtoj se artdashësit letrar e lexonin letërsinë botërore në gjuhën serbo-kroate ose në gjuhën maqedone. Për përkthimin e veprave të huaja (përveç atyre serbo-sllave) në gjuhën shqipe as që diskutohej.

 

– A e ndiqnit televizionin shqiptar dhe si e ndiqnit, a kishit ndalesa?

– Ajo periudhë fantazmogorike krijoi një paradoks në trungun shqiptar. Derisa ne e idealizonim nacionalen dhe vuanim për identitetin tonë, vëllezërit tanë nën sundimin e kultit tiranik, komunistit Enver Hoxha, hiqnin të zinjtë e ullirit për kafshatën e bukës. Mendoj se në çastin kur ajo që të përket, të imponohet dhunshëm më shumë se sa nevojat e përditshmërisë së jetës njerëzore, vjen koha e të pështiret. Dua të them se derisa ne të nëpërkëmburit jashtë kufirit e idealizonim një Shqipëri të cilën mbase edhe e kishim zili, ngaqë kishim ndërtuar një imazh të rrejshëm për të, një vend që ne e imagjinonim si një kopsht me portokaj, si një parajsë ku vëllezërit tanë frymonin shqip, realiteti kishte qenë krejtësisht ndryshe. Imazhin e bukur për Shqipërinë e lirë e ndërtuam përmes përgënjeshtrimeve të radios dhe televizionit që e dëgjonim dhe e shikonim me dyer e dritare të mbyllura nga frika se mëngjesi mund të na gdhinte në burgjet serbo-sllave, në Goli Otok, në Idrizovë ku shumica e shqiptarëve nga Maqedonia burgoseshin për një fjalë goje dhe nga burgjet dilnin o të gjymtë, o nuk dilnin fare. Mirëpo për shkak se unë jam me origjinë nga Struga edhe pas shumë “pengesave” të qëllimshme që i krijonte pushteti, zëri i radio Tiranës më vinte i kthjellët, i ëmbël dhe përgëdhelës, kurse për të shikuar një film shqiptar, apo për të përcjellur ndonjë eveniment kulturor na duheshin shumë legena të aluminit që ta shihnim TVSH-në. E shihnim me plot ankth, me atë zhurmën vrastare që na hante mushkëritë.

 

– Cilët ishin shkrimtarët shqiptarë të preferuar nga ju ?

 

  • Dashuria e fortë për letërsisë shqipe nuk më dhuronte një lejim shpirtëror që unë të ndërtoj kritere dhe të krijoj një hierarki letrare në mendjen time. Nga krijuesit shqiptar nuk i adhuroja vetëm ata që nuk arrita t’i njoh gjatë komunizmit. E lexoja Spasen, Xoxen, Gjergj Zhejin, Agollin, Vedat Kokonën, Petro Markon, Kadarenë, Lasgushin, Fan Nolin, Fishtën, Floqin etj. Mbase mund t’ju duket e pabesueshme, por poezitë e rilindasve dhe disa të shkrimtarëve bashkëkohor, gati të gjitha i dija përmendësh dhe gjatë punës time si mësimdhënëse (i kam dëshmi nxënësit) poezitë: Anës së lumejve, Poemi kosovar, Vaje, Sulltani, Ikja e Mojsi Golemit, O moj Shqypni, Gjuha shqype, Rend or Marathonomak etj. asnjëherë nuk kishte nevoj t’i lexoja sepse i dija dhe akoma i di përmendësh. Rectimi im artistik me shumë finesa dhe me shumë sens i bënte nxënësit që ta dashurojnë gjuhën tonë të bukur. Nga bangat e shkollës ku punoja dilnin aradha nxënësish krenar, me një nacionale shumë të kultivuar.

 

 – Kur e keni botuar poezinë e parë dhe ku e botuat? 

