Pse partitë shqiptare në Kumanovë po heshtin për zv/drejtorët e LSDM në shkollat shqipe?!

Zëvendës/drejtorët apo ndihmës/drejtorët nga radhët e Lidhjes Social Demokrate Maqedonase (LSDM) deri në fund të muajit do të duhet të nisin punën nëpër shkollat shqipe në Kumanovë.

Ky plan që realizohet për herë të parë është pjesë e marrëveshjes dhe pazarit politik mes BDI dhe LSDM, të cilat ishin në koalicion për zgjedhjen e kryetarit të komunës në zgjedhjet e fundit lokale. Këshilltarët e BDI nuk japin përgjigje dhe heshtin për këtë marrëveshje, edhe pas shumë kontakteve nga INA për të dhënë përgjigje.

Por një heshtje e madhe ka kapluar edhe këshilltarët e BESËS dhe ASH, të cilët tashmë kaluan disa ditë po heshtin lidhur me këtë plan, që është temë dite në Kumanovë.

Sipas burimeve nga shkollat shqipe, urdhëri ka ardhur nga komuna që të realizohet ky plan edhe ate duke ia hedhur topin shkollave, që ato të realizojnë gjithçka. “Zhika i është lajmëruar drejtorëve dhe ka thënë që sa më shpejt të zbatohet plani, duke përmendur edhe emra”, mësohet nga burime partiake.

Udhëheqësi i sektorit për arsim në komunën e Kumanovës, Zhika Krstevski theksoi për INA se nuk bëhet fjalë për delegim apo presion politik, por gjithçka është sipas ligjit për arsim fillor, ku ka hapësirë për caktimin e dy ndihmësdrejtorëve për funksionimin më efikas të shkollave.

Por nga ana tjetër, edhe në BDI pranojnë se është marrëveshje që duhet zbatuar, ndërsa kandidatët që delegohen në atë detyrë janë anëtar me librezë të LSDM. Nuk ka reagim as nga shoqatat e arsimit apo ato të kulturës, të cilat heshtin nga frika se mund të kenë pasoja në punën e tyre. (INA)

Loading...