Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pesë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, sërish e ka promovuar idenë për president konsensual.

“Mendoj se nuk jemi shumë larg idesë që vendit i duhet një president konsensual, një president i dalë nga marrëveshja. Mirëpo, akoma nuk kemi biseduar për detaje dhe mendoj se në të ardhmen, pasi t’i mbyllim këto procese kaq të mëdha që i kemi, mund të flasim edhe për këtë temë. Por, ne parimisht i qëndrojmë atij parimi për cilin jo një herë, por disa herë jemi deklaruar se në të mirë të vendit, në dobi të vendit do të ishte sikur të kemi një figurë e cila na afron dhe jo që na ndan”, thekson Ahmeti për Radion Europa e Lirë.

I pyetur se nëse dështon ideja për presidentin konsensual, a mendon se shteti duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale, të cilat duhet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, Ahmeti është shprehur i prerë se Maqedonisë si shtet nuk i duhen zgjedhje të parakohshme, por fokusim i të gjitha forcave relevante në realizimin e obligimeve, për të përshpejtuar procesin e integrimeve euroatlantike.

Por, Aleanca për Shqiptarët konsideron se me hedhjen e kësaj ideje në opinion, në momentin që janë në procedurë ndryshimet kushtetuese, ka për synim të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit.
“Ne si parti kemi mbrojtur qëndrimin që presidentin e shtetit më së miri do të jetë ta zgjedhë Parlamenti dhe aty të arrihet konsensus mes të gjitha partive dhe jo vetëm atyre shqiptare”, thotë sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Edhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, vlerëson se presidenti konsensual është i mundshëm vetëm nëse ndryshon dhe modeli i zgjedhjes së presidentit, përkatësisht presidentin e shtetit ta zgjedhë Parlamenti.
Ndërkaq nga LSDM thonë se brenda partisë, ende është duke u diskutuar për këtë çështje.
Edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare theksojnë se ende nuk është hapur brenda partisë tema rreth zgjedhjes së presidentit.

Loading...