Problemi kryesor i teatrit shqiptar është infrastruktura. Për regjisorin Qëndrim Rijani sot në teatro ka produksione, por investimet në infrastrukturë kanë sjell probleme me jetën artistike. Këto ditë regjisori Qëndrim Rijani është në Teatrin Metropol për audicionet me veprën “39 hapat”, dhe janë jo pak aktorë që janë pjesë e tij. Në intervistën e tij regjisori Rijani flet për punën që ka nisur me veprën me re, që do të jetë pjesë e sezonit artistik, dhe tregon se është e vështirë. Por kur flasim për teatrin, regjisori Rijani i cili zhvillon një aktivitet artistik në Maqedoni, Shqipëri apo dhe Kosovë tregon se problemi qëndron te politikanët shqiptarë. Sipas tij, ata nuk e njohin teatrin dhe duke mos ardhur në teatër nuk i kushtojnë rëndësi. Në intervistën e tij regjisori ndalet dhe në problemet me dramaturgjinë shqipe, që sipas tij fillon që nga mungesa e një shkolle për dramaturgët.

Keni nisur audicionet për veprën e autorit Patrick Barlow “39 hapat”, që do të jetë në sezonin artistik të Teatrit Metropol. Jeni shprehur se është një vepër e vështirë. Pse?

Kjo vepër e autorit Patrick Barlow është e vështirë, shumë komplekse dhe për një lloj teatri dokuteatër, që nuk është eksperimentuar tek ne. Nuk po e shpik unë për herë të parë, por këtu në trojet tona nuk është eksperimentuar një teatër i tillë. Ndaj kam dhe problem në përzgjedhjen e aktorëve  me ato karaktere, që duhet të luhen, por shpresoj që nga ky brumë aktorësh në audion ne do të gjejmë të duhurit. Unë kam thënë që do të vazhdoj audicione dhe një muaj deri sa të gjejmë njerëzit e duhur. “39 hapat” ka kaluar si vepër në Teatrin Metropol në programin e vitit për sezonin artistik. Unë e kam njohur dhe më parë këtë vepër, mendoj që është nga ato që shumë regjisorë dhe unë e kam menduar disa herë që të merrem me të apo jo, sepse është “e frikshme” për regjisorët.

Ky vit nisi për ju si regjisor me vlerësime në festivale të teatrit. Një regjisor me këto vlerësime në çfarë përgjegjësie vihet në jetën artistike?

Më herët në Shqipëri jam nderuar me çmimin “Kult”. Në Maqedoni po ashtu u shpalla si Regjisor i Vitit, por unë mbase i mora shumë herët këto çmime në teatër. Në raport me moshën si regjisor besoj se është herët për mua. Unë vij sërish në Tiranë pas vitit të kaluar, që isha me shfaqjen “Gënjeshtër pas gënjeshtre”, por vij me më shumë përgjegjësi. Ata njerëz më kanë dhënë çmim dhe presin që unë të mos zbres poshtë vlerës së shfaqjes, që e kam marr atë vlerësim, por të jem mbi atë vlerësim. Ndaj dhe përgjegjësia e çmimeve është një dozë sikleti në përzgjedhje në konceptimin e shfaqjes së radhës.

Në trojet shqiptare jeni nga regjisorët aktivë. Jeni me shfaqjet tuaja në Tiranë, Korçë, Maqedoni apo dhe më gjerë. Për ju me çfarë vështirësish përballet jeta artistike e teatrit?

Unë jam aktiv në trojet shqiptare, ku vitin që kaloi e mbylla me katër premiera shqiptare. Dy ishin në Shqipëri, dhe dy në teatrin në Maqedoni. Bota shqiptare pavarësisht tendencave të ndryshmeve që kemi ne si teatro me njëri-tjetrin është e njëjtë, qoftë nga problematikat që na shoqërojnë në teatro apo dhe të mirat që kemi.

Regjisorë dhe aktorë nga Shqipëria kur përmendin teatrin bëjnë krahasime me Maqedoninë dhe thonë që atje janë të shumta investimet?

Duhet të kemi parasysh që kur të marrim shembull Maqedoninë ajo është e ndarë mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe disa komuniteteve të tjera. Kur marrim shembull Maqedoninë duhet të kemi parasysh investimet, që ka bërë shteti në teatrot maqedone. Ka dallim mes investimeve që kanë bërë në teatrot maqedonase dhe atyre shqiptare. Prandaj unë them që bota shqiptare është e njëjtë. Teatrot shqiptare në Maqedoni nuk kanë ndonjë dallim të madh me ata që janë në Shqipëri apo Kosovë, qoftë edhe nga buxheti. Unë po them që Teatri Shqiptar në Shkup, që është tani në rinovim nuk ka shumë buxhet ose ka sa Teatri Kombëtar në Tiranë. Besoj që Prishtina ka një buxhet më të madh. Në vetvete unë mendoj se në të tre vendet tona, ku ne jetojmë si shqiptarë deri në momentin, që kemi udhëheqës politik ministra, të cilët nuk vijnë të paktën një herë në javë në teatër, opera, apo nuk vizitojnë me fëmijët e tyre institucionet kulturore, nuk arrijnë të konceptojnë kurrë se sa është e nevojshme ti përkushtojnë më shumë rëndësi fushës së artit dhe kulturës. Ky është problemi mbarëshqiptar, institucionet mbarëshqiptare kanë këtë problem. Ne si artistë para se të flasim rrugëve dhe kafeneve për rritje buxheti duhet të shkojmë ti marrim përdore në tre parlamentet tona që kemi politikanët shqiptarë dhe ti sjellim në teatër. Ne duhet t’iu ofrojmë atë që ne kemi përgatitur për skenën, që ata të kuptojnë se ne kemi nevojë për më shumë. Në momentin se politikanët do të kuptojnë se ne kemi akoma nevojë për më shumë, atëherë do të bëjnë krahasime me vendet e tjera që janë në Ballkan për të rritur buxhetin të paktën për tu krahasuar me ta.