 

– Në klasën e shtatë fillore, në një hartim shkollor me temë “ Bisedë me manushaqen nën kaçubë”, arsimtari i lëndës  më notoi me notën më të lartë. Në orën e korigjimit të hartimit, përmblodha veten dhe i tregova mësuesit para shokëve dhe shoqeve të klasës se shkruaja poezi. Ai më shikoi i mahnitur. E skuqur në fytyrë nga frika se ndonjëri nga nxënësit edhe mund të mekej së qeshuri, ia zgjata dorën dhe ia dhash fletoren e mbushur me vargje. Mendimet e thella dhe figuracioni i pasur i poezisë sime e frymëzoi mësuesin të më jep përkrahje morale dhe stimul. Kështu që poezinë time të parë me titull “Dëshmorëve” e botova në rubrikën “Poetët e rinj” në gazetën e asaj kohe “ Flaka e vëllazërimit”. Pas botimit të poezisë mua vërtet mu dha flaka, sepse u futa në dilema të mëdha për vlerat e mia letrare. Magjia e të shkruarit më rrëmbeu qysh në moshën e adoleshencës. Sapo filloi rruga ime krijuese i dha një kuptim hyjnor fenomenit më misterioz të të qenurit njeri: jetës, dashurisë dhe vdekjes. Vetëdija ime filloi të trazohet nga fataliteti kombëtar dhe nga fenomene të shumta. Atëherë në gazeta, revista dhe në edicionet e botimeve pranë gazetave Rilindja që botohej në Prishtinë dhe Flaka në Shkup, kishte kritere. Pas një kohe të shkurtër në rubrikën e kulturës së revistës Kosovarja që ishte nën përkujdesjen e shkrimtarit Esad Mekuli, kur botova poezitë: Këngë fqinje, Kthimi, Te kepi i mirë, kujtoja se në mënyrë të ngadalshme fillova të futem në fushën e letërsisë edhe pse plot dhjetë vite nuk dëshiroja të botoj libër.

 

– A mund të shkruanit poezi me karakter patriotik? 

 

– Ishin kohëra të frikshme, prandaj shpesh ndodhte që të futem në labirintet e hermetizmit, sidomos kur shkruaja poezi me motiv patriotik. Këtë lloj motivi e stolisja dhe e mbushja me shumë figura të guximshme. Kam lexuar diku se kritika e quajti hermetike poezinë që krijohej jashta kufijve të Shqipërisë. Unë e shkruaja poezinë dhe e shpërndaja tek lexuesit e mirëfilltë. Fundja nuk ndjeja borxh ta eksplicitoja atë që e shkruaja, pasi poezia është fisnike, aristokrate dhe atë e lexojnë një grusht njerëzish me shpirt aristokrat. Edhe atëherë kur kishte censurë dhe kontrollohej çdo shkronjë, kjo lloj poezie nuk të fuste në hendek pasi që brenda saj gëlojnë tufa imazhesh. Në këtë lloj poezie Puntoria e fuste elegancën, brilianten që e kishte burimin tek toka dhe qielli, tek dashuria, lindja dhe vdekja. Këtë gjini letrare vazhdoj ta shkruaj herë pas here edhe sot e kësaj dite sepse më duket hyjnore. Kur e shkruaj këtë lloj poezie, e di që mbylli idenë, thesarin e traditës, konceptet dhe mesazhin me derën e Sezamit poetik dhe në çastin kur e hedh në livadhin e lexuesve e di që atë derë mund ta hap vetëm ai që mbart në tru çelësin magjik, domethënë njeriu me një kulturë të gjërë leximi.

 

– A ka pasur reagime ndaj krijimtarisë tuaj?

