Fadil Lepaja
Titulli, edhe mund të ju duket, i vënë, sa për të qeshur. Por, nuk është! Është më tepër për të u qarë me lot. Kryeministri i vendit, tha këto ditë, krejt seriozisht, se Kosova ka punë të brendshme, madje, me të njëjtin rast pa e rrahur qerpikun, tha se askush nuk mund të përzihet në këto punë. E kuptoj, idenë . Po mendoni se ky mund të jetë veç një “shpërthim” i zakonshëm satirik, i imi, por nuk është. E ka thënë, kryeministri. Madje ai i duke qenë i bindur se po e thotë një të vërtetë të ditur botërisht, i thotë kryetarit të Turqisë, se nuk i njeh shqiptarët, edhe përkundër 500 vjetëve pushtim nga ish-perandoria. I thotë se askush nuk mund të përzihet në punët tona të “shtëpisë” dhe përkundër faktit se në bashkëpunim me kreun e shtetit të Kosovës, të cilit në biografi i shkruan se është shqiptarë, dhe në bashkëpunim me kreun e inteligjencës, policisë së shtetit, e kush e di çfarë segmentesh të tjera, arrestoi në Kosovë, gjashtë pjesëtarë të një organizmi humanitar, e arsimor, për të cilin ai insiston se janë terrorist. Çka ka të brendshme këtu? E nëse pyesim a ka këtu diçka inteligjente, mund të thuhet se ka. Edhe arrogancë, ka, aq sa shihet nga kozmosi. Edhe të drejtën për me bë çka dojë vet në Kosovë, e ka, sepse kryetari i këtij vendi, gjithsesi mik, këtë të drejtë e merr nga kozmosi, sepse kushtetuta e Kosovës, as ligjet në fuqi nuk ja lejojnë këtë. Në kushtetutë dhe në ligje flitet për një Kosovë tjetër, laike, por kush i lexon ato, sot. Në Kosmos, nëse jo në secilin prej nesh, thuhet se banon, Zoti, dhe vullnetit të tij vështirë me ju kundërvu, kushdo qoftë, në një vend, ku është ngatërruar besimi dhe shkenca, ideologjitë mesjetare dhe ato moderne, ku nuk dihet cili flamur duhet të valojë në cilën shtyllë, apo nuk dihet se para më se 500 vitesh për çfarë Gjergj Kastrioti ishte arratisur nga Stambolli, me 300 kalorës dhe se a kishte të bënte kjo punë fare me republikën e Kosovës, apo vetëm me atë të Shqipërisë. Jo nuk është hajgare! kryeministri, duket se me të vërtetë beson se Kosova ka punë të brendshme, në të cilat nuk mund të përzihet askush, dhe unë për vete e kam shumë të vështirë të e kuptoj se për cilat punë është duke menduar me të vërtetë? Më thoni, veç një “punë të brendshme” nga bashkësia lokale, deri të institucioni i presidentit, ku nuk mund të përzihet askush, nga jashtë? Në cilat punë, të Kosovës nuk mund të përzihet askush? A punon shteti diçka tjetër përpos që “menaxhon” taksat, dhe lundron pa timonier në detin e trazuar të dhjetëra shërbimeve sekrete, e (jo)sekrete, që krijojnë kriza, e shumë stres tek qytetarët e izoluar të këtij vendi, ku mund të hyj kush të dojë e nuk mund të del askush, nga Kosova, pa një mal me dokumente dhe (mos)pëlqime nga byrokracija publike dhe sekrete evropiane. Ndal, Ramush! Presidenti Turk, në Prizerenin, qysh në vitin 2013, në prani të kryeministrit të Kosovës, dhe atij të Shqipërisë, madje edhe kandidatit për kryetarë të qytetit të Prizrenit, shumë të ndershmit, z. Ramadan Muja, kishte thënë plot entuziazëm se: “Jemi njerëzit me një kulturë dhe një histori të përbashkët. Mos e harroni këtë, Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi”. Sot, kryeministri i Shqipërisë, është