Është masë e gabuar e qeverisë për shfuqizimin shtesave për fëmijën e tretë dhe zëvendësimi i saj me ndihmë vetëm njëherë për çdo fëmijë të lindur, vlerëson eksperti për çështje ekonomike dhe akademiku, Izet Zeqiri.
Sipas tij, kjo masë që propozohet nuk mundet te krahasohet me të drejtën që kanë pasur prindërit të cilët 10 vite kanë marrë kompensim për fëmijën e tretë mbi 8000 denarë.

“Nuk di çfarë analizash ka bërë ministria e Punës dhe Politikës Sociale por këto masa që kanë qenë deri tash kanë pasur efektin e vetë në rritje e natalitetit. Gjykuar në bazë të numrave të të lindurve qeveria ndoshta i frikohet natalitetit të shqiptarëve sepse shtesat për fëmijën e tretë dukshëm e kanë nxitur natalitetin e shqiptarëve veçanërisht në regjionet dhe komunat ku jetojnë shqiptarët. Shih tabelat vetëm për vitin 2017. Ti kujtojm masat diskriminuese të politikës popullative të ish- Jugosllavisë, ku organet federative dhe ato republikane zbatonin politik popullative dualiste, një për popullsinë shqiptare dhe një tjetër për popullsinë jo shqiptare. Politikës popullative dualiste në ish-Jugosllavi, i parapriu Maqedonia me nxjerrjen e Rezolutës mbi politikën popullative në RS të Maqedonisë (publikuar në Gazetën Zyrtare të RSM nr. 48/1987). Politika popullative kishte karakter të dyfishtë, sepse për shqiptarët proklamohej politika popullative ANTINATALISTE (kundër natalitetit), kurse për popullsinë jo shqiptare politika popullative PRONATALISTE (rritjen e natalitetit). Kjo politikë ka qenë e përcjellur me masa që janë zbatuar në jetën praktike. Prindërit tanë tregojnë për këshillimet dhe tryezat e rrumbullakëta për legalizimin e këtyre masave për shqiptarët. Me këto rezoluta parashihej planifikimi i familjeve, duke propozuar modele të familjeve me qëllim të përkufizimit të fëmijëve. Planifikimi i familjeve shqiptare, parashihte kufizimin e fëmijëve deri në tre që nënkuptonte se vetëm tre fëmijë gëzonin të drejtën e shtesave fëmijërore, të drejtën për punë, të drejtën për mbrojtje shëndetësore etj. Këto forma të politikës popullative kanë qenë diskriminuese ndaj shqiptarëve si kolektivitet, duke ua mohuar të drejtat më elementare kombëtare dhe njerëzore”, ka shkruar Zeqiri.

Loading...