Se drejtësia është e brishtë dhe se sisitemi gjyqësor në Maqedoni është i korruptuar, politizuar e rasti i fundit i Almirit të vogël na jep të drejtë për të konstatuar se është i ndarë edhe etnikisht, nuk do shumë argumente për tu vërtetuar. Vendimet e gjykatave dhe prokurorëve flasin vetë, shkruan Zhurnal.

Rikualifikimi i lëndës në rastin e Almirit të vogël nga vrasje në aksident trafiku me pasoja të rënda nxori në pah edhe njëherë ndarjen selektive të drejtësisë nga ana gjykatave të vendit. Ky është një nga shumë rastet ku drejtësia ndahet në mënyrë selektive, por është më specifik nga të gjitha këndështrimet.

Për këtë rast të gjithë u ngritën në këmbë, i madh e i vogël, nxënës e studenet, aktorë esportistë, media e qytetar të gjithë së bashku ju bashkuan një kërkese të vetme për të kërkuar drejtësi për Almirin e vogël, por kjo kërkesë hasi në vesh të shurthët dhe në vend se vrasësi i Almirit të jetë prapa grilave të burgjeve ai u la në liri, duke i’a rikualifikuar veprën e krimit nga vrasje në aksident trafiku.

Të indinjuar nga kjo ata që kërkonin drejtësi për këtë rast, u bënë edhe më shumë. Sëfundmi në një protest masive para Qeverisë u tubuan mbi 10 mijë njerëz, por kësaj rradhë për të kërkuar përgjegjësi, pse u lejua që lënda e këtij rasti të rikualifikohet.

Tanimë kur kërkohet përgjegjësi për një rast që argumenton vetë kërkesën me shumë argumente të forta, deputetët shqiptarë por edhe të tjerë duhet ta aktualizojnë institucionin interpelancë edhe të kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit Lubomir Jovevski nga detyra, thonë njohës të rrethanave politike në vend për Zhurnal.

“Në praktikën e mëparshme të Parlamentit të Maqedonisë, sidomos në vitet e 90-ta, institucioni i interpelancës ka qenë më i pranishëm ndaj funksionarëve që kanë gabuar dhe nuk kanë dhënë përgjegjësi për gabimet e tyre. Por, kjo praktikë në parlament gati se është harruar, sidomos gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, në dhjetë vjetët e fundit. Për atë shkak, edhe mosdhënia e llogarisë dhe përgjegjësisë për punën e kryer nga bartësit e funksioneve shtetërore, solli vendin në një rrugë pa shteg dhe krijoi hapësirë për manipulime, abuzime dhe korrupsion. Edhe kjo përbërje parlamentare, që duhet të sjellë ligje me kodin evropian, nuk po ndërmerr asgjë që t’i marrë në përgjegjësi funksionarët e lartë shtetërorë, sikundër që është rasti i fundit me kryeprokurorin Jolevski, i cili në rastin e Elmirit që është i njohur për mbarë opinionin publik, mori anën destruktive, shkeli ligjet dhe kushtetutën, ngriti një digë përballë reformave në gjyqësor, por për këto veprime nuk u kritikua dhe nuk u mor në përgjegjësi, së paku me një interpelancë në Parlamentin e Maqedonisë, ku do të nxirreshin të palarat”, thotë për Zhurnal, Ismail Arsllani, analist.

Sipas tij, nuk është vetëm ky funksionar nga gjyqësori që duhet të vihet në spikamë në institucionin ligjdhënës, por edhe disa të tjerë që hapur pengojnë proceset e reformave dhe orientimin euroatlantik të vendit, duke filluar nga kreu shtetëror.

Nga ana tjetër, kryetar i Shoqatës së ish-të burgosurve politik në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani thekson se deklarata injoruese dhe përbuzese e kryeprokurorit Jovevski në lidhje me rikualifikimin e veprës dhe me protestën, dëshmoi se është një Zvërlevski i recikluar.

“Me rikualifikimin e lëndeë kundeë të akuzuarit Boban Iliq, nga vrasje me paramendim në aksident komunikacioni me pasojë vdekje, ai me të dy krahët ia ka hapur rrugën një interpelance të mirëfilltë. Jovevski nuk gëzon besueshmëri tek shqiptarët shkaku se ai ka qenë gjykatës (ose prokuror) në konstruksionin politik “afera e armëve” në kohën e Gligorovit, në fillim të viteve të ’90, ku disa shqiptarë u dënuan me 76 vjet burg, që më vonë ky aktgjykim të revidohet me lirimin e te burgosurëve; pasi i vuajtën ng 2 apo 3 vjet burg. Partia shqiptare në pushtet bëri disa manovra politike duke i manipuluar familjarët e voglushit të vrarë duke e fabrikuar tajmingun e dorëheqjes së ministrit të drejtësisë Bylent Saliji, dhe, duke marrë pjesë edhe vetë kundër vetëvetes në protestë (revolucioni laraman alla-shqiptarçe) kundër rikualifikimit të lëndës dhe në fund, gjithë sa u tha më lartë përfundoi me farsën e quajtur “komision anketues”, theksoi për Zhurnal, Pollozhani.

Sipas tij, që nga viti 1991, janë formuar mbi 17 komisione anketues me rezultat zero, dhe sipas kësaj del se, komisionet anketuese deri tani kanë pasur vetëm një qëllim: neutralizimin e energjisë negative të grumbulluar në komunitet dhe paketimin e ngjarjes në arkivin e harresës kolektive të shqiptarëve.

Loading...