Biznes

Rakia maqedonase po depërton në tregun rus

raki-maqedoni_1478697412-7427415

Rakia nga Maqedonia, prodhimet e qumështit dhe industria e konservave janë më atraktive për tregun rus, por edhe turizmi, së bashku me gastronominë, është midis sektorëve potencialë të cilët mund ta avancojnë këmbimin tregtar mes dy vendeve.
Siç u tha sot në konferencën për shtyp në të cilën Oda Ekonomike Maqedoni-Rusi dhe “Makedonski dom” nga Moska nënshkruajtën Marrëveshje për bashkëpunim, para se të realizohet çfarëdo lloj eksporti për Rusinë, prodhimet nga Maqedonia duhet të kalojnë përmes procesit të certifikimit.

“Certifikimi i rakisë filloi në maj. Shpresojmë se për një muaj veçmë do të eksportohen sasitë e para në Rusi”, theksoi drejtoresha e përgjithshme e “Makedonski dom” Inna Vlladimirovna Zharova.

Lidhur me turizmin, Oda dhe “Makedonski dom” theksuan se mospasja e çarter fluturimeve të drejtpërdrejta është ende pengesë kryesore për zhvillimin e tij. Vëllimi i këmbimit tregtar, madje, vazhdimisht po shënon rënie në disa vitet e fundit, edhe pse eksporti nga ana e Maqedonisë shënon rritje.

“Në gusht të këtij viti Maqedoninë e kanë vizituar vetëm 551 mysafirë nga Rusia ose 0,9 për qind nga numri i përgjithshëm i turistëve që është shumë i vogël dhe rezultat i parëndësishëm. Për këtë arsye, posaçërisht do të angazhohemi në këtë sferë”, theksoi kryetari i Odës Ekonomike Maqedoni-Rusi Gjorgji Dika.

Për promovim më të madh dhe prezantim të Maqedonisë para konsumatorëve rusë, deri në mas të vitit 2017 do të xhirohen reportazhe nga vendi të cilët do t’i shfaqin bukuritë natyrore, potenciale gastronomike dhe ekologjike, traditën, prodhimtarinë e ushqimit, pijet…

Marrëveshja për bashkëpunim që e nënshkruan Oda dhe “Makedonski dom” ka për qëllim t’i ndihmojë biznesit të Maqedonisë që të jetë sa më i pranishëm në tregun rus, përmes organizimit të kontakteve të drjetëpërdrejta me biznesmenë nga Rusia, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, konferenca, vizita të përbashkëta në manifestime të panaireve…

Maqedonia momentalisht në Rusi eksporton prodhime nga sektori bujqësor-ushqimor dhe farmacia. Sipas statistikës, këmbimi deri në fund të shtatorit shënon rënie për 12,2 për qind. Të dy vendet kanë tregtuar mall në vlerë prej 129,5 milionë dollarë, ndërsa vitin e kaluar kjo shumë ka qenë 147,6 milionë.

Kompanitë nga Maqedonia kanë plasuar 8,9 milionë dollarë më shumë mall. Janë eksportuar prodhime për 32,2 milionë dollarë ose 38,4 për qind më shumë nga viti 2015.

Jashtëzakonisht është zvogëluar deficiti tregtar nga ana e Maqedonisë dhe në këtë periudhë është 65 milionë dollarë.

“Makedonski dom” punon me Maqedoninë 10 vite. Hyri përmes biznesit turistik, duke realizuar disa çarterë deri në Ohër, ndërsa pastaj, me mbështetjen që ende e ka nga Ambasada e Maqedonisë në Moskë, e zgjeroi bashkëpunimin në më shumë nivele./MIA/

To Top