Tre modele të mundshme për funksionimin e mëtejmë të sistemit të sigurisë dhe kundërzbulimit në vend janë në tavolinën e institucioneve kompetente për shqyrtim, mëson jozyrtarisht Alsat M. Opsioni i parë është vazhdimi i modelit të deritanishëm me të cilin Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim mbetet në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Modeli i dytë parashikon ndarjen e DSK-së nga MPB-ja, si një organ i veçantë dhe i pavarur. Modeli i tretë, bashkimin e DSK-së me Agjencinë e Iteligjencës, gjegjësisht formimin e një organi të veçantë të administratës shtetërore.

Modelet e funksionimit të shërbimeve të sigurisë dhe kundërzbulimit

Modeli i parë – Vazhdimi i modelit aktual

Modeli i dytë – Ndarja e DSK-së nga MPB-ja

Modeli i tretë – Bashkimi i DSK-së me Agjencinë e Zbulimit (inteligjencës)

Jozyrtarisht mësojmë se si më i parapëlqyer nga pushteti është modeli i dytë. Me këtë, policia sekrete pritet të shëndërrohet në shërbim për zbulim dhe kundërzbulim, të jetë organ preventiv në vend të funksionit aktual represiv, të ketë ndarje të qartë të kompetencave, autonimi në hetime, të depolitizohet dhe të jetë korrektor i politikës. Me ndryshimin e modelit aktual parashihet të vendoset sistem për koordinim ndërmjet të ashtuquajturit Këshill i Përbashkët Zbulues i cili do të formohet me vendim të Qeverisë dhe do të përbëhet nga kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, ministri i Jashtme dhe drejtorët e tre organeve të sigurisë dhe kundërzbulimit; DSK-së, Agjencisë së Inteligjencës dhe Shërbimit Ushtarak për Siguri dhe Zbulim. Ky këshill ndodhet në majën e piramidës për koordinim dhe vendime strategjike. Trupi i përbashkët koordinues do të jetë kompetent për koordinimin e Qendrave Analitike të cilat do të përpunojnë informacionet e marra nga shërbimet e sigurisë dhe zbulimit:

KËSHILL I PËRBASHKËT ZBULUES

TRUP I PËRBASHKËT KOORDINUES

Qendër analitike për kundërterrorrizëm – DSK
Qendër analitike për (kundër)zbulim – Agjencia e Inteligjencës
Qendër analitike për krim të organizuar – SHUSZ
Ndryshimet po ashtu synojnë ndarje të qartë të kompetencave të DSK-së dhe BSP-së me të cilën pritet të shmanget përplasja e kompetencave në terren. Mes tjerash kërkohet edhe mos-përqendrimi i pushtetit të këtyre organeve në një person ose në një shërbim të vetëm. Siç mëson Alsat, në planin për reforma theksohet se efikasiteti i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim për momentin kufizohet nga mungesa e legjislacionit të përshtatshëm modern që i rregullon aktivitetet e këtij organi, pasqyra aktuale e keqe për DSK-në, mos-besimi nga qytetarët dhe organizatat me të cilët ndërvepron, kuadri pjesërisht i aftë për veprimtari preventive që shfrytëzon medota represive dhe pajisja e pamjaftueshme teknike.

DSK-ja, pas këtyre ndryshimeve, parashihet të jetë subjekt i veçantë juridik nën kompetencat e Qeverisë. Drejtori i saj duhet të propozohet nga ekzekutivi por të zgjidhet nga Kuvendi dhe të ketë mandate tre-vjeçar me mundësi rizgjedhjeje. Të punësuarit në DSK do të kërkohet të kenë kualifikim të përshtatshëm profesional, etikë profesionale dhe të mos ketë konflikt interesi në punën e tyre. Kjo nënkupton se të punësuarit aktual në këtë organ pritet t’i nënshtrohen një lloji të “vetingut”. Është e paqartë se sa nga të punësuarit aktual do t’i plotësojnë kriteret e parapara për të vazhduar të jenë pjesë e këtij shërbimi. Po ashtu, nuk dihet nëse do të plotësohet kriteri i përfaqësimit të drejtë etnik, duke marrë parasyshë deficitin e kuadrit profesional në këtë lëmi. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski ditë më parë deklaroi se reformat rrënjësore në shërbimet e sigurisë do të fillojnë në nëntor. Në nëntor pritet të fillojë me punë edhe Agjencia Teknike Operative, të cilës ju transmetuan kompetencat e DSK-së sa i takon përgjimeve.

Loading...