Kryeparlamentari Talat Xhaferi do të udhëheqë me Trupin koordinues për zhvillimin e Referendumit në nivel shtetëror dhe për zhvillimin e propagandës politike. Anëtarë të trupit do të jenë nënrkeytarët e Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare. Të ndarë në tre kategori, “për”, “kundër” dhe “bojkot”, deputetët do të përfshihen në fushatë, duke shfrytëzuar mjetet të cilat do të sigurohen për fushatën dhe të cilat do të ndahen proporcionalisht për të tre grupet.

Kuvendi

“Kuvendi, do t’u japë mundësi të gjithë deputetëve të cilët janë “pro”, “kundër” ose “bojkot” që në Referendum proporcionalisht sipas prononcimit, të jenë të përfaqësuar dhe para publikut të mund t’i shprehin qëndrimet dhe argumentet e tyre.”

Në komunikatën e ligjvënësit thuhet se në koordinimin e sotëm të rregullt në Kuvend, mes kryeparlamentarit, nënkryetarëve dhe koordinatorëve po ashtu është vendosur që përmes shkresës, Kuvendi t’i drejtohet Qeverisë së RM-së për sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e fushatës publike. Për këtë do të hapet llogari e posaçme bankare.

Edhe në koordinimin e sotëm të rregullt, nuk mori pjesë koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Megjithatë për vendimet në koordinim dhe për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme për zhvillimin e propagandës publike, opozita maqedonase do të kontaktohet nga vetë Xhaferi, brenda ditës.

Qeveria nga ana tjetër konfirmon se në seancën e fundit, është miratuar shuma e mjeteve që është mbledhur nga arkat e ministrive dhe që do të vendoset në dispozicion të Kuvendit për fushatën.

Qeveria

“Në seancën e sotme, Qeveria solli vendim me të cilin angazhoi Ministrinë e Financave për të përpiluar propozim-vendim për sigurimin e 80 milion denarëve nga rezerva buxhetore të cilat do të vendosen në dispozicion të Kuvendit, si propozues i autorizuar i referendumit, për zbatimin e fushatës, në bazë të një plani të miratuar.”

Me një shumë të caktuar dhe të posaçme të mjeteve, fushatë informative do të zhvillojë edhe vetë Qeveria, nëpërmjet konferencave për shtyp, takimeve me qytetarët, rrjeteve sociale, etj. Është njoftuar se për një pjesë të këtyre aktiviteteve, do të ndahen 400 mijë denarë nga buxheti i rregullt i sekretariatit të përgjithshëm të Qeverisë.

Loading...