Njësiti policor për krim ekonomik dhe kompjuterik në Shkup të mërkurën ( 07.03.) ka arrestuar personat A.L. (43) dhe H.B. (42) nga Shkupi për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër penale “falsifikim të parave” sipas nenit 268 të Kodit Penal.

Policia njofton se pas masave të ndërmarra operative është konstatuar se të arrestuarit në fund të vitit të kaluar (30.12. 2017), në një super market “Tineks” kanë lëshuar në qarkullim 20 bankënota të falsifikuara prej 500 denarëve, shkruan Gazeta Lajm.

Gjatë arrestimit dhe kontrollit të kryer, te A.L. janë gjetur gjashtë bankënota prej 100 eurove, gjashtë bankënota prej 50 eurove, tri bankënota prej 500 denarëve, një prej 1.000 denarëve, dy prej 100 denarëve dhe një bankënotë prej 200 denarëve. Me këtë rast është vërtetuar se dy bankënota prej 100 eurove dhe dy bankënota prej 500 denarëve janë të falsifikuara. Poashtu personit A.L. i është gjetur edhe një letërnjoftim i falsifikuar.

 

Loading...