Prokuroria deklarohet për vrasjen e trefishtë në Dibër: Tre persona janë arrestuar

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit, njofton se janë arrestuar tre persona për vrasjen makabre në Dibër që ndodhi përpara një jave ku u vranë me armë zjarri një grua, një burrë dhe vajza e tyre 14 vjeçare, por nuk jep detaje më të hollësishme, njofton Portalb.mk.

“Në lidhje me vrasjen e trefishtë në Dibër, Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit, si kompetente për të vepruar në lëndë, intensivisht i ka ndërmarrë të gjitha veprimet për konstatimin e përgjegjësisë penale dhe për mbledhjen e dëshmive. Deri në këtë moment, tre persona janë privuar nga liria dhe për të njëjtit është shqiptuar masë afatshkurtre e paraburgimit prej 48 orëve. Pas skadimit të këtij afati, do të sillet vendim prokurorial për veprim të mëtutjeshëm”, thonë për Portalb.mk, nga Prokuroria.

Portalb.mk, ka kontaktuar me MPB-në, të cilët thonë se nuk mund të japin detaje për rastin, por se po punojnë për zbardhjen e të njëjtit. MPB, njëkohësisht njofton se pas mbarimit të hetimeve, do të informohet opinioni për epilogun.

Jo-zyrtarisht, dje dhe sot nëpër media kanë qarkulluar informata për një kthesë në rastin e vrasjes së trefishtë, gjegjeshit thuhet se tani po akuzohet një anëtare e familjes së ngushtë të të vrarëve dhe jo një pjesëtar i një familje tjetër dibrane, sikur është thënë paraprakisht në opinion.

Motivet e vrasjes ende janë të panjohura. Jo-zyrtarisht, vrasja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 27 gushtit.

Loading...