Kryeministrit i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar se shumë shpejt do të takohet me homologun grek Alexis Tsipras për të diskutuar mbi marrëveshjen mes dy vendeve.

Në një intervistë të dhënë për agjencinë shtetërore të lajmeve greke, AMPE, Rama duke mos dhënë detaje se ku do të zhvillohet takimi, pohoi se mes dy vendeve do të zgjidhen të gjitha çështjet e mbetura pezull.

“Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por planifikohet të takohemi së shpejti. Jemi në mes një faze dialogu të shpeshtë dhe diskutimi të shumë çështjeve, që shtrihen në mjaft vite dhe që nuk janë prekur kurrë. Me vullnet e guxim të plotë, si dhe vendosmëri për t’u zgjidhur. Besoj se jemi shumë afër zgjidhjes të gjithë kësaj problematike të vjetër dhe kjo do të ishte një arritje e madhe”.

Rama komentoi gjithashtu edhe marrëdhëniet e deritanishme mes dy vendeve duke theksuar se po punohet për përmirësimin e tyre.

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke janë historike dhe tradicionale fqinjësie, e si ndodh gjithnjë me fqinjët, nuk ecin gjërat gjithmonë në mënyrë të përkryer. Kjo dihet nga vetë eksperienca me çdo fqinj, si në një fshat, në një qytet apo akoma dhe mes vendeve, janë gjithmonë njësoj këtë e koncepton më mirë në një ndeshje futbolli mes fqinjëve, është si luftë”.

Loading...