Nisja për në Manastir, për të përgatitur një reportazh në gazetë, apo emision dokumentar, për çdo gazetar shqiptar nuk përjetohet vetëm si obligim pune. Nisja për në këtë qytet sjell edhe emocione, sepse paraqet mundësi për një takim të ri me faqet e ndritura të historisë sonë. Që nga Heraklea e Ilirëve, aq pak e hulumtuar nga historianët shqiptarë, e deri te Shtëpia e Alfabetit, që na kujtohet vetëm në përvjetorët e Kongresit të Manastirit, apo atëherë kur e vandalizojnë huliganët maqedonas.
Për këtë qytet janë shkruar shumë e shumë shkrime, janë bërë shumë emisione të shkëlqyeshme dokumentare, mirëpo ato pak kanë prekur ndërgjegjen e atyre që e kanë obligim moral dhe kushtetues të ndërprejnë deshqiptarizimin e këtij qyteti.
Rrugës drejt qytetit të shkronjave vazhdimisht të sillen mendimet se si të përgatitësh një emision që dallon prej të tjerëve. Si të përgatisim një rrëfim që do të prekë ndërgjegjen e secilit dhe do ta përçojë mesazhin te çdo shqiptar se Manastiri është një pasuri kombëtare, që po e humbim para syve tanë. Si të përgatitet një emision që do të tërehqe vëmendjen e opinioni më shumë se atletet Adidas të Edi Ramës dhe dhentë e Ali Ahmetit në stanet e Zajazit. Mision me të vërtetë i vështirë, por megjithatë sfidues.

Çdo storie gazetareske për Manastirin shqiptar fillon me kronistët e këtij qyteti, historianin Reshat Nexhipi dhe gazetarin Qenan Hasani.
Profesorin Nexhipi nuk e takuam kësaj radhe, sepse ishte për vizitë në Amerikë te familjarët. Mërgimtarët shqiptarë për fat të keq gjithnjë e më rrallë vijnë në Manastir, kështu që familjarët e tyre shkojnë t’i vizitojnë atje ku gjenden.
Kurse gazetari Qenan Hasani nuk përton të presë e të përcjellë ekipet gazetareske shqiptare, pa marrë parasysh se nga cili medium janë, e që vijnë në këtë qytet. Për fat të keq, nuk ka fjalë të mira për të na thënë, sepse gjendja e shqiptarëve në Manastir nuk i lejon një luks të tillë. Ai rrëfen këtë gjendje, duke theksuar se për disa çështje ka përmirësime, por për shumë çështje situata e shqiptarëve vetëm se përkeqësohet.

Të diskriminuar nga maqedonasit dhe nga pushtetarët shqiptarë në Maqedoni, të injoruar nga Tirana dhe Prishtina, që nuk e shohin të arsyeshme të hapin një konsullatë nderi siç kanë hapur shumë vende tjera, intelektualët e Manastirit kanë vendosur të marrin fatin në duart e tyre. Pak shpresë dhe optimizëm lidhur me fatin e shqiptarisë në Manastir ka kthyer shoqata joqeveritare me emrin simbolik “22 nëntori”. Kjo shoqatë, që tubon intelektualët shqiptarë, udhëhiqet nga aktivistja e sektorit civil në këtë qytet, Sibela Alimovska. Për dallim prej shumë bashkëmoshatarëve të saj nga Manastiri, që vendosin të migrojnë në Amerikë dhe Australi, Sibela ka vendosur të qëndrojë në qytetin e të parëve. E jo vetëm kaq. Duke formuar shoqatën “22 nëntori”, ajo synon të krijojë një vatër rezistence ndaj tendencave për zhdukjen e gjurmëve shqiptare në qytetin e konsujve.

Kontributin e tyre në veprimin dhe suksesin e kësaj shoqate po e japin edhe shqiptarët ortodoksë të Manastirit, të cilët kanë vendosur t’i kthehen rrënjëve të tyre. Në mesin e tyre është edhe profesoresha e njohur e pianos, Meri Kalkalieva-Stojanova, e cila si profesoreshë në Prishtinë me bashkëshortin e saj Vanço Stojanov, kanë zbuluar shumë talentë shqiptarë të violinës.
Ajo jo vetëm që krenohet publikisht me prejardhjen e vetë shqiptare, por apelon edhe te të gjithë shqiptarët ortodoksë në Manastir dhe në qytete tjera të Maqedonisë, që të mos frikohen nga identiteti i tyre i vërtetë dhe t’i tregojnë botërisht rrënjët shqiptare.

