Për të tingëlluar mirë nuk ka nevojë për sallë adekuate. Jehona që krijohet në ambient të hapur është vendi ideal për të dëgjuar meloditë origjinale.

Ata që u bien këtyre instrumenteve nuk kanë nevojë për partitura e as për melodi të komplikuara. Mjafton që të nxjerrin tingull me aq sa e lejojnë instrumentet, varësisht nga regjistri dhe tonaliteti që kanë. Megjithatë, jo të gjithë dinë të luajnë në këto instrumente.

Bëhet fjalë për fyellin, kavallin, okarinën, çiftelinë, ndrrojcën zumare, defin e tupanin. Secili prej tyre bart një pjesë të trashëgimisë kulturore të vendit dhe hyjnë në opusin e këngëve të muzikës folkloristike.

Me qëllim që këto instrumente të rëndësishme të mos mbesin vetëm si një kujtim i së kaluarës, kompozitori Faton Dolaku ka realizuar një projekt ku ka incizuar gjashtë këngë dhe dy kolona zanore me këto instrumente.

Që tingullin e tyre ta sjellë në formën sa më origjinale, Dolaku është takuar me njerëzit të cilët i prodhojnë dhe luajnë në to. Bashkë me ekipin e tij ka shkuar në Has, Bogë e Rugovë dhe më pas ato melodi i ka futur në albumin që e ka titulluar “Legacy…Kosovo” (Trashëgimia e Kosovës)

Loading...