Prokuroria Speciale sjell detajet e fundit për rastin kundër Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit

Prokuroria Speciale Publike ka sjellur detajet e fundit lidhur me rastin “Regjistrimi”, ku të dyshuar janë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolal Gruevski. Këto detaje PSP i ka sjellur në kuadër të raportit për gjashtëmujorin e fundit të punës së saj, që e ka publikuar gjatë ditës së sotme, shkruan Gazeta Lajm.
Në këtë raport, thuhet se rasti “Regjistrimi” është “avancuar” dhe nga rasta parahetimor, tani është rast në hetim.
“Si rezultat i procedurës së realizuar parahetimore është sjellur Urdhër për realizim të procedurës hetimore NSK-KO nr.2/18 nga data 20.03.2018 kundër 2 personave për shkak të dyshimit të bazuar se të dyshuarit kanë kryer vprën penale “Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare” nga neni 353 paragrafi 5 v.v. me paragrafin.4 v.v. me paragrafin 1 v.v. me nenin.22 nga Kodi penal i Republikës së Maqedonisë. Lënda është në fazë hetimore, në kuadër të së cilës janë ndërmarrë më shumë veprime hetimore”, thuhet në raportin e PSP-së.
Ndryshe, siç ka njoftuar para disa muajve prokurorja Speaciale, Fatime Fetai, lënda e koduar si “Regjistruesi”, ka si të dyshuar kryesorë drejtuesit e VMRO-së dhe BDI-së, respektivisht Ali Ahmetin dhe Nikolla Gruevskin.
“Nga bisedat e përgjuara është ngritur dyshim se në tetor të viti 2011 këta dy persona, kryetarë të partive politike, e kanë keqpërdorë pozitën dhe e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit. Ekziston një dyshim i bazuar se si koalicioni qeverisës ka tentuar ta fshehë faktin, se nuk kanë kapacitet politik për organizimin e regjistrimit real të popullsisë dhe për të fshehur fakte të pafavorshme për gjendjen demografike dhe ekonomike, gjë që ka rezultuar me emigracion të madh të popullsisë. Mes datës 10 dhe 11 tetor, të dyshuarit kanë ranë dakord të ndalonin regjistrimin e popullsisë”, pat deklaruar prokurorja Fatime Fetai.
Fetai theksoi se përveç ndërprerjes së regjistrimit, ish partnerët Ahmeti dhe Gruevski kanë shfuqizuar ligjin për regjistrimin e popullsisë, me çka ata kanë hedhur në ujë rreth 175 milion denarë.
“Pas marrëveshjes mes të dy palëve, Qeveria deri te Kuvendi ka porpozuar që regjistrimi i popullsisë të shfuqizohet, kurse më 15 tetor të vitit 2011 është votuar i njejti. Megjithatë, arsyeja nuk ishte ajo që thuhej nga Qeveria, por kishte të bënte me dyshimin se regjistrimi i popullsisë mund t’u sillte dëm partnerëve qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, dhe vetë udhëheqësve të tyre për të ruajtur interesat”, pat deklaruar Fetai.

Loading...