Ramë Lahaj në Paris përgatitet për operën “Lucia di Lammermoor”

Ramë Lahaj po përgatit rolin e tij për shfaqjen operistike “Lucia di Lammermoor” që do të jepet në Francë.

Tenori kosovar sot ka mbajtur provat në Operën Kombëtare të Parisit, me ç’rast ka postuar një fotografi me sopranon nga Afrika e Jugut, Pretty Yende, me të cilën ka ushtruar për shfaqjen e kompozuar nga Gaetano Donizetti.

Opera “Lucia di Lammermoor” trajton temën e dashurisë, gjegjësisht Lucian e bukur, e cila çdo mëngjes, në kodrat Lammermuir në jug të Skocisë, takohet me Edgardon e Ravenswood, një njeri misterioz të ri me të cilin ajo është në dashuri, transmeton KultPlus. Por, ashtu si në veprën “Romeo dhe Xhulieta”, të Shekspirit, të dashuruarit janë pasardhësit e dy familjeve që grinden dhe nuk kanë të drejtë për ta dashur njëri-tjetrin.

Në këtë produksion të regjisorit Andrei Serban, nën dirigjimin e Riccardo Frizza tenori kosovar, Ramë Lahaj luan Edgardon bashkë me Piero Pretti ndërsa sopranot Pretty Yende dhe Nina Minasyan luajnë në rolin e Lucias.

Ramë Lahaj do të prezantohet para publikut më 26 tetor për të vazhduar më 29 tetor dhe 11 e 14 nëntor 2016.

Opera është e bazuar në historinë e vërtetë të Janet Dalrymple e cila kishte vrarë burrin e saj në natën e dasmës, gjë që e kishte frymëzuar shkrimtarin Walter Scott për ta shkruar dramën tragjike në vitin 1835.

Loading...