“Reka e Epërme dhe fshati Kiçinicë” edhe një libër për shqiptarët e Rekës së Epërme

Në ambientet e Këshillit të Komunës së Gostivarit mbrëmë u promovua libri “Reka e Epërme dhe fshati Kiçinicë” i autorit Branko Manojllovski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Këtu gjendet edhe nipi imë Branisllav Sinadinovski me gruan e tij, Gordanën. Këtu janë edhe anëtarë të tjerë të familjes sime. Janë kunata ime dhe mbesa. Me fjalë tjera plasi akulli dhe tash ato janë me mua, sepse e kuptuan se e them të vërtetën. Kryetari Ali Ahmeti dhe kryetari Nevzat Bejta janë dy fletët e mi, dhe kur i shoh ato unë fluturoi si shqiponja dhe kaloi Korabin me vrap. Me nder qofshi”, u shpreh autori Branko Manojllovski.

Në cilësinë e nikoqirit, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta vlerësoi lartë librin dhe kontributin e dhënë nga Branko Manojllovski në drejtim të vetëdijesimit të banorëve të Rekës së Epërme për origjinën e tyre shqiptare.

“Ishte dëshirë shpirtërore e mixhës Branko që të botonte dorëshkrimet e veta mbi Rekën e Epërme dhe fshatin Kiçinicë. Pasi është banor i Gostivarit, ia plotësuam dëshirën që promovimin e librit ta fillojë nga këtu. Rekasit kanë dhënë kontribut të madh nga koha e Rilindjes Kombëtare në të mirën e shoqërisë shqiptare. I pari nga rilindasit kombëtar nga Reka është Josif Bageri që la pas vetës dorëshkrime në gjuhën shqipe, dhe i dyti është axha Branko i cili gjeneratave të ardhshme ua len një dokument të rëndësishëm për historinë e Rekës së Epërme”, i shpreh Nevzat Bejta, i cili me këtë rast falënderoi Shoqatën Kulturore të Rekës së Epërme për angazhimin e treguar në organizimin e promovimit të librit.

Prezent ishte edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i cili tha ”Vendbanimi nga vijë unë tradicionalisht miqësi ka pasur me Rekën e Epërme. Që në moshë të vogël jam rritur me njohuri mbi Rekën. Zajazi ka marrë pjesë në dasmat e Rekës dhe pa lodrat e Zajazit nuk janë bë dasmat. Me familjen e axhës Branko njihemi që para 80 vitesh. Ku u njoha xha Brankon. Vendoset përmendorja e Josif Bagerit, kryetari i Komunës ma dha listën me donatorët, në mesin e tyre e lexova edhe Branko Manojllovskin. E thirra Nevzat Bejtën dhe e pyeta se kush është ky. Ka gati 10 vite kjo punë. Nevzati mu përgjigj që e njihte dhe bashkë me Izet Mexhitin e kishin vizituar në Çikago të Amerikës. Xha Branko është njëri prej kontribuuesve më të mëdhenj për ta thënë të vërtetën mbi shqiptarët e krishterë në Maqedoni. Ato janë vëllezërit tanë të një gjaku. Gjaku nuk bëhet ujë dhe gjaku nuk pihet”, tha mes të tjerash Ahmeti.

Promovimi i librit i cili është në tre gjuhë (shqip, maqedonisht dhe anglisht), u përmbyll me një koktej rasti në oborrin e Komunës së Gostivarit.

Loading...