Sot u përurua ambulanca në fshatin Polluzhë të Komunës së Rahovecit. Të pranishëm në hapje ishin zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, dhe i pari i Rahovecit, Smajl Latifi. Të dy, funksionalizimin e këtij objekti shëndetësor e vlerësuan si të nevojshëm për Polluzhën dhe fshatrat përreth. 

Zëvendës ministri i shëndetësisë Ali Berisha dhe Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, u priten me duartrokitje nga stafi mjekësor dhe banorët e fshatit, për të bërë prerjen e shiritit.

Berisha gjatë një koktej rasti tha se hapja e kësaj ambulance është dëshmi se në Kosovë po zgjerohet rrjeti i shërbimeve shëndetësore efikase për qytetarët.

“Ju keni vërejt që shumë shërbime shëndetësore që nuk janë ofruar më parë në Kosovë, sot po kryhen. Shumë pacientë që janë trajtuar në spitale jashtë vendit, ose në spitale private, sot marrin shërbime në institucionet publike në Kosovë”, deklaroi Berisha.

I pari i Rahovecit, Smajl Latifi tha se kjo ambulancë ka qenë nevojë për fshatin nga i cili kanë dalë kuadro të mjekëve të suksesshëm.

“Natyrisht është objekt shëndetësor i rëndësisë së veçantë sipas bindjes sime, sepse qytetarët e këtij vendbanime kanë nevojë për shërbime dhe Polluzha ka traditë në mjekësi”, deklaroi Latifi.

Mjekja e cila do të kryej shërbimet në ambulancën e re, Liridona Krasiniqi tha se tani banorët e Polluzhës të kenë mundësi të kryejnë shërbime shëndetësore pa pasur nevojë të bëjnë kilometra.

“Ka qenë shumë e rëndësishme për banorët e këtij fshati. E drejtë elementare e secilit qytetar dhe banori të Kosovës është  të kenë një qasje sa më të mirë në shërbime shëndetësore”, deklaroi mjekja Liridona Krasniqi.

Në ambulancën e fshatit Polluzhë do të mund të kryhen shërbime 5 ditë pune. Nga e hëna në të premte do të jetë i pranishëm një teknik, ndërsa mjekja tre herë në javë./Telegrafi/

Loading...