Presidenti i SHBA Donald Trump ka akuzuar OPEC se po mbështet rritjen e çmimit të naftës. Por me këtë qëndrim të homologut të tij amerikan nuk është dakord Presidenti rus Vladimir Putin, i cili thotë se është administrata e Trump që shkaktoi rritjen e çmimit të naftës së papërpunuar.

“Ne patëm një takim shumë të mirë me Presidentin Trump në Helsinki”, tha Putin në Forumin e Javës së Energjisë Ruse. “Por nëse do të kishim folur për [naftën], do t’i thosha se nëse dëshiron të gjejë fajtorin për rritjen e çmimeve: Donald, atëherë duhet të shikohesh njëherë në pasqyrë”, shtoi ai.

Putin tha se rritja e çmimit të naftës në 85 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2014 ka ndodhur për shkak të faktorëve të jashtëm politik.

“Kjo përfshin pritjet e tregut rreth sanksioneve mbi Iranin, të cilat janë absolutisht të paligjshme dhe të dëmshme për ekonominë botërore. Ekziston gjithashtu një rënie në prodhimin e Afrikës së Veriut për shkak të një numri rrethanash politike (lufta civile, etj.). Rënia e prodhimit në Venezuelë ndodhi edhe për shkak të arsyeve të brendshme politike dhe kufizimeve të imponuara atje. Shikoni se çfarë ndodh në Libi – shteti është shkatërruar, kjo është rezultat i politikës së papërgjegjshme”, tha udhëheqësi rus, duke fajësuar indirekt Trump.

Por, Putin shtoi se Trump ka pjesërisht e drejtë në vlerësimin e tij se ku duhet të jenë çmimet e naftës dhe kompanitë ruse do të jenë të kënaqura me 65-75 dollarë për fuçi. “Rusia mund të rrisë prodhimin e naftës me 300,000 fuçi në ditë, nëse është e nevojshme”, tha Putin.

Ndërkohë në shtator, vendi prodhoi një sasi rekord të naftës në historinë e saj moderne, pasi prodhimi u rrit në 11.36 milionë fuçi në ditë.

Loading...