Pushtetarët shqiptarë me përbuzje sillen ndaj Manastirit. “Sa herë që vijnë na pyesin a ka vajza dhe gra të bukura shqiptare këtu. Kjo është e vetmja gjë që u intereson për Manastirin. Shtrojnë gosti të majme dhe ikin. Kthehen sërish, por fshehurazi për të takuar dashuriçkat e tyre nëpër hotelet dhe motelet përreth”, rrëfen njëri prej bashkëbiseduesve tanë. “Shumë sekrete din Shirok Sokaku për politikanët tanë që shiten patriotë, por që moralin e kanë nën zero. Asnjë sekret i Shirok Sokakut nuk ka mbetur pa dalë në shesh. Me siguri edhe sekretet e këtyre politikanëve herët ose vonë do t’i merr vesh mbarë shqiptaria”.
Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e pamoralshme e pushtetarëve shqiptarë, gjithsesi që ka pasojat e veta. Këtë neglizhencë të politikës më së shumti po e ndiejnë të rinjtë shqiptarë në Manastir. Duke u përballë me mungesë të perspektivës dhe me dyer të mbyllura nëpër institucione, ata janë të detyruar të kërkojnë fatin jashtë vendit, kryesisht në vendet tejoqeanike.

Për problemet e arsimit shqip në Manastir biseduam edhe me veteranët e arsimit në këtë qytet, Ramadan Elmazi dhe Xhanish Kokalari. Arsimi shqip në Manastir ka përjetuar periudha të ndritura, por tani është në rënie të vazhdueshme. Numri i nxënësve shqiptarë vazhdimisht ulet, kurse një pjesë e tyre përcaktohen edhe të mësojnë në shkollat maqedonase.

Ata thonë se shumë fëmijë shqiptarë që shkojnë në paralel maqedonase, edhe në shtëpitë e tyre kanë filluar të flasin maqedonisht. Krejt ndryshe ka qenë më herët. Manastiri jo vetëm që ka qenë vatër e kulturës dhe arsimit shqip, por arsimtarët nga ky qytet kanë përhapur dritën e diturisë edhe në trojet tjera shqiptare. Njëri ndër ta është edhe Ramiz Iseni, tani 83 vjeçar. Në ditët e para të karrierës arsimore profesionin e ka ushtruar në fshatin Mateç të Likovës. Atëherë ai as që ka mundur ta paramendojë se qyteti i tij një ditë do të vijë në situatë ku shqiptaria

Shqiptarët e Manastirit nuk janë të diskriminuar vetëm në qytet. Diskriminimi i tyre është i theksuar edhe në fshatrat përreth. Kjo më së miri vërehet në fshatin Mexhitli, fshat i vendosur gati në vijën kufitare me Greqinë. Edhe pse fshati posedon pasuri të mëdha natyrore, ato shfrytëzohen nga kompani maqedonase, e jo nga banorët. Një rast i tillë sipas banorëve paraqet fabrika e ujit “Pelisterka”. Kjo fabrikë shfrytëzon burimin e ujit të thartë në fshatin Mexhitli, mirëpo punëtorët i sjell nga fshatra maqedonase që gjenden edhe 30 kilometra larg.

Shqiptarët e Manastirit gati janë të përjashtuar tërësisht edhe nga biznesi. Ata pak biznesmenë shqiptarë që janë, përballen me probleme të shumta. “Të jesh biznesmen shqiptar në Manastir është njësoj sikur të notosh në të thatë”, thotë biznesmeni Lirim Elmazi, pronar i fabrikës së ujit Pellagonka.

Sado i këndshëm që është qëndrimi në Manastir, vjen edhe koha për t’u larguar. Ndarja me shqiptarët e Manastirit është e dhimbshme. 36 shkronjat e alfabetit të themeluar pikërisht në këtë qytet, nuk mjaftojnë të përshkruajnë këtë dhimbje. Të krijohet përshtypja se nuk është duke lëvizur vetëm vetura drejt Shkupit, por se edhe se edhe qyteti i Manastirit është duke lëvizur dhe duke u larguar nga trojet shqiptare. Duke sikurse Manastiri është duke rrëshqitur drejt një gremine ku fjala shqipe nuk do të dëgjohet më kurrë, për shkak të ndërgjegjes së pandërgjegjshme të politikanëve tanë trima me fjalë, e të mangët në vepra./LajmTV/

Loading...