Hysni Shaqiri
Pikë se pari Marrëveshja e Ohrit duhet të lexohet dhe të kuptohet ashtu si është për kah përmbajtja, si në kuptimin e saj juridik dhe historik, pa e përjashtuar edhe dimensionin politik si derivat i dy të parave. Duke i parashtruar këto tri komponentë, në një analizë të përgjithshme dhe studim profesional, mund të konkludojmë se Marrëveshja nuk i plotëson as për së afërmi këto standarde që të jetë pjesë e preambulës , sepse preambula për kah karakteri përmbajtësor shpreh përpjekjet historike të popullit maqedonas, jo edhe të shqiptarëve, për të u identifikuar me shtetin. Së dyti përcakton të drejtën ekskluzive vetëm të popullit maqedonas për të qenë shtet formues, edhe me aktet normative kushtetuese, e drejtë kjo që u mungon shqiptarëve. Së treti angazhimi i BDI-së për ta bërë M. O. pjesë të preambulës, pa llogaritur pasojat, nuk e dëshmon ndershmërinë e tyre në sinqeritetin politik ndaj çështjes shqiptare, si argument i mjaftueshëm që vërteton konstatimin edhe pa faturimin e gabimeve nga e kaluara. Sepse me këtë veprim e përmbyllin angazhimin dhe përpjekjet e shqiptarëve për t’i jetësuar kërkesat që e funksionalizojnë barazinë e plot edhe me Kushtetutë, rivendosjen e realitetit historik që nënkupton rikthimin e identitetit kombëtar të humbur pas konfliktit të vitit 2001. Pikërisht këtë marrëveshje, që nuk përcakton kombësinë shqiptare, pala tjetër e shfrytëzon si një argument për ta kundërshtuar edhe ligjin për gjuhën si një kërcënim ndaj qenies sonë kombëtare, duke ndaluar që të përmenden shqiptarët qoftë në Kushtetutë, apo në ndonjë akt tjetër zyrtar.
Kam përshtypjen se çfarëdo qasje tjetër që i bëhet kësaj situate, duke e mohua realitetin ekzistues, i ndihmon rrënimit ton si popull dhe komb dhe krijon barriera të pakapërcyeshme për ndryshimin e gjendjes kushtetues të shqiptarëve dhe kthimin e identitetit të humbur kombëtar.
Individ të caktuar po i gëzohen inkorporimit të Marrëveshjes në Preambulë, duke mos menduar fare politikisht, se për momentin i përforcojnë pretendimet e palës maqedonase për të krijuar vasalitet të pa kontestueshëm ndaj çështjes shqiptare. Është shqetësues fakti sesi lidershipi i BDI-së nuk e venë gishtin në kokë dhe me mendua se për çfarë motivesh e pranon pala maqedonase këtë ndryshim në preambulë, por nuk pranojnë ndryshimin e amendamentit të pestë, që është shndërruar në mollë sherri në mes dy popujve dhe ku shqiptarët përfaqësohen vetëm si numër statistikor, duke ua mohuar identitetin, gjuhën, kulturën dhe tërë historinë kombëtare. Meqë për këtë çështje është folur aq shumë, çdo polemizim i mëtejmë bëhet banal dhe humb seriozitetin e temës që po e shtjellojmë.
Në kushte dhe rrethana të euforisë të frymëzuar nga megalomania se kinse kanë arritur diçka të rëndësishme, po i plasojnë gënjeshtrat si të vërteta dhe dështimet si suksese, si çdo herë më parë deri tani. Por kësaj radhe duhet ta kuptojnë se papërgjeshmëria e tyre sistematika, po ua bën shqiptarëve një gropë të madhe që nuk do ta kenë mundësin edhe ata vetë ta kalojnë lehtë dhe bashkarisht me popullin do t’i vuajnë pasojat. Prandaj, vlerësoj se është momenti i fundit që t’u ndërgjegjësoni dhe ta bindni vetveten se kjo çështje nuk duhet t’u shërbeje vetëm si fasadë për tejkalimin e situatës sa i përket ndryshimeve kushtetues që lidhen me Marrëveshjen e Prespës. Kur dihet fakti se angazhimi politik i deritanishëm nuk e dëshmon mençurinë dhe intelektin e mjaftueshëm për tu përballur me gjendjen aktuale dhe devijimet politike në konceptin kombëtar bashkë me veprimtarinë manipuluese, kanë katandisur popullin në një gjendje të mjerueshme. Në pamundësi që të bëni intervenime në ato pjesë të Kushtetutës ku shqiptarët janë të diskriminuar, keni zgjedhur si rrugë atë që ua afroi partneri i koalicionit, LSDM, dhe nuk i bëni pyetje vetës pse duan ta fusin M.O.-në në preambule dhe nuk lejojnë ndryshime tjera në pjesën normative të Kushtetutës? Përgjigja është e qartë: me këtë veprim pala maqedonase dëshiron që në kuadër të këtyre ndryshimeve kërkesat e shqiptarëve të relativizohen. Do të doja që mos të jetë kështu, por gjendja juridike po e determinon edhe gjendjen faktike dhe iluzioni nga dominimi emocional i lidershipit të BDI-së për futjen e M.O. në Preambulë pa as një element kombëtar, duke degraduar çdo interes kombëtar në këtë shtet, me vetëdije jeni ka i mohoni edhe vlerat e Luftës së 2001, meqë nga ajo luftë nuk na ka mbetur tjetër vetëm t’i kujtojmë dëshmorët që dhanë jetën për të drejtat e shqipëtarëve./lajmpress

Loading...