Rama me papuçe “Gucci”, në 10-vjetorin e Pavarësisë

Nejse, Edi, duhet pranuar se na tronditi këto ditë me imagjinatën e tij të bujshme, e cila siç e thotë edhe vet, i ikën veç dhjetë vite përpara. Kurdise imagjinatën, Edi, bëje me Evropën qendrore

Nga Fadil LEPAJA
Po e prodhoj edhe unë, një “fake news”! Nuk bëhet më nami! Gjithsesi, do të ishte lajm, ndërkombëtar, e sidomos mbarë kombëtar sikur Edi të vinte me papuçe “Gucci”, në Prishtinë, në festen e dhjetëvjetorit të pavarësisë, ende të mbikëqyrur, të Kosovës! Në Evropë pat shkuar me atlete, e me kollare, të kuqe, euro-socialiste, e një herë besa edhe me t-këmishë, apo ishte me maicë, si i themi në Kosovë.
Ja, sido që ta hapësh llafin, vijmë mu te çështja e dallimeve brenda kombëtare. Kur harxhohen të gjitha, kombi nuk harxhohet, se kombi nuk është sapun, prandaj mund të lash e shpërlash me të gjithçka, përfshi edhe lekët.
Kur jemi te Edi, kjo dihet. Edi do me ra në sy gjithqysh, dhe me çdo kusht. Ndërkaq, unë jam i vetëdijshëm se ideja me papuçet, nuk është kushedi sa origjinale, përveç faktit që kënga për papuçet “Gucci”, po merr shumë miliona klikime. Pastaj, po të kishte ardhur me papuçe “Gucci”, të gjithë do e kishin komentuar se, Edi në Prishtinë, po ndihet në shtëpi, sikur në bahçe të babës, pra atë bahçen, metaforike, me kanabis, të cilën ja përmendin këtu në Kosovë, sa herë u do puna për t ’a sharë. Bahçen, me kanabis, ja përmend edhe Luli, por fjala e tij tashmë nuk ka peshë, sepse ai konsiderohet vetëm një klan rival, i cili promovon “bahçen” e vet.
Kështu, duhet pranuar se miku ynë, argëtuesi i masave, Edi Rama, qysh e dini edhe ju, ka imagjinatë, të bujshme, çka e ka pranuar edhe vet, këto ditëve të fundit, në formën e arsyetimit publik lidhur me deklaratën për presidentin kombëtar. Pas kombinimit fatal të atleteve , me kollare, i duhej diçka ndryshe. Diçka më politike. Imagjinata mund të jetë pika më e dobët e një politikani në Ballkan, e sidomos ndër shqiptarët. Do ti, të vishesh për qefin tënd, por të kap protokolli. Do të imagjinosh dhjet vjet përpara, por të kapë opozita, ambasadat, të gjithë more vëlla. Të kapin, të gjithë, si s’të kapin. Imagjinata nuk të duhet, kur ke detyra shtëpie, për të bërë, kur duhet ndjekur hapat që të kërkon procesi euro-atlantik. E shihni, si mbijeton presidenti i Kosovës, pa trohë imagjinate?! Asgjë nuk i mungon.
E pra, nuk është hera e parë. Edhe më herët Edi, sikurse edhe Hashimi, kishte luajtur me Evropën, e besa edhe me kandidatin e dikurshëm për president, e tash presidentin e SHBA, atë lojën, me dy topa të vegjël, që në popull ka një emër pak më ndryshe, që nuk tingëllon edhe aq lexueshëm për një gazetë serioze. E ku ka gazetë serioze, sot, do të thoni ju? Të gjitha janë argëtuese! As politika prej të cilës na varet gjithçka, nuk është më serioze, por është thjesht argëtim për masat. Sot, politika, nuk është as si feja dikur, kur e akuzonin si opium për masat, sepse tash opiumi është veç një gjysmë-fabrikat i politikës, ndërkohë që politika e feja, sukësesshëm argtojnë masat në rrjete sociale dhe mediat e tjera.
Nejse, Edi, duhet pranuar se na tronditi këto ditë me imagjinatën e tij të bujshme, e cila siç e thotë edhe vet, i ikën veç dhjetë vite përpara. Kurdise imagjinatën, Edi, bëje me Evropën qendrore.
Gjithqysh bëre mirë që na e kujtove çështjen kombëtare në parlament, sepse e kishim harruar pas dere, bashkë me flamurin e hequr “Te rrethi”. Pa ndonjë skandal, askush, nuk e përmend në tempullin e demokracisë, kombin. Është turp, thotë Evropa, të përmendësh kombin para listës serbe, apo pinjollëve të neo-osmanizmit që mbajnë frerët e trojkës drejtuese kosovare. Pastaj , cili komb, të përmendet? Një e kemi kur jemi të dehur, një kur jemi esëll. Një për vete, një për Evropën. Një për shpi, një për Pazar. Një për çifteli e një për protokoll. Eh, Kombi!
Kështu, flamuri kuq e zi, që u hoq me polici, u rivu me argat krahu. Pra, deklarata ishte hakmarrje e Edit, për flamurin e hequr, me polici? Aty për aty i erdhi ndërmend ideja se Shqiptarëve, u duhet veç një president, për të mos ndodhur më skandale të tilla. Shqiptarët duhet të kenë një president , tha Ai. Salla solemne, me mysafirët e lartë, të ulur se kush sipas qejfit, në lozhë, gumëzhiu. Bashkë me thënien e famshme : “Ka ardhur Rita”, shesheve të Prishtinës jehoi se paska ardhur edhe Edi.
Mund edhe të kishte ndodhur skandal, lidhur me këtë deklaratë, se qysh dihet Shqipëria e ka një president, e qe besa edhe Kosova e ka një. Janë, tamam për Ballkanin. Mediat e huaja i shajnë për mafioz, por këta nuk bezdisen, thjesht këta botojnë libra ku thonë të kundërtën. E kanë edhe një të përbashkët, këta, përpos që janë miq. Që të dy, janë zgjedhur president, për t’i larguar nga pushteti. Evropa nuk i duroi, se kishin shumë fuqi, por nuk kishin imagjinatë.
E përse, Edi, pikërisht në dhjetëvjetorin e pavarësisë, hodhi deklaratën për presidentin e përbashkët? Ishte ky një kërcënim për serbët, për Evropën, Rusinë… se ne dimë edhe të bashkohemi, nëse bllokoni proceset? Jo! Edi, thjesht ishte i shqetësuar se nuk do të binte në sy me gjithë atë tollovi. Pastaj kishte ardhur edhe Rita.
Njëherë mendova se do vinte me plis të bardhë e me veshje (ndër)kombëtare shqiptare, sikur Isë Boletini që pat shkuar, në shpalljen e pavarësisë, në Vlorë. Ose do të vinte me ndonjë flamur kombëtarë në dorë, por pas heqjes së flamurit te rrethi, kjo ka ra si opsion. Mund ta “çarmatosnin” Edin, të i merrnin flamurin kuq e zi dhe ti jepnin një verdh kaltër. Ruana zot, ai edhe mund të rezistonte!
Papuçet “Gucci”, Edi! Është dashur të vije me papuçe dhe të mos traumatizoje presidentët! Pastaj, edhe ashtu, në koncert do përfundojë…

Loading...