Java e mësymjes diplomatike të perëndimit në Shkup nisi me vizitën dy ditore të shefit të NATO-s Jens Stoltenberg e po vazhdon me ndalesën e kancelarit austriak Sebastian Kurz për t’u mbyllur të shtunën me atë të shefes së ekzekutivit gjerman, Angela Merkel.

Pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, Kurz i ftoi qytetarët maqedonas që të dalin masivisht në votime e të mbështesin marrëveshjen e emrit me Greqinë. Austria, shtoi ai, do të vazhdojë ta mbështesë rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Jam i kënaqur që gjendem sërish jam në Shkup. Austria është mike e Maqedonisë dhe e gjithë rajonit. Ne nuk kemi vetëm bashkëpunim ekonomik, por edhe miqësi tradicionale. Ajo qe duam është të jetojmë së bashku në Bashkimin Evropian. Zgjidhja e ngërçit të emrit paraqet dinamikë të re për Maqedoninë dhe më gjerë”, u shpreh Sebastian Kurz, kancelar i Austrisë

Vizita e Kurz-it është përshëndetur nga blloku më i larte politik vendas. Por vëmendjen më të madhe është e destinuar ta rrëmbejë mbërritja e kancelares gjermane Merkel.

Vizita e saj po interpretohet si sinjal i fuqishëm i një momenti historik. “Ky është shansi ynë i rrallë për të ecur përpara drejt anëtarësimit në NATO e për të çelur bisedimet e aderimit në BE”, deklaroi ministri i jashtëm maqedonas Nikola Dimitrov.

Dhe pohimet e tij, e kanë një bazë. Asnjëherë më parë, një kancelar gjerman nuk e ka vizituar Maqedoninë me përjashtim të qëndrimit fare të shkurtër të Gerhard Shrederit atje gjate luftës së Kosovës në 1999-tën.

Vetë prania e Merkelit dëshmon qartë mbështetjen për zgjidhjen e çështjes së emrit. Me shumë gjasë ajo po kërkon t’i inkurajojë personalisht qytetarët maqedonas të vendosin mbi kompromisin e arritur mes Zaevit dhe Tsiprasit, por pas gjithë kësaj, ka dhe një mesazh tjetër: interesi i shtuar i politikanëve gjermanë mund të duket i papritur, por ai reflekton rritjen e vëmendjes së Berlinit për rajonin në kohen kur në Ballkanin Perëndimor vihet re një shtim i influences kineze dhe asaj ruse.

Top Channel

Loading...