– Nga e ashtuquajtura polici letrare, fal kujdesit tim, nuk kam pasur reagime. Por gjithmonë është mirë të ketë reagime ndaj asaj që e krijon poeti. Po kaloi në heshtje ajo që krijohet, mund të themi se “ad hoc” ka lindur dhe ka vdekur. Për poezinë time kanë shkruar shumë kritik letrar. Asnjëri prej tyre nuk glorifikonte dhe nuk më bënte elozhe. Gjithçka që shkruhej përputhej me vlerat artistike të poezisë dhe prozës që e krijoja. Për librat e mi ka shkruar Ramadan Musliu, Ahmet Selmani, Fatmir Terziu, Luljeta LLeshanaku, Violeta Allmuça dhe shumë kritik tjerë letrar. Për t’i hequr qafe dilemat rreth vlerave artistike të asaj që ia ofroja lexuesit e për t’u rehatuar shpirtërisht, vendosa ta përkthej në gjuhën maqedone librin me poezi që titullohej “Suita ime”. Në këtë përmbledhje poetike figurë qendrore e kisha femrën shqiptare që jeton në një mentalitet i cili dallohet nga ai i Shqipërisë dhe Kosovës. Për këtë libër shkruajti kritiku i njohur maqedonas Todor Micev. Pa modesti mund të  them se kritika maqedone dhe poetja e tyre e madhe Svetlana Hristova – Jociq më konsideronin si poete të ngjitur majave të poezisë që krijohej në Maqedoni. Përndryshe nuk kam shpëtuar pa tortura psikike nga disa smirak letrar e kalemxhinj shqiptar që përpiqeshin të më rrënojnë, të më copëzojnë e t’i vënë kurthe punës sime. Në faqet e gazetës “Flaka e vëllazërimit” shkruajtën edhe letra anonime. Pas kësaj plasi sherri mes shoqatës së grave që më doli në mbrojtje dhe anonimusëve të letrave. Ishte një katastrofë shpirtërore. Vrazhdësia e tyre mbetet e pafalshme. Mbase ishte mjerim dhe fatkeqësi për ata që morën guximin që ta bëjnë publike mendjen e tyre primitive. Ndonjëri nga ata që punonte në atë institucion i shikonte femrat krijuese si në kohën e mesjetës, kur ato më të guximshmet i ndrynin me çelës. Disa vajzushe të talentuara vetëm njëherë trokitën në ato dyer dhe nga frika prej monstrave komuniste e harruan edhe poezinë.

 

– Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri, si e menduat dhe si e gjetët?

 

– Shtetin shqiptar për herë të parë e kam shkelur pas vitit 1993. Nuk e mbaj mend mirë datën, por e di që disa poet nga Maqedonia dhe Kosova na ftuan në një  eveniment letrar kushtuar Mitrush Kutelit dhe Lasgush Poradecit në Pogradec. Porsa kalova kufirin në Qafë Thanë ktheja kokën majtas-djathtas, shihja njerëz me fytyra të mpira si në kohën e Migjenit, fshatra e qytete me një arkitekturë të çuditshme e të arnuar. Thua se atë vend e kishte mallkuar Perëndia. Mbeta e mahnitur dhe e frikësuar deri në asht. Imazhi im për Shqipërinë e portokajve u prish qysh në ato çaste. Popullin tim që kishte të drejtë ta këndonte himnin kur ti tekej, ta valviste sa t’i dëshironte qejfi flamurin me shqiponjën dy krerëshe në mes, të këndonte këngë për Bajram Currin, për Skënderbeun, për Enver Hoxhën, e gjeta në varfëri të skajshme. Në Pogradec na vendosën në një hotel gjysmë të rrënuar që ishte ndërtuar në fillimet e kohës së komunizmit. Atje për herë të parë e takova shkrimtaren Meri Lalaj, vajzat e nderuara të Lasgush Poradecit, Atalanta Paskon vajzën e Mitrush Kutelit me të cilën flejta në një dhomë. Nuk më mbanin këmbët kur doja të eci rrugëve nga kishte shkelur këmba e Lasgushit ngaqë mendja më rrinte te një bukë e zezë e pa pjekur mirë, e cila dukej si plitë balte dhe te fjalët e Merit “ Nuk mund të të ftoj në shtëpinë time sepse kam vetëm një divan të ngushtë sa për vete.” Më dhimti shpirti për gjakun e gjakut tim dhe nisa të qaj e zhgënjyer. Asaj nate nuk i mbylla sytë. Në mendje më rrinte rrëfimi i gjatë i Atalantës për arrestimin e babait të saj, për punën që kishte bërë në varrezat e Tiranës, për varfërinë e familjes etj.