Në këto tre vite që kaluan artistët e ndryshëm shprehin pakënaqësi mbi punën, që u bë për teatrin. Sipas tyre, problemet vijojnë dhe asgjë nuk ndryshon…

Unë jam nga dy këndvështrime. I pari është që unë kam mbaruar shkollën në Tiranë dhe u bënë  vite që e njoh botën kulturore në Shqipëri. Nga ana tjetër, unë e njoh botën kulturore nga ana e të parit, por nuk e njoh nga ana e të jetuarit në këtë fushë të kulturës në Shqipëri. Mendoj që absolutisht ka vend për tu bërë shumë për teatrin. Kemi aq shumë probleme në fushën e teatrit, që duhet të zgjidhen. Nuk e di nëse është realizuar nga Ministria e Kulturës, nga drejtorët e vënë në teatro ajo që kanë premtuar, por po e them me sinqeritet që jam i bindur se është më mirë se sa ka qenë. Këtë e them nga këndvështrimi i një regjisori, që punon një shfaqje dhe ikën, pra nuk jeton këtu me botën artistike.

Ju përmendët problemet e teatrit, ku i gjeni ato?

Të parin problem që shikoj në Shqipëri përtej buxheteve është infrastruktura. Nuk e di pse ne artistët duhet të flasim për buxhete. Buxheti është çështje ekonomike. Ne duhet të kemi ekonomistë dhe menazhues arti, që të flasin për buxhetet. Unë si regjisor flas për infrastrukturën e munguar. Mendoj që sot teatri shqiptar në Shqipëri, të dy kombëtarët që ne kemi kanë produkt dhe produksion shumë të tepër se sa mundësitë që kanë. Por fatkeqësisht nuk kanë infrastrukturë. Nuk mund të menaxhohet një sallë teatri nga pesë shfaqje, që vihen njëkohësisht. Tirana sot bashkë me rrethinat ka afër një milionë e gjysmë banorë, dhe nuk mundet tre salla teatri të absorbojnë gjithë këtë publik. E kam thënë dhe më parë sot Tirana kërkon më shumë salla dhe infrastrukturë. Ky është problemi, që shikoj unë nga ana regjisorit. Problemin nga ana ekonomike le ta kalkulojnë njerëzit, që merren me buxhetet. Kushtet që mungojnë në teatro lidhen dhe me infrastrukturën. Mungesat në infrastrukturë janë problemet kyç në teatro. Këtu kanë munguar investimet dhe kjo është problem. Kur ne si artistë kërkojmë për teatrin, duhet ti kërkojmë zgjidhje për problemet njerëzve, që na kuptojnë. Problemi kyç i joni është, që ne të sjellim politikanët që të na shohin në teatër, dhe duke na parë ata na kuptojnë dhe për problemet që ne kemi me teatrin.

Drama shqipe është pohuar një problem kombëtar. Në gjykimin tuaj si e shikoni?

Drama shqipe dhe për mua është një problem kombëtar. Ne mund të flasim gjithë ditën. Por sot duhet të marrim shembullin e botës. Unë vetë tani po punoj një vepër në të cilën dramaturgët kanë qenë pjesë e procesit. Është e vërtetë që ne kemi romancier shumë të mirë, poetë shumë të mirë, por për mua dramaturgjia është fusha më e vështirë e letërsisë. Dhe ne jemi në një kohë ku duam të krahasohemi me Europën dhe botën, por në dramaturgji nuk kemi dramaturgë me shkollë. Dramaturgjia nuk është fushë letrare që mjafton vetëm delli krijues për të shkruar poezi. Sot nuk ka shkollë në botë për tu bërë poetë as romancier, por ka për dramaturgë, sepse dramaturgu apo dramaturgjia është një fushë e letërsisë, që ka dhe një matematikë. Duhet të merren masat që ne shqiptarët ata dramaturgë që i kemi me dell krijues t’iu ofrojmë mundësi specializimi në shkolla të fuqishme të dramaturgjisë. Një tjetër variant, ku bëhen procese laboratore, ku merret dramaturgu me një grup regjisorësh dhe aktorësh në teatër dhe fillojnë një proces pune. Ky fillon nga një tekst zero deri në atë që prodhon një shfaqje. Unë e kuptoj brengën e madhe të dramaturgëve shqiptarë që ngrenë zërin pse nuk funksionon dramaturgjia shqiptare, kuptoj dhe brengën e madhe të regjisorëve që i përkas unë, dhe aktorëve që gjithmonë e shohin me dyshim një tekst shqiptar. Edhe njëherë po e them, kemi krijues shumë të mirë, histori të mira, sepse jemi një popull që brenda ditës prodhon dhe i riprodhon me qindra histori të bukura. Nuk do të thotë që një histori funksionon në letër funksionon dhe në skenë, sepse për në skenë duhet struktura, që ne herë pas here si regjisorë na mungon në veprat tona dramaturgjike. Nuk dua të kritikoj dramaturgët tanë, ka shumë vepra që unë i kam lexuar dhe i kam në plan për ti vënë në skenë. Por problemin e dramaturgjisë shqiptare nuk mund ta zgjidhë një regjisor apo dramaturg, pasi është aq i madh sa i duhet krijuar një mekanizëm që ne të kemi vepra cilësore dramaturgjike. Por më pas duhen dhe disa regjisorë të guximshëm për të punuar dramaturgjinë shqiptare./sot.com.al

Loading...