Opinione

Poshtë  ‘Platforma’ Antishqiptare

shaqir

SHAQIR ISLAMI

Thënia popullore thotë: “Një budalla e hedh gurin në bunar, njëqind të mençur nuk mund ta nxjerrin”. Kjo ndodh me ne. Sërish! Vetëm ne nuk mësojmë asgjë nga historia! Populli ynë vuan nga budallenjtë e vet, jo dhe aq shumë nga të tjerët. Në fakt, siç flet historia me fakte, çdo popull vuan nga budallenjtë e vet. Budallenj gjithmonë ka pasur me bollëk dhe do ketë në çdo shoqëri. Përndryshe, nuk do dalloheshin të mençurit.

Problemi shfaqet kur budallenjtë e zaptojnë avangardën. Te ne ndodh kjo, avangarda është e zaptuar nga të tillë. Prodhim i fundit i kësaj avangarde ishte pamfleti që e pagëzuan ‘platforma’ politike dhe na e shitën me hile, si pasojë e ambicieve të mëdha dhe motivit të fuqishëm për pushtet. Ndërsa, në zgjedhjet e Dhjetorit secili nga këta synonte ta shkatërrojë njëri-tjetrin. Kur befas (!), …  për habinë dhe dëshpërimin e të gjithëve, na doli Zaevi fitimtar  i votave shqiptarë. Zhgënjimi ishte i madh, dhe ofshama etno-nacionaliste nisi me “ah, kaurin e nënës …”. Zemërimi, poshtërimi dhe fyerja akoma është shumë i madh, … emocionet e tepërta dhe zhgënjimi nga “votuesit tradhtarë të kauzës-shqiptare” e futën edhe opozitën shqiptare në prehrin e zadrugës-zullumqare. Duke e fajësuar Zaevin për ‘plaçkitjen’ e hambarit të votave shqiptare, e bënë bashkimin e atyre që akuzoheshin mes tyre, si zullumqarë ndaj kauzës. Poshtërimi, dhe fyerja e burrnisë i bashkoi armiqtë e përbetuar politik, që të zhyten në lloçin politik të etno-nacionalizmit, të renditen në krah dhe ta shpëtojnë zadrugën-zullumqare. Sot, kjo është shakaja më e hidhur e politikës shqiptare në Maqedoni.

Pas, ‘katastrofës’ së zgjedhjeve të Dhjetorit të kaluar, avangarda e fyer dhe e hutuar nga rezultati dëshpërues për secilin, të cilët u dëshpëruan dhe u fyen jo aq shumë nga rezultatet e veta, por, nga rezultati i shkëlqyer i Zaevit, me shtatëdhjetë mijë vota shqiptare në llogarinë e tij(!). Ky fakt, ishte shok! Unë, shkrova se këto vota ikanakë nga gardhi peng-mbajtës, ishin më tepër vota hakmarrës ndaj kësaj avangarde-dëshpëruese, se sa vota për ofertën politike të Zaevit. Inshallah, të jetë e kundërta. Ndonëse, trupi votues shqiptar është i rraskapitur dhe shumë i dëshpëruar nga narrativi masturbues nacional-etnik e kësaj avangarde;  shpëtimin e vet nga ky dhunim dhe torturim psikologjik, e pa,  si rrugëdalje të vetëm drejt përqafimit të programit shumë normal dhe qytetarë të Zaevit. Pajtohem se çdo qytetarë normal dhe i shëndoshë duhej ta bënte këtë zgjedhje, e kjo më jep shpresë për ardhmërinë tonë të përbashkët. Por, ky nuk është fundi i këtij tregimi. Kjo ikje e madhe ishte vetëm nisma, nga më të guximshmit! Pra, ky ishte alarmi, për të dy palët nacional-etnikë; pasi që, asnjëri s’mund të ekzistojë pa tjetrin. Ata ushqehen si kanibalë me shoqi-shoqin. Kjo është detyra dhe porosia kryesore e këtij kanibalizmi politik,  që domosdoshmërish duhet ta shkatërrojë këtë shtet të vogël dhe të mjerë, përmes narrativit nacional-etnik. Normalisht, pas shkatërrimit të kohezionit social.

Kjo avangardë e humbarakëve të zemëruar, të hidhëruar dhe të fyer (me fajin dhe injorancën e vet), nga emocionet e mëdha, vendosi t’u  hakmerret dhe t’i ndëshkojë ata që e kapërcyen gardhin psikologjik, në të cilin mbaheshin peng me dekada, përmes narrativit masturbues të mbeturinave tona nacionaliste, të cilët u kanë shkaktuar vetëm halle e telashe qytetarëve të vet, duke i zhytur në varfëri dhe vuajtje të mëdha shpirtërore. Ndërsa, vet e sundojnë pashallëkun mizorisht.

Prandaj, duhej që të mos rrënohet dhe të mos shembet ky kontekst i përsosur etno-nacionalist i ndërtuar një dekadë, nga zadruga-zullumqare, përderisa BDI’ja e Alisë akoma shërben si mburojë e kontekstit dhe nxitës i potencës së etno-nacionalizmit të VMRO’së (e kam shkruar shumë vite më parë, se BDI e ka vetëm rolin e Viagrës, sa për ta shtuar epshin pervers të VMRO’së). Sa herë që është luhatur kështjella e zullumqarëve, Alia me BDI’në e tij, dalin me deklarata ahmakësh etno-nacionalistë dhe e nxjerrin Nikolla Gruevskin nga lloçi. Gjithmonë, duke e mobilizuar trupin votues të tij. Këtë e bën dhe sot.

Masturbimi më i fundit i këtij lloji  është ‘platforma antishqiptare’ që fryu nga Tirana. Nuk dua të përsëris, pasi shkrova qartë se çka mendoj për këtë akt të përsosur tradhtar, kah do që të ketë ardhur. Tani më vjen mirë se vet nënshkruesit, sikur janë të hutuar dhe bërë pishman, dhe e quajnë këtë pamflet të dhjerë, vetëm si deklaratë e të fyerve dhe të dëshpëruarve, e cila është sajuar për tu bërë dëm të madh shqiptarëve, përderisa vetëm i krijon kontekstin dhe e ushqen etno-nacionalizmin e zadrugës-zullumqare VMRO-BDI.

Në fakt, ky pamflet politik tinëzarë, e shndërroi temën e diskursit politik, nga  zullumi i paparë dhe rrënimi i institucioneve të një shteti, në një temë boshe ndëretnike, për gjuhën shqipe. Deri sot, Alia dhe tajfa e tij, trumbetonin se e kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe! Hapeni arkivat e TV stacioneve, gazetave, dhe mediave sociale, do gjeni një mijë deklarata ku thuhet se gjuha shqipe është zyrtare! Deri kur do t’i durojmë dhe tolerojmë mashtrimet e matrapazëve të këtillë?

Prandaj, u bëj ftesë qytetarëve shqiptarë ta hedhin poshtë, të distancohen sa më shpejt dhe ta dënojnë këtë pamflet politik të dëmshëm për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Dhe dua të përsëris diçka që e kam shkruar më 2014’ën, dhe akoma i qëndrojë pas, se “shpëtimi i shqiptarëve është Zaevi, dhe jo Ali Ahmeti”.

 

 

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top