 

– A vlerësohej figura e Enver Hoxhës nga shqiptarët në ish Jugosllavi?

– Diktatori Enver Hoxha për shqiptarët që jetonin në tokat e shkëputura nga Shqipëria ishte figura më markante, ishte div i kombit. Për kultin tiranik shqiptarët e këtyre trevave këndonin këngë gjatë ahengjeve, pasdarkeve të gjata dimërore,  shkonin në burg, çirreshin dhe shkulnin flokët e kokës. Ata futeshin në gjendje euforie kur e kujtonin. Ajo figurë për ne ishte figura më me rëndësi historike. Na pëlqente tejmase natyra e sistemit politik që ai krijoi. Ne i fyenim të gjithë ata që e quanin diktator  dhe i luteshim zotit që shqiptarët smirak dhe me kaprice t’ja japin Cezarit atë që i përket. Kjo ndodhte për shkak se nuk e dinim se Enver Hoxha ishte më Stalin se Stalini i dhunshëm.

 

– Cili ishte mendimi juaj për të?-

– E admiroja, e quaja presidenti ynë i  bukur dhe çdo ditë e këndoja këngën ”Enver Hoxha tungjatjeta”. Atë e vlerësoja nga këndvështrimi që e bëri për lirinë absolute të femrës, për pavarësinë dhe shkollimin e saj. Më dukej vetja jetime kur e krahasoja pozitën e femrës në Shqipëri me vajzat tona që mbeteshin të pa arsimuara, të dhunuara psikikisht dhe fizikisht. Kjo më frymëzoi ta shkruaj romanin “ Unë dhuna dhe Emma Jazzi” me referenca nga Kanuni. Por më vonë u zhgënjeva. Ai burrë që ne e mitizonim, ato gra i la pa burrat e tyre, pa vëllezërit. Ai burrë shtriu luftën e klasave deri në krevatin familjar. Ajo luftë që dikur mori formën e një gjenocidi politik, ua shkatërroi jetën grave shqiptare.

 

– Po regjimi i Titos?

– Në Jugosllavinë  e Titos luhej një lojë makabër. Në regjimin e tij disa kombe gëzonin të drejtat njerëzore, lirinë e mendimit, lirinë e shtypit, kurse disa kombe diskriminoheshin dhe shkileshin. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë kishin qëndrime bizare ndaj lirisë dhe të drejtave elementare njerëzore të popullit tim. Disidentët e kohës së Titos vriteshin dhe burgoseshin. Në kohën e atij regjimi më së shumti ndiqeshin dhe persekutoheshin shqiptarët me pretekst se duan Shqipërinë e madhe. Kjo frazë ishte një alibi kur ia vëndonin syrin ndonjë të “dyshimti” apo ndonjë intelektuali për ta shfarosur. Pozita e shqiptarëve në trojet e tyre etnike u përkeqësua më shumë pas prishjes së marrëdhënjeve me Shqipërinë dhe mbetjen e saj në pozitën pro-sovjetike. Të privilegjuarit e atij sistemi ishin serbet. Gjatë asaj periudhe ndërtohej Beogradi, Zagrebi, Lubjana dhe arsimoheshin jashtë e brenda serbet, kroatët dhe sllovenët. Qytetarët tjerë ishin të dorës së dytë. Është histori e gjatë dhe e bezdishme. Mos u ktheftë kurrë më ajo kohë!

 

– Cili është mendimi juaj për krijuesit shqiptarë?

