Qeveria e Kosovës, ndër më të mëdhatë në Evropë

Qeveria e Kosovës përbëhet nga 19 ministri dhe 21 ministra, pasi 2 ministra janë pa portofol, gjë e cila e bën Kosovën njërin ndër vendet me numrin më të madh të ministrive në Evropë, pavarësisht faktit se Kosova është edhe vendi më i varfër në Evropë.

Kështu, pas Kosovës me numrin më të madh të ministrave në rajon është Shqipëria me 19 ministra, pastaj Serbia me 18, Mali i Zi me 16 dhe Maqedonia me 14 ministra. Edhe shtetet e zhvilluara evropiane kanë më pak ministra sesa Kosova. Franca ka 18 ministra, Norvegjia 15, Gjermania 14, Austria 13, kurse Zvicra ka vetëm 7, shkruan gazeta Zëri.

Opinionisti Fadil Lepaja ka thënë se numri i madh i ministrive dhe pozitave të larta është bërë me qëllim të rehatimit të elitave partiake. Madje, sipas tij, nëse krahasohet numri i ministrive në Kosovë me ato në Zvicër e kupton situatën tragjikomike që ekziston në Kosovë.

 “Gjithsesi numri i ministrive dhe pozitave tjera të larta politike në to si zëvendësministra, këshilltarë etj, është tepër i madh dhe është ndërtuar si i tillë ky sistem për të rehatuar një numër të madh të elitës partiake, e cila jeton nga politika dhe përfiton nga ajo. Vetëm krahasimi në mes të Zvicrës dhe Kosovës në këtë plan mjafton për ta kuptuar se sa tragjikomike është gjendja në këtë fushë”, ka vlerësuar Lepaja.
Loading...