Shkruan: Fejzi HAJDARI

Presidenti konsensual i Maqedonisë është një ide dhe projekt serioz, që nuk duhet të lihet në duar të politikanëve joseriozë. Është projekt mjaft i rëndësishëm për shqiptarët, të cilin nuk guxojmë ta lëmë në duart e politikanëve të parëndësishëm, që janë në largim e sipër nga skena politike.

Idesë për president konsensual, duhet t’i rreken forca të shëndosha politike dhe intelektuale shqiptare.
Nuk guxon këtë ide ta prekin politikanë dhe subjekte politike shqiptare, që kanë pasur në dorë një produkt të gatshëm politik si Marrëveshja e Ohrit, që është dashur të implementohet për 3 vite, ndërkohë që nuk kanë arritur ta implementojnë, tani e 17 vite.

Ata që kanë ditur ta shesin për pesë pare një produkt të garantuar nga gjaku i dëshmorëve dhe nga qendrat kryesore ndërkombëtare të vendosjes, idenë e presidentit konsensual e shesin edhe më lirë.

Në këtë drejtim, duken bajate të gjitha propozimet e Ali Ahmetit. Të gjitha idetë tallëse të Ahmetit për shqiptarët, të shpalosur në formë propozim që nga viti 2002, janë stërpërsëritur çdo vit, pa u realizuar kurrë.
T’i kujtojmë vetëm disa nga këto:
Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi zyrtar i Flamurit Kombëtarë, rregullimi i statusit të ish-ushtarëve të UCK-së, realizimi i Marreveshjes së Ohrit, dhe shumë projekte ose ide tjera, që deri sot kanë mbetur vetëm në dimenzionin deklarativ, të parealizuar asnjëherë.

Ahmeti të gjitha këto i përsëriste çdo fushatë zgjedhore tanimë 17 vite me radhë. Së fundmi, Ahmeti filloi talljen e radhës edhe me PRESIDENTIT KONSENSUAL, të cilin e promovoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, por që askush nuk ia vari, siç nuk ia varin edhe sot.

Ahmeti sikur prapë tallet, sepse ai është i vetëdijshëm se pozicion i tij në qeveri, sot, është shumë i dobët. Propozimet e Ahmetit nuk kaluan as kur ai kishte 150 mijë vota, e lere më tani. Mos prisni të kalojë as ndonjë propozim tani, kur Ahmeti ka 80 mijë vota.

Ahmeti ka hall tjetër dhe jo interesin shqiptarë, prandaj ai jorastësisht na mbyti me propozime të kuadrove maqedonase, si kandidatë të BDI-së. Të kujtojmë…, për ambasador të BDI-së emëroi Llazar Elenovskin, sikur të mos kishte kandidat shqiptar. Për deputet futi Branko Manajllovskin, për këshilltar Sinadinovskin, tani së fundmi për president konsensual propozon Denko Malevskin. Aman bre Ali, a nuk paska kandidatë shqiptarë?

Qëllimi i vërtetë i Alisë është ai që thotë Zijadin Sela-Si të shpërqendrohet vëmendja e shqiptarëve nga Ndryshimet kushtetuese, pra të mbulohet turpi që shqiptarët po definohen “20 për qind”, në preambulën e Kushtetutës. Pra ju qoftë për ajër Ali Ahmeti. Me politikbërjen E BDI-së, shqiptarët tani e tutje do të quhen “20 për qind” dhe jo shqiptarë…

Loading...