Reagon ambasada ruse pas deklaratës së Zaevit, e quan “rusofob”

Deklaratën e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, se biznesmenë pro-rusë nga Greqia kanë paguar njerëz në Maqedoni për të nxitur protesta të dhunshme kundër marrëveshjes për emrin dhe anëtarësimit më NATO, Ambasada ruse në Shkup e cilëson si të papërgjegjshme politikisht.
“Deklarata e Zaevit e vë në pikëpyetje sinqeritetin e angazhimit të Qeverisë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Rusinë. Me keqardhje konstatojmë se rusofobia gjithnjë e më shumë bëhet vegël e politikës së jashtme por edhe të brendshme”, thuhet në reagimin e ambasadës, të publikuar në rrjetin social twitter.

Komentin për pohimet se disa biznesmenë rusë i kanë nxitur protestat në Maqedoni kryeministri Zaev sot, pas fillimit të ndërtimit të fabrikës së kompanisë amerikane “Dura” në Bunarxhik, e dha pas raporteve të marra pas bisedave në polici me një pjesë të pjesëmarrësve.

“Flas nga ajo që e dëgjoj në raportet që i kemi marrë. E dini që ata djem të rinj “komitë” kur sulmuan policë u thirrën në polici për deklaratë, kështu që përmendën biznesmenë nga Rusia se kanë dhënë para, për këtë shkak janë këtu dhe se nuk kanë asgjë kundër ose ngjashëm”, tha Zaevi.

Maqedonia, shtoi, është vend i vogël dhe dëshiron të ndërtojë miqësi me të gjithë, përfshirë edhe me Federatën Ruse.

Loading...