Pse VMRO-DPMNE-ja e respekton aq shumë BDI-në dhe Ali Ahmetin, kurse i urren shqiptarët e UÇK-në?

Rudi Berisha

Ali Ahmeti është politikan i mençur dhe me përvojë, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski para se të realizojë takimin e parë zyrtar me të. Mickovski madje tha se pret që ky takim të jetë fillim i shoqërisë së re, kurse lëvdatat e tij për Ahmetin nuk kishin fund.

“Ahmeti është politikan i mençur dhe me përvojë. Unë si më i ri ndoshta do të mësoj ose do të marr ndonjë specifikë pozitive nga ajo bisedë. Absolutisht e respektoj si politikan dhe si njeri. E di se nga ajo bisedë do të marrim të dy benefite pozitive për partitë tona dhe për Republikën e Maqedonisë. Pres bisedë konstruktive dhe kuptimplote të dy miqve që tani po njihen dhe shpresoj se kjo do të bëhet praktikë e jona dhe në të ardhmen që të kemi takime më të shpeshta”, tha Mickoski.

Ai nuk ka kursyer fjalë miradije as për BDI-në si subjekt politik, që poashtu është për t’u çuditur, kur dihet se kjo parti bëri koalicion me rivalin kryesor të saj pas zgjedhjeve të fundit.

Pastaj si mos të parashtrohet pyetja se prej nga buron gjithë ky respekt i VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj Hristijan Mickovski për Ali Ahmetin dhe për BDI-në, në kohën kur kjo parti i është kthyer politikës antishqiptare me 35 mijë nenet e saja kundër Ligjit për gjuhët, që edhe ashtu gjuhën shqipe në Maqedoni nuk e avancon as në gjysëm kundrejt statusit të serbishtes në Kosovë, për shembull.

Prej nga ky respekt i madh i Mickovskit për Ali Ahmetin, në këtë moment kur kryetari i BDI-së po pranon e po ndan dekorata për luftën e UÇK-së, kur dihet se sa e urren UÇK-në partia e Mickovskit, VMRO-DPMNE-ja?

A nuk po na detyron kjo të dyshojmë se “filmat” me UÇK e me komandanta janë vetëm përralla të Ali Ahmetit për të mashtruar shqiptarët, kurse esenca e politikës së tij është që të zhvleftësojë në maksimum luftën e UÇK-së në vitin 2001 dhe të ruajë sa më gjatë pozitën e maqedonasve si sundimtarë të shqiptarëve të Maqedonisë? A nuk po shihet qartë se këtu qëndron shkaku pse Ahmetin dhe BDI-në e duan dhe e ndihmojnë edhe maqedonasit e djathtë, edhe maqedonasit e majtë, edhe ata të qendrës? Po shihet qartë se pse çdo maqedonas që i urren shqiptarët e don BDI-në. Sepse është BDI-ja subjekti që po ua mundëson maqedonasve të shfrytëzojnë beneficionet shtetërore në kurriz të shqiptarëve sikur të jenë 100 për qind e popullatës në Maqedoni, e jo vetëm 63 për qind (zyrtarisht), e ndoshta as aq!

Loading...