Qeveria e Kosovës përmes një reagimi dënon ashpër dhunën e skajshme të manifestuar sot nga opozitarë të dhunshëm nëpër rrugët e kryeqytetit, e cila ka arritur përmasa absurde, duke e tejkaluar çdo kuptim.

Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e indinjuar me lëndimet që iu shkaktuan sot qytetarëve të pafajshëm, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe me dëmet materiale dhe skenat e tmerrshme që u panë sot në Prishtinë.

Hipokrizia e opozitës qëndron në faktin se ata gjoja po protestojnë për mbrojtjen e Republikës, por në emër të mbrojtjes së saj ata po tentojnë ta shkatërrojnë atë, po i sulmojnë institucionet e saj, po përdhosin çdo gjë që është ndërtuar me shumë mund.

Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron e palëkundur nga dhuna e shfrenuar e një grushti ekstremistësh e banditësh dhe inkurajohet nga refuzimi i qytetarëve për t’u bërë pjesë e këtyre skenarëve.

Projektet zhvillimore, rritja e investimeve të huaja, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, proceset integruese evropiane dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike, nuk mund të pengohen nga grupe banditeske që po synojnë ta zhysin vendin në kaos.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkrahjen më të fuqishme për Policinë e Kosovës, e cila me përkushtim po e mbron Republikën e Kosovës nga aktet kriminale të orkestruara për përfitime ekskluzivisht politike.

Loading...