“Rasti Kumanova”: Dëshmia e re revolton të akuzuarit, rebelohet Komandant Sokoli me shokë

Pas një periudhe tre mujore janë hapur sërish për opinionin seancat gjyqësore për gjykimin e rastit “Lagjja e Trimave- Kumanovë”. Tre dëshmitarët e fundit të Prokurorisë Publike nuk janë paraqitur në seancë. Në gjykatë SPB Kumanovë ka raportuar se, Shaban Jashari, Murat Lutfiu dhe Viktor Denkovski nuk i janë përgjigjur thirrjes për tu paraqitur në gjykatë dhe se të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e vendbanimit për tu përgjigjur urdhërit për shoqërim policor deri në gjykatë, shkruan gazeta Lajm.

Në mosprezencë të dëshmitarit, gjykatësja Verka Petrovska ka lejuar që prokurori Naum Panovski të lexojë dëshminë e parë që dëshmitari Shaban Jashari ka dhënë për PP.

Të akuzuarit, para se të lexohet deklarata e dëshmitarit kanë reaguar dhe kanë rekomanduar të mos pranohet e njëjta për faktin se është dhënë nën trysni. Megjithatë gjykatësja nuk e ka pranuar kundërshtimin, dhe Panovski ka lexuar dëshminë e Jasharit.

“Më 5-6 maj kam vërejtur një person me uniform në shtëpinë e Fadil Fejzullahut. Të nesërmen e kam pyetur Fadilin se kush janë dhe ai më ka thënë se janë UÇK dhe se kanë ardhur për ne. Unë i thash që a duhet dikush të eksperimentojë me ne. E pyeta kush i solli, nuk mu përgjigj. Ditëve në vijim prapë kam vërejtur persona të panjohur në oborrin e Fadilit. Pash se mbanin armë të tipit kallashnikov. Krismat më 9 maj na frikësuan, u dëgjuan eksplodime, dëgjova britma ‘ura UÇK’, Sokoli jepte komanda”, citohet të ketë thënë Jashari.

Avokatët mbrojtës hedhin poshtë dëshminë e Jasharit, e vlerësojnë të pabazë

Avokatët mbrojtës nuk janë pajtuar me qasjen e gjykatës ndaj dëshmitarëve të Prokurorisë Publike dhe kanë kërkuar që dëshmitarët domosdoshmërish të jenë prezent ose deklaratat e tyre të para të transmetohen me zë, shkruan gazeta Lajm.

“Me leximin e kësaj dëshmie thyet Kodi Penal. Dëshmitari nuk ka dhënë betim”, tha avokati mbrojtës Mefail Asllani, duke u bazuar në vet Kodin Penal.

“Me leximin e dëshmisë shkelet e drejta e mbrojtjes. Duhet të vërtetohen faktet. Dëshmitari nuk i njeh personat që i përmend dhe të akuzuarit. Mbeten të paqarta shumë gjëra. Dëshmia është kontradiktore. Propozoj të mos merret parasysh kjo deklaratë”, deklaroi avokati mbrojtës Lupçe Veselinovski.

“Propozoj dëshmia të lëshohet me zë, sepse gjatë deklaratës së tij s’ka qenë asnjëri prokuror aktual. Veç kësaj, asnjëri prej avokatëve nuk ka qenë prezent gjatë dëshmisë së tij”, theksoi avokati mbrojtës Naser Raufi.

“Shkurtohet e drejta e mbrojtjes. Është e domosdoshme që dëshmia të bëhet në seancë gjyqësore. Prej nga e di ai se Sokoli është kryesori”, kujtoi avokatja mbrojtëse Artene Ademi Iseini.

Rebelohen të akuzuarit

I ka irrituar jashtë mase leximi i dëshmisë edhe të akuzuarit, disa prej të cilëve në këmbë me zë të lartë kanë kundërshtuar leximin e dëshmisë dhe mënyrën e gjykatës se si po i lejon PP-së që të paraqet dëshmi me lexime, pa prezencën e vet dëshmitarit.

“Deklarata është e pasaktë. Dëshmitari po ikë tërë kohën. Atë e kanë kërcënuar dhe malltretuar si gjithë neve. Nuk e pranoj këtë deklaratë”, tha me zë të lartë para gjykatëses Petrovska Sami Ukshini i njohur në opinionion më nofkën “Sokoli”.

Gjykatësja Verka Petrovska nuk ka pranuar ankesat e avokatëve e as nuk ka marrë në konsideratë kundërshtimet e të akuzuarve. Ky gjest i saj edhe më tepër ka revoltuar disa prej te akuzuarve të cilët në këmbë kanë kujtuar gjykatësen se po ju bëhet padrejtësi.

“Falsifikim, është falsifikim si gjithë procesi kundër neve”, ka thënë Lirim Krasniqi.

Seanca e radhës mbahet më 13 shkurt.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

Loading...