Policia tregon arsyet e arrestimit të Ismailit

Policia e Kosovës gjatë kontrollimit të personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, tek deputeti Fisnik Ismajli janë gjetur dy (2) bombola gazi, që dyshohen të jenë gaz lotsjellës, njofton policia përmes një komunikate për media duke njoftuar për zhvillimet e fundi në Kuvend.

Sipas policisë të njëjtin e kanë ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore, të cilat do të ndërmerren në konsultim me prokurorin, transmeton Indeksonline.

Lexo komunikatën e plotë të Policisë së Kosovës:
Informacion i Policisë së Kosovës lidhur me veprimet policore te Kuvendi i Republikës së Kosovës

Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, lidhur me seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e mëhershëm të kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet e nevojshme policore, duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës me zyrtarët e sajë policor ka filluar me kontrollin e personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, ku gjatë kontrollit tek deputeti z.Ismajli janë gjetur në posedim dy (2) bombola gazi, që dyshohen të jenë gaz lotsjellës.

Zyrtarët policor bazuar në procedurat ligjore të njëjtin e kanë ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore, të cilat do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent, ndërsa mjetet e dyshuara janë konfiskuar në cilësi të provave materiale.

Me vendim të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës është kërkuar hyrja e personelit të sigurimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët konform autorizimeve ligjore kanë hyrë duke formuar kordon sigurie brenda në seancë.

Ndërsa pas hyrjes së kryesisë dhe deputetëve në sallën e Kuvendit të Kosovës, në momentin e përgatitjes së fillimit të seancës, përsëri nga deputet të caktuar është hedhur mjet i dyshuar i cili po ashtu dyshohet se është gaz lotsjellës.

Referuar rrethanave dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit të RKS-së, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjetit të dyshuar.

Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka Policia e Kosovës, është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, dhe kohën se kur ka mund të jetë futur ky mjet i dyshuar.

Loading...