Publikohen katër projektet fituese nga Fondi i filmit në Maqedoni

Katër projekte shqiptare janë përzgjedhur nga Fondi i Filmit të Maqedonisë si fituese në konkursin më të fundit të këtij institucioni për financimin e projekteve filmike me interes nacional. Bëhet fjalë për katër filma që kanë fituar në kategoritë e filmit me metrazh të gjatë dhe të shkurtër dhe atij dokumentar, njofton gazeta KOHA.

Për herë të parë një film me producent dhe regjisor shqiptar fiton në kategorinë e filmave me buxhet të kushtueshëm, përkatësisht filmi “Ndoshta” (Dardania Film) me regji nga Kastriot Abdyli dhe skenar të Simenon Damevskit dhe Tom Uoters. Në këtë kategori kanë fituar tre filma gjithsej me nga një buxhet prej 30 milionë denarë, ndërsa filmi i Abdylit do të financohet me 20 milionë denarë. Në kategorinë e dytë, atë të filmit dokumentar me metrazh të gjatë – është përzgjedhur filmi i regjisorit Senad Abdyli “Përjetime të njëjta nga perspektiva të ndryshme”, si një prej pesë dokumentarëve fitues, realizimi i të cilit do të financohet me një buxhet prej 3 milionë denarë. Në kategorinë e filmit dokumentar me metrazh të shkurtër fitues është një projekt i produksionit “Oda” nga Tetova i titulluar “Romeo dhe Zhuljeta” me regji dhe skenar nga Aleksandër Rusjakov. Fitues në kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër është filmi “Liqeni” i produksionit “Dea” nga Tetova me regji të Bajram Bajramit dhe Fatos Lumanit dhe skenar të Arben Thaçit (1.800.000 denarë), si një prej tetë firmave fitues në këtë kategori dhe njëherazi me buxhet më të madh.

Rezultatet e afatit të parë të këtij konkursi janë publikuar këto ditë, me një vonesë gati një mujore.

Në konkursin e shpallur në muajin shkurt, siç bën me dije Agjencia e Filmit, janë prezantuar gjithsej 79 projekte ne kategoritë dhe nënkategoritë e ndryshme, prej të cilëve janë përzgjedhur vetëm 24 fitues.

Loading...