ende kryeministër, ai i Kosovës është bërë president, ndërsa Ramadan Muja, pasi u zhagit në dy mandatet nëpër gjykata, për korrupsion, askush nuk pati mundësi të e shkarkojë. Ju pretendoni se mund të shkarkoni, drejtorin e inteligjencës, e ndoshta edhe presidentin?! Ramush! Pra, 2013-a, dukej, sikur një aheng, dhe kryeministri i atëhershëm dhe presidenti i tashëm i Kosovës, dukej se nuk ka dashur të prishë marrëdhëniet me mikun e madh. Po, nuk duhet prishur marrëdhëniet me miqtë, sidomos nga ata që të duhen edhe në të ardhmen, por këtu vijmë te mospajtimet Hashim-Ramush, lidhur me miqtë, pastaj edhe presidenti nuk e konsideron se Kosova ka punë aq të brendshme, në të cilat nuk mund të involvohet , miku i madh, “vëllau” i tij, i cili mendon se Kosova është Turqi, dhe se kryeministri i Kosovës duhet të skuqet, që nuk e pranon këtë fakt. “Jazëk”, e shau, ai këto ditë, kryeministrin Haradinaj. E presidentit … “aferim”! Sidoqoftë, pas shumë llafeve, kryeministri duket se arriti të ndërrojë ministrin e punëve të brendshme, të cilin edhe ashtu policia nuk e pyet për asgjë, por jo edhe drejtorin e shërbimit sekret, për të cilin sipas kushtetutës duhet të pyetet edhe presidenti i Turqisë, më falni, desha të them, presidenti i Kosovës. Presidenti, si duket nuk po pranon që i njëjti të shkarkohet, vetëm se nuk e ka njoftuar kryeministrin e vendit, për një operacion rutinë, të dy shërbimeve si motra, atij turk dhe atij kosovarë. Nuk mjafton, që presidenti e dinte, Ramush?! Lufta kundër terrorizmit, është obligim i të gjitha shërbimeve sekrete dhe publike, dhe presidenti i Kosovës ishte pajtuar, gjatë vizitës në Turqi, se ata që janë terrorist në Turqi janë edhe në Kosovë. A mund të jetë ndryshe? Për shembull, dikur, presidenti i vendit ishte terrorist, për Serbinë, por kështu nuk mendonte edhe shteti i Zvicrës. Nuk ja anuloi leje qëndrimin. Edhe kryeministri aktual, e kishte shijuar (jo)vërtetësinë e kësaj thënie presidenciale, kur ishte ndaluar disa muaj në Francë, për shkak të një fletarrestim ndërkombëtarë të lëshuar nga Serbia. Pastaj, ai u bë kryeministër. Pra, paska terrorist dhe “terrorist”, siç paska president dhe “president”! Çfarë ndodhi, në Kosovë, këto ditë kur gjashtë personalitete të arsimit “kosovarë”, të cilët, meqë ra fjala, e kishin “arsimuar” edhe vet të birin e presidentit të vendit, lidhen sikur kriminel dhe me procedurë të përshpejtuar, përfundojnë në burgjet e Turqisë, ku rrezikojnë edhe të dënohen me vdekje? Është kjo punë e brendshme, e Kosovës, apo jo? Kjo tash, Ramush, është punë e brendshme e Turqisë, dhe aty nuk përzihet dot askush. Sa qel e mshel sytë, punët tona të brendshme, u bënë të Turqisë! Kush ka faj, këtu? Kur, me një shtet të jashtëm bashkëpunon presidenti, askush nuk mund të merret në përgjegjësi, nëse presidenti nuk e ka shkelur kushtetutën dhe ligjet. I ka shkelur, kushtetutën dhe ligjet, presidenti? Këtë përgjigje mund të e japin gjykatat, jo politika. Ka aq fuqi, gjykata? Nëse, dikush me siguri, ka faj, në krejt këtë mesele, faj kanë, të depërtuarit, të cilët besuan, se mund të strehohen në një vend si Kosova e cila nuk ka punë të brendshme, as të jashtme…! S’ka punë, hiç! Është veç humor i zi, në geto!

Loading...