Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka akuzuar sërish autoritetet e Serbisë se po u shesin dhe dhurojnë armë disa vendeve të Afrikës, për të parandaluar njohjet e tyre ndaj Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës, ditën e diel, përmes një komunikate për media, pati shprehur, shqetësimin mbi publikimin e dëshmive nga Amnesty International “se armatimi i prodhuar në shtetin serb vazhdon të përdoret nga disa shtete afrikane”.

Në komunikatë është thënë se “publikimi i këtyre dëshmive forcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po përdorë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për të joshur disa shtete jo-njohëse të Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan, që mos të ndërmarrin një hap të tillë”.

Pyetjes së Radios Evropa e Lirë se mbi cilat argumente kanë krijuar këtë bindje autoritetet e Kosovës, ministri i Jashtëm, Pacolli, tha se informatat e mbledhura nga diplomatët e Kosovës, kanë siguruar të dhëna të sakta se një prej bazave të lobimit të diplomacisë serbe është ofrimi i armëve, në kompensim me mosnjohjen e Kosovës nga disa vende të Afrikës.

“Këtë informatë e kemi pasur dhe këtë shqetësim e kemi shprehur edhe më parë. Ne kemi pasur të dhëna prej marrëveshjeve, të cilat janë nënshkruar ndërmjet Republikës së Serbisë, gjegjësisht, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë dhe shteteve të ndryshme nëpër botë. Disa herë, këtë problem e kemi diskutuar edhe me kryeministrin, para tre muajve dhe ne, sigurisht, jemi duke studiuar mënyrën se si ta kundërshtojmë këtë iniciativë, të cilën e kanë ndërmarrë serbët”, tha Pacolli.

Megjithatë, ministri i Jashtëm, Pacolli, nuk ka dashur që të specifikojë asnjë emër të shteteve të Afrikës, për të cilat autoritetet e Kosovës akuzojnë Serbinë se po u shet armë.

“Nuk është spekulim. Unë i kam emrat e disa shteteve, por për hir të diskrecionit, ne po i lëmë këto informata për ne, për arsye se na nevojiten që të punojmë me këto informata”, u shpreh Pacolli.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se institucionet e Kosovës kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që të ndikojnë që të krijohet një frymë e paqes politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në prag të finales së procesit të dialogut të Brukselit, për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“E kemi kërkuar një armëpushim politik me Serbinë. Pra, ju kemi kërkuar palëve, në këtë rast amerikanëve dhe evropianëve, që në frymën e dialogut që po paralajmërohet si definitiv ose për marrëveshjen që po quhet finale – që është një marrëveshje obliguese ligjore, që nënkupton njohjen – pra, në frymën e këtij procesi, të mbizotërojë një frymë e paqes politike. Kjo nënkupton jo më aktivitet për lobim kundër Kosovës dhe jo pengim të Kosovës në planin e jashtëm, si dhe kthimin e Listës Serbe në institucione, që do të ishte diçka e kuptueshme në frymën e një mirëkuptimi të brendshëm dhe rajonal”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë, deri më tash, nuk kanë reaguar ndaj publikimeve të Amnesty International, e cila ka thënë se armë të prodhimit të Serbisë janë parë të përdoren në Kamerun, ndërkaq që armët të shtetit serb, siç thuhet, janë parë të përdoren edhe nga luftëtarë të organizatës terroriste “Boko Haram”. Reagime të autoriteteve të Serbisë nuk ka pasur as ndaj akuzave të cilat i kanë adresuar autoritetet e Kosovës, për shitjen dhe dhurimin e armëve nga ky shtet në funksion të parandalimit të njohjeve të shtetit të Kosovës nga disa vende të Afrikës.

Loading...