ROLF WENKEL

ROLF WENKEL

Kancelarja, ministri gjerman i Financave dhe kolegët e tij në Bashkimin Evropian duket se janë mjeshtër për shtyrjen e problemeve dhe mbylljen e syve para realitetit. Ata mohojnë mundësinë e shlyerjes së borxheve të Greqisë – sikur Greqia vërtetë do të jetë në gjendje që në të ardhmen e largët të paguajë borxhet e saja.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe shumë ekonomistë flasim në anën tjetër atë që taksapaguesit evropianë e dinë kaherë: 11 milionë grekë nuk do të mund ta kthejnë kurrë në tërësi borxhin prej 323 miliardë eurosh. Falja e një pjese të borxheve dhe shtyrja e afateve për kthimin e pjesës tjetër është e domosdoshme, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të hapet një perspektivë për këtë vend.

Më shumë ndershmëri dhe sinqeritet prej politikanëve ndaj zgjedhësve dhe taksapaguesve me siguri që nuk do të ishte keq. Kështu ata duhet të pranojnë se ka qenë budallallëk dhe absurde ideja për futjen në përdorim të monedhës së përbashkët para vendosjes së një politike të përbashkët fiskale, ekonomike dhe sociale. Ata duhet të pranojnë se ideja për pranimin në këtë klub të vendeve me monedha më të dobëta ka qenë një budallallëk absolut, sepse kështu u merret mundësia atyre që të korrigjojnë gabimet e tyre në ekonominë politike, përmes zhvlerësimit të monedhës së tyre.

Më shumë sinqeritet do të thoshte më shumë ndershmëri ndaj zgjedhësve. Paratë nga dy programet e para të ndihmës për Greqinë kanë shkuar. Ndërkohë që edhe paratë e programit të tretë do të ikin. Të paktën duhet të jemi të sinqertë që ndihmat e reja të mos i quajmë kredi, por ashtu siç janë: ndihma për një popull në vuajte. Disa nga marrëveshjet e Mastrihtit dhe Lisbonës edhe ashtu nuk janë kuptuar seriozisht nga askush – më së paku nga spekulantët dhe tregjet financiare.

Rreth 70 për qind e grekëve mbështesin mbetjen e Greqisë në Eurozonë, për vetë faktin që me euro marrin nga elitat e tyre të pushtetit rroga dhe pensione më të larta. Kjo duhet të shpërblehet edhe me ndihma teknike. Athina për shembull duhet të rishkollojë dhe të përgatisë nëpunësit e saj në rast vendimi për ndryshime. Unë jam i bindur se me ndihmë teknike nga vendet e tjera, edhe grekët mund të mësojnë që të administrojnë si duhet politikën fiskale dhe kadastrale. Por, si fillim duhet bërë rikapitalizimi i bankave në Greqi. Sepse pa para dhe besim tek bankat , nuk mund të funksionojë ekonomia – pavarësisht faktit që këtu bëhet fjalë për një vend të vogël ekonomik si Greqia, e cila nuk ka nevojë domosdoshmërisht për katër banka të mëdha.

Por, kancelarja dhe ministri i Financave duhet së pari të mendojnë për faljen e mundshme të të gjitha borxheve. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe më parë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur 70 vende hoqën dorë nga kërkesat e borxheve gjermane – në vlerë prej rreth 30 miliardë marka gjermane. Me marrëveshjen e Londrës të vitit 1953 janë falur gati gjysma e borxheve gjermane – gjë që bëri të mundur fillimin e mrekullisë ekonomike të kohës së pasluftës.

Loading...