Policia e Kosovës arreston Shpresim Ukën

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot paradite njësitet speciale të forcave të rendit kanë kryer një operacion në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, me ç’rast ka arrestuar shtetasin Shpresim Uka.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha duke mos dashur të japë më shumë detaje, tha se i arrestuari “ka qenë një person në kërkim nga ana e policisë dhe i njëjti është arrestuar”.

Sipas policisë, i arrestuari është dërguar në qendër të mbajtjes, për të vazhduar procedurat të mëtutjeshme në pajtim me ligjet në fuqi.

Uka, është shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe tentim-vrasje të rëndë në rastin e njohur “Bllaca” dhe është dënuar me 15 vjet burgim në vitin 2012.

Emri i Ukës figuron edhe në faqen e Interpolit, të personave në kërkim.

Shpresim Uka është përmendur fillimisht në një video-incizim të Nazim Bllacës, i cili në nëntor të vitit 2009, deklaroi publikisht se kishte marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime dhe veprime kriminale në rreth 17 raste pas luftës në Kosovë, njofton Klan Kosova.

Loading...