Mendoj se letërsia shqipe ka shkrimtarë me vlera sublime. Disa prej tyre qëndrojnë në nivelin më të lartë të letërsisë evropjane dhe botërore. Thonë se poezia shqipe ka arritur majat. Mirëpo për fat të keq disa nga poezitë me vlera të larta artistike mbeten në kornizën nacionale ngaqë nuk kanë fat të përkthehen. Por, pas komunizmit në të gjitha zhanret letrare erdhi një kuturisje, një guxim krijues që mbushi fushën e internetit si dhe panairet e librave. Kështu u përzien vlerat me jovlerat. Lexuesi i mirëfilltë e humbi sensin e leximit. Në manifestime letrare me karakter ndërnacional, përfaqësohemi nga mediokër, (flas për poet nga Maqedonia) dhe poezia shqipe identifikohet me pseudopoezinë e ndonjërit që ka lidhje të ngushta partiake, ose është lojal me krerët e institucioneve maqedonase. Edhe  kritika letrare shkruan në baza interesi e miqësie. Në komunizëm kishte kritere dhe u ndërtua një piramidë letrare sepse ekzistonte kritika e mirëfilltë. Megjithatë koha ka bërë dhe do ta bën seleksionimin real. Shqiptarët e vuajtur sjellin figura  e karaktere të gjalla letrare, prandaj mund të them se letërsia shqiptare ka shkrimtarë realisht të mirë dhe kjo më bën të lumtur. Thonë se njeriun e bën të madh vuajtja dhe lufta për ta mposhtur atë, për këtë arsye letërsia e mirëfilltë lind atje ku ka vuajtje. Dikur ishte në piedestal letërsia ruse dhe ajo franceze, por pas kësaj letërsie në ditët e sotme rreshtohet edhe letësria turke me Orhan Pamuk, letërsia shqipe me Kadarenë, letërsia afganistanase me Khaled Hoseinin etj.

 

– Po me ardhjen e demokracisë si i vazhduat lidhjet me Shqipërinë?

 

– Me ardhjen e demokracisë marrëdhëniet kulturore dhe ekonomike e bashkuan mrekullueshëm popullin shqiptar. U pëlqen popujve të Ballkanit apo nuk u pëlqen, shqiptarët janë bërë një komb dhe një atdhe. Mendoj se kufijtë gjeografik do të ekzistojnë formalisht. Letërsia bashkëkohore nuk do t’ia di për kufi gjeografik. E bukura do të vjen ngadalë dhe me paqe. Lufta moderne nuk duhet të bëhet me armë por me projekte dhe me punë. Lidhja jonë shpirtërore dhe emocianale ekzstonte dikur, kurse sot ekzistojnë edhe lidhje mes organizatash, asociacionesh, forumesh, partish sepse këtë pamje ka demokracia e moderuar.

Tani më nuk jemi të nënshtruar sepse ekziston ligji që i mbron liritë njerëzore.

Ndjehem e lumtur që drama ime “Motrat” në vitin 1994 u realizua në skenën e Tetarit Kombëtar. Regjinë e dramës e bëri Z. Drita Pelingu kurse skenografinë Agim Zajmi. Gjatë periudhës së demokracisë në Tiranë botova librin me poezi “Rapsodi  udhëtarësh”, kurse në bibliotekën e Elbasanit bëra promovimin e romanit tim të fundit “ Ndërgjegjja e pleshtit”. Me ardhjen e demokracisë, kontaktet me miket dhe miqt poet janë të shpeshta. Ata më ftojnë në aktivitete kulturore dhe në promovime librash. Unë vlerësoj modestinë e poetëve dhe luftën e tyre për çështje madhore. E ruaj me fanatizëm miqësinë me ata. Sot me kontaktet që kemi shpërndajmë mesazhe se e duam shumë Shqipërinë dhe njeriun shqiptar kudo që gjendet nëpër botë. Lidhjet me Shqipërinë ndërtohen me zinxhir të argjendtë. Rruga e Kombit dhe Tuneli i Elbasanit na shkurtoi hallet e dertet përgjithmonë.

 

To Top