Raportet Maqedoni-Bullgari, jo vetëm fjalë

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, priti në një takim homologun e saj bullgar, Krasimir Karakaçanov, i cili i shoqëruar nga një delegacion qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e Mbrojtjes të të dy vendeve fqinje zhvilluan takim bilateral, si dhe udhëhoqën takimin e përbashkët mes delegacioneve të Ministrive të Mbrojtjes, pas të cilit u adresuan në një konferencë të përbashkët shtypi.

Shekerinska theksoi se marrëveshja dypalëshe e nënshkruar mes Qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Bullgarisë nuk do të mbetet vetëm fjalë, marrëveshje e cila sipas saj, tregon se të dy vendet janë të vetëdijshme se vetëm me anë të fqinjësisë së mirë rajoni i Ballkanit mund të ecë përpara.

Ajo shtoi se vetëm duke zhvilluar marrëdhëniet e mira fqinjësore mund të garantohet siguria e përbashkët dhe prosperiteti i të të dy vendeve.

“Në kohën e fundit, dy ekipe të ekspertëve kanë punuar seriozisht në përgatitjen e një plani të punës për bashkëpunimin tonë më të ngushtë në fushën e mbrojtjes. Dhe në përgjithësi, sot si ministra mund të japim vetëm dritën e gjelbër që plani i tillë i punës të vazhdojë dhe tashmë të shohim rezultatet e para të një bashkëpunimi të tillë. Sot ne kemi rënë dakord që gjatë përgatitjes së dokumentit të Rishikimit të Mbrojtjes Strategjike të Maqedonisë, një dokument kyç për reformat tona të mbrojtjes dhe anëtarësimit në NATO, të përdorim njohuritë dhe përvojën, edhe të mirën edhe të keqen që i kaloi Bullgaria”, deklaroi Shekerinska.

Ministrja e Maqedonisë bëri të ditur se në takim është diskutuar zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe trajnimit ushtarak dhe mjekësor të pjesëtarëve të forcave të armatosura të të dy vendeve. Sipas ministres Shekerinska, mundësitë që afrohen nga Bullgaria në këtë fushë do të rrisin kapacitetet e Armatës së Republikës së Maqedonisë.

Në vijim, Shekerinska paralajmëroi se vitin e ardhshëm do të mbahet një stërvitje e përbashkët ushtarake, e cila siç tha ajo, do të dëshmojë qartë se Maqedonia dhe Bullgaria janë të vendosur në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ajo po ashtu shtoi se Bullgaria në periudhën e kaluar, por edhe tani, mbron seriozisht dhe promovon qëllimin e madh strategjik të Maqedonisë, anëtarësimin në NATO.

Karakaçanov: Prioritet i Bullgarisë do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor

Ndërkaq, ministri bullgar tha se Bullgaria gjithmonë ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë unitetin e Maqedonisë, duke shtuar se ata nuk kanë asnjë problem me emrin Republika e Maqedonisë.

“Unë shpresoj se për atë që kemi diskutuar sot në fushën e bashkëpunimit ushtarak mes dy ministrive, trajnimit të personelit, problemeve ushtarake-mjekësore dhe politikës sociale, do të arrijmë rezultate, me anë të të cilave do të dëshmojmë se vetëm me fqinjësi të mirë dhe të sinqertë, si dhe me marrëdhënie të ndershme mund të kemi stabilitet dhe rend në rajonin e Ballkanit”, deklaroi Karakaçanov.

Karakaçanov po ashtu theksoi se Bullgaria është e gatshme që të mbështesë dhe të bashkëpunojë me Maqedoninë, që sa më shpejtë të jetë anëtare e plotë në NATO.

Loading...