Kulturë

Politika ka përkrahur artistët, pa vlerë

YlberMurtezi

Të qenit artist është një rrugëtim i denjë e kuptimplotë, që e bën botën një vend më të mirë. Por, sa përkrkrahet një artist, nga shteti dhe sa ndikim ka nga politika e vendit. Shumë njerëz të botës së artit, në Maqedoni, ndikohen nga politika. Për piktorin Burhan  Ahmeti, por edhe për aktorin Ylber Murtezi, arti dhe kultura janë çelësi i suksesit të vendit, por ndikimi i politikës në fushën e artit e dëmton lulëzimin e saj.

“Të bësh kulturë në politikë dhe politikë në kulturë janë dy botëra të ndryshme. Po si duket ne si artist ku veprojmë dhe frymojmë shpesh herë jemi të ngulfatur nga politika e përditshme.  Sado të mundohemi që nëpermjet shfaqjeve tona që kemi në repertor të piketojmë devijimet në shoqëri dhe devijimet në politikë, si duket nuk po e kuptojnë porosinë, meqë janë të rëndë për nga truri, sepse diapazoni i tyre intelektual është sa truri i peshkut, ose nuk dëshirojnë t’i kuptojnë porositë. Me vet faktin që në një institucion teatror t’a lënë një kuadër të udhëheq 16 vite me rradhë dhe askush nuk jep përgjegjësi për këtë, dhe topi hudhet herë lart e herë poshtë, kjo s’do koment më tepër. Artisti, në këtë rast aktori mund të ndikojë me kapacitetin e tij intelektual pozitivisht në shoqëri, por e kundërta tek politika si duket po hasim në fenomene negative. Ne mund t’i rrekemi profesionit të politikës, por e kundërta nuk mund të ndodhë asnjëherë. Sikur të jetonim në një shtet tjetër pak më ndryshe do kuptoheshte misioni i teatrit. Me vet faktin që ne si aktor veprojmë dhe frymojmë në teatrin shqiptar, në Shkup dhe 4 vite mbetemi si qyqar e në shtëpi të huaj, edhe atë, shkaku i politikanëve që janë në pushtet ose formulës: hidhja – futja nga hierarkia poshtë –  lart, lart – poshtë”, tha aktori Ylber Murtezi, për Almakos.

Për piktorin Burhan Ahmeti, në vendin e tij, ai sheh se edhe arti si fushë ku veprohet lirshëm, ka pengesë nga politika dhe shfrytëzohet për interesat e politikës.

“Në Maqedoni, arti dhe kultura në përgjithsi aq shumë janë ngatërruar saqë edhe sikur politika të kishte dashur të heq dorë nga arti, ky i fundit do e kishte përballuar me shumë vështirësi.

Arti është çelësi i çdo suksesi, mirëpo te ne, politika artin e shfrytëzon vetëm si kallauz për përfitime materiale apo për vota”, tha piktori Ahmeti, për Almakos.

Ahmeti nuk e mohon se arti dhe politika janë në një luftë, por është politika, në shumë raste që e ka udhëhequr artistin.

“Është fakt se politika me artin gjithmonë kanë qenë në konflikt mes tyre, edhe pse arti shpesh ka dal si fitimtarë, me shumë sakrifica por,  politika në njëfarë mënyre çdoherë ka vendosur ashtu si ka dëshiruar vetë”, tha Burhan Ahmeti.

Ahmeti shton se demi që ka sjell politika në fushën e artit, në Maqedoni, e bën situatën shqetësuese, duke avancuar një grup artistësh e duke lënë anash shumë artistë të tjerë të talentuar. Ai mendon se shoqëria jonë një dekadë e më shumë është ushqyer me anti vlerën e një artisti të mirëfilltë.

“Gjendja e sistemit të vlerave artistike në Maqedoni fatkeqësisht është shqetësuese. Sidomos viteve të fundit nga politika u avancuan ca artiste, të cilët bënin art për dëshirën dhe shijen e një politike të gabuar dhe për interesin personal të tyre. Çdokush që mendonte ndryshe nuk pati rast që të shijon nga ai kulaç i servuar vetëm për një grupë të caktuar artistësh. Dëmin më të madh padyshim se është duke e paguar shoqëria jonë pasiqë është e ushqyer me jovlerë (kiç) dhe shumë vështirë e ka që të del nga ajo lëvore që ua ka ofruar politika e dështuar me vite të tëra”, tha Burhan Ahmeti

To Top