Propozimi “Maqedonia e Ilindenit”, Zekolli: Grekët do të mësojnë më shumë histori

Nëse e ndjekim qasjen greke për irredentizmin, në emrin Maqedonia e Ilindenit, ka elemente të irredentizmit, për shkak se me këtë emër përfshihen rajonet e Lerinit dhe Kosturit, thotë analisti Arsim Zekolli. Megjithatë, sipas tij, e mira e këtij propozimi është se grekët do të mësojnë më shumë histori.

“Ne tashmë e shohim se ky emër, ky propozim shkakton informacione të çuditshme dhe bizare, ndërsa ndonjëherë edhe informacione të reja që dalin në pah, andaj njerëzit janë të befasuar. E mira e këtij propozimi është që grekët do të fillojnë të mësojnë histori pak më shumë. Por po i shohim edhe reagimet e Bullgarisë, ku fillimisht propozimi ishte i pranueshëm në terren politik, por tani po shohim se kemi një mos pajtueshmëri të qetë”, tha Arsim Zekolli, analist.

Për analistin ekonomik, Lupço Zikov, përparësia e negociatave të tanishme është në atë që Maqedonia vetë ka propozuar emër “Erga Omnes”

“Nga Maqedonia kërkohej qëndrimi “erga omnes”, që të pranohet principi “erga omnes”, megjithatë Maqedonia të propozoj zgjidhje “erga omnes”, që e njëjta të mos imponohet nga jashtë, për shkak se atëherë nuk do të flisnim për negociata por për arbitrazh të, për shembull, KB-së, Këshillit për siguri etj. Por përparësia është tek fakti që ky propozim “Maqedonia e Ilindenit” përmban energji të brendshme të kohezionit”, u shpreh Lupço Zikov, analist.

Sipas Zikov-it, zgjidhje për gjendjen në vend janë reformat ekonomike dhe demokracia e tregut, ndërsa sipas Zekollit, momentalisht duhet të bëhet dallim mes çështjes së emrit, NATO-së dhe BE-së, për shkak se emocionet që i shkakton kjo çështje thotë ai ndikojnë ndaj këtyre dy institucioneve dhe në popullaritetin e tyre./RTV21/

Loading...