Edi Rama përfundon vizitën në Shtetet e Bashkuara me takimin me zv.presidentin Baiden dhe Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë. Obama thyen protokollin dhe merr kryeministrin shqiptar në Zyrën Ovale.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë i kryeministrit Edi Rama dhe delegacionit që e shoqëron është fundi i një vizite historike jo thjesht për faktin se bëhet në 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por edhe në fund të një serie takimesh të rëndësishme që kreu i ekzekutivit pati në Nju Jork dhe në Uashington.

Në tryezë është folur për reformën në drejtësi, byronë e hetimit dhe rolin strategjik të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Megjithatë, për të dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë vizitë historike, këtë të enjte Top Story u zhvendos në Uashington në një intervistë të drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama.

Intervista

Sokol Balla: Besoj që ishte një takim i rëndësishëm për karrierën tuaj politike dhe për vendin?

Edi Rama: Është një takim i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse një vizitë në Shtëpinë e Bardhë nuk bëhet përditë. Fakti që kaloi kohën dhe pritshmërinë për nga atmosfera, e bën edhe më të paharrueshme këtë vizitë.

Sokol Balla: Raportuam që pati një thyerje protokollare, kur erdhi në fillim të takimit dhe vizita në zyrën ovale.

Edi Rama: Po, presidenti duhej të vinte në mes të takimit me Joe Biden, por erdhi që në fillim dhe në fund më mori dhe më tha hajde shkojmë në Zyrën Ovale.

Sokol Balla: Më folët për një batutë?

Edi Rama: Shkëmbyem disa batuta, por nuk kam marrë autorizim nga protokolli i Shtëpisë së Bardhë për t’i ndarë me publikun.

Sokol Balla: I keni marrë dorën duke u përzier me punët e brendshme të SHBA…

Edi Rama: Nuk jam përzier në punët e SHBA. Jam i habitur nga ata që zgjedhin mes meje dhe Donald Trump, zgjedhin Donald Trump. Nuk është më punë e brendshme Donald Trump. Ai ka thënë gjëra të papranueshme për shqiptarët, Kosovën dhe një histori të lavdishme bashkëpunimi mes SHBA dhe Shqipërisë, por “patriotët e Tiranës” e harrojnë këtë për fat të keq se janë të verbuar nga mllefi anti-qeveritar dhe janë gati që mes meje dhe Trump të zgjedhin Trump.

Sokol Balla: Le të flasim pak për vizitën, mediat në Tiranë raportuan që u pritet me protesta.

Edi Rama: Nuk pashë asnjë protestues, por është pjesë e jetës që të ketë edhe protesta dhe nuk ka asgjë të keqe. U prita me shumë ngrohtësi dhe ua kam borxh të gjithë atyre që do të ndodhte një takim kaq i madh nga diaspora, ku edhe prezantova fillesën e projektit të samitit të madh të diasporës në Tiranë. Nuk është çudi që të presim bashkë me shumë njerëz që duan të të përqafojnë edhe protestues. Çudi është kur proteston Presidenti për një kend lojrash. Ky është lajm, e para nuk është lajm.

Sokol Balla: Është diskutuar me Obaman reforma në drejtësi, byroja, siguria dhe roli strategjik i Shqipërisë…

Edi Rama: Me Presidentin kemi folur për reformat, progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria dhe rolin e madh dhe shumë të vlerësuar që Shqipëria luan si një shembull në rajon. Besoj që kemi marrë aq shumë vlerësime sa jemi të karikuar me energji për të gjithë pjesën e mbetur të këtij mandati dhe për një tjetër energjia na tepron edhe për një mandat tjetër.

Sokol Balla: Nuk ka patur një transparencë sa i takon axhendës. Edhe formati ka qenë ndryshe.

Edi Rama: Ata që kërkojnë transparencë nga Shqipëria nuk dinë çfarë kërkojnë pasi harrojnë që unë nuk jam Presidenti i Shqipërisë, jam kryeministri dhe takimi nga pikëpamja protokollare zhvillohet me pritjen nga zv.presidenti dhe pastaj Presidenti bëhet pjesë e takimit. Kjo nuk ndodh vetëm me këtë rast. Takimet janë me këtë rend. Kjo ka shumë pak rëndësi. Në Shqipëri jemi mësuar, ka një pjesë që jetojnë për të nxjerrë bishta nga çdo gjë, por kjo është pjesë e lulëzimit të lirisë dhe nuk ka asnjë problem. Ajo që ka ndodhur është një vizitë me shumë rëndësi, një moment me shumë rëndësi për një bilanc me 25-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Zona ku ne jetojmë është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane, nisi me bomba dhe ka mbërritur në pikën kur të gjithë janë ulur në një tryezë. E kam ftuar Presidentin që të vijë në Shqipëri. Më ka premtuar që gjatë këtyre 10 muajve, ose pas tyre do ta vizitojë Shqipërinë. Ka treguar shumë interes për rajonin dhe Shqipërinë dhe më ka habitur që ka dijeni të plotë për gjithçka.

Sokol Balla: Ju e keni takuar disa herë Obaman…

Edi Rama: E kam takuar dhe sot në momentet në Zyrën Ovale i mbante mend dy herët e mëparshme dhe nuk mendoja që një njeri që takon kaq shumë njerëz të mbante mend detajet, detaje që lidhen me basketbollin apo praninë time në Denver kur mori nominimin si kandidat për President.

Sokol Balla: Më kujtohet takimi i 2012, u fol për një foto që nuk u publikua kurrë, nuk e keni shpjeguar kurrë këtë?

Edi Rama: Faktikisht, sot ka qenë një ditë e bukur dhe jo vetëm takimi im me Presidentin, por ka qenë një takim miqësor si një mik.

Sokol Balla: Këtu keni të drejtë sepse pas 21 Janarit raportet me SHBA nuk ishin nga më pozitivet, një raport që u ngrit me vështirësi, pastaj erdhi kriza e armëve siriane.

Edi Rama: Nuk ka asnjë lidhje kjo. Nuk është e vërtetë që politika amerikane vlerëson pa kushte partnerët apo u jep mbështetje pa kushte servilëve, politika amerikane vlerëson shumë argumentat, sjelljen dhe qëndrimet inteligjente dhe të qënit të drejtpërdrejtë. Përsëri i kam patur rastin të konstatoj që ndryshe nga si padashje apo me dashje në Tiranë përpiqen të interpretojnë qëndrimet e mia si eksese të dikujt që nuk duhet të flasë për gjëra të mëdha. Në fakt nëse gjërat që thua bëjnë sens respekti i më të mëdhenjve rritet. Historia e armëve kimike nuk është ashtu siç mendohet në përfundim të kësaj. Kam qenë në kontakt me Sekretarin e Shtetit gjatë atyre ditëve dhe ju siguroj që nga ajo histori dhe episod në marrëdhënien tonë raporti ynë ka dalë i fortë nga respekti, jo i cënuar.

Sokol Balla: Ju e dini shumë mirë që në nëntor 2013 ju dërgoi një letër që ju falenderonte dhe ju priste në pranverën e 2014 në Shtëpinë e Bardhë, pra u shty me dy vite vizita.

Edi Rama: Nuk është kështu. Mos mendojmë që Shtëpia e Bardhë është një fushë-kalimi paradash protokollare. Axhenda është e ngjeshur sepse të gjithë duan të takojnë Presidentin e SHBA dhe fakti që në këto 25 vite nuk është se udhëheqësit e Shqipërisë kanë kaluar çdo mandat në Shtëpinë e Bardhë, flet për të vërtetën që të jesh në Shtëpinë e bardhë do të thotë shumë.

Sokol Balla: Është folur shumë që është një vizitë e shtyrë në kohë. Ju duhet të kishit ardhur më herët në Uashignton dhe me një shfaqje të përbashkët me Vuçiç?

Edi Rama: Unë nuk kontestoj burimet tuaja, por me burimet e mia modeste historia është ndryshe. Nuk jam në dijeni të një plani të tillë. Në vizitën e Vuçiç Presidenti nuk mori pjesë.

Sokol Balla: Ka një investim amerikan, jo të përbashkët, ka një investim për promovimin e dy figurave, tuajën dhe Vuçiç, këtë se mohoni dot?

Edi Rama: Nuk dua të personalizoj asgjë dhe pse nuk kam aspak dëshirë ta fsheh që ardhja këtu dhe ky takim është provë për shqiptarët që sigurisht vlerësohen shumë marrëdhëniet me ta, por vlerësohen shumë marrëdhëniet me qeverinë e sotme në Shqipëri. Ballkani është një histori suksesi dhe unë kam kontributin modest, Vuçiç po ashtu, SHBA kanë kontributin e padiskutueshëm. Ajo që sot mund të thuhet, që e dëgjuam edhe në takimin me shefin e Bankës Botërore, që tha për një bisedë me kancelaren Merkel, që kishte folur me superlativa për Shqipërinë. Po ashtu edhe me Kryeministrin e Izraelit që bashkë me mbretin e Jordanisë mbështesin integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit duke e konsideruar shembull. Të gjithë kanë dhënë nga pak kontribute, por është e sigurtë që kjo që për shumë ngjan si proces i natyrshëm, për disa në Shqipëri ngjan si një rast i radhës për të hedhur baltë e për të përqeshur siç ndodh kur mllefi provincial prevalon mbi inteligjencën mesatare.

Sokol Balla: Raporti i DASH kritikonte qeverinë shqiptare për mënyrën sesi janë trajtuar 2 mijë refugjatë sirianë që janë kthyer mbrapsht. Keni dy standarde, një për emigrantët muxhahedinë dhe një tjetër për ata sirianë.

Edi Rama: Nuk kemi dy standarde. Në raport me opozitën iraniane është qëndrim që i bën nder qeverive shqiptare. Nuk është qëndrim i yni, e ka mbajtur edhe qeveria e mëparshme dhe është produkt i natyrshëm i solidaritetit që kemi me ata që janë viktima të persekutimit. Historia tjetër, ajo e krizës së përgjithshme të refugjatëve është ndryshe. Shqipëria nuk mund të luajë një rol shpëtimtari të Europës, Shqipëria mund të luajë një rol aq sa i mbajnë shpatullat. Ka një respekt të plotë për Shqipërinë në Berlin, Bruksel lidhur me këtë qasje. Ne e kemi thënë që duam të marrim pjesën tonë, por brenda një plani europian. Nuk mund t’i marrim ne në një kohë që ca ngrenë mure dhe ca bëjnë deklarata të pabesueshme për BE.

Sokol Balla: A ka ndikuar fakti që arritët një marrëveshje të gjerë për muxhahedinët?

Edi Rama: Nuk kemi arritur asnjë marrëveshja, ka qenë vazhdimësi. Nuk është ky shkaku, kjo ka qenë një arsye prej së cilës Shqipëria është respektuar edhe më shumë, por jo se këtu ka patur ndonjë pazar.